Cilat janë shkaqet që e ndihmojnë njeriun të jetë më i durueshëm? Shkaku i gjashtë

Cilat janë shkaqet që e ndihmojnë njeriun të jetë më i durueshëm kundrejt shqetësimeve që i shkaktojnë njerëzit? – Shkaku i gjashtë

Dijetari i mirënjohur, shejhul islam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka përmbledhur një sërë shkaqesh, të cilat nëse muslimani i zbaton, do ta ketë më të lehtë që të jetë i durueshëm kundrejt shqetësimeve apo dëmtimeve që me dashje apo pa dashje i shkaktojnë njerëzit.

Ndër ato shkaqe, përmendim:

Shkaku i gjashtë

Të jesh në dijeni të faktit se ‘të hakmerresh për veten tënde’, është një veprim që bie ndesh me traditën profetike, pasi i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) nuk hakmerrej kurrë për veten e tij, me përjashtim të rasteve kur nëpërkëmbeshin dispozitat dhe urdhëresat e Allahut të Madhëruar.

Ne e kemi shëmbëlltyrën më të mirë tek i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!). Allahu i Madhëruar thotë:

لَّقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ

“Ju e kishit shembullin më të mirë në të Dërguarin e Allahut” El Ahzab, 21.

Përderisa i Dërguari i Allahut; krijesa më e nderuar dhe më fisnike e Zotit, u lëndua dhe u mundua nga njerëzit, mirëpo ai asnjëherë nuk pranoi të hakmerrej për veten e tij, ashtu edhe muslimanit nuk i takon të hakmerret për veten e tij.

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ishte njeriu më i mirë që ka shkelur mbi sipërfaqen e tokës. Ai kishte moralin dhe virtytet më të larta dhe ishte më i denji që njerëzit ta respektonin dhe të tregoheshin të bindur ndaj tij, pasi ai gjithnjë përpiqej për udhëzimin dhe shpëtimin e tyre, e megjithatë, edhe kur njerëzit nuk ia njohën pozitën dhe vlerën, por u treguan të ashpër e të vrazhdtë me të, ai përsëri kurrë nuk ua ktheu në të njëjtën mënyrë.

E si mundesh ti, o rob i Allahut.., ti i cili je i zhytur në gjynahe dhe gabime të njëpasnjëshme, dhe që morali e sjellja jote lënë shumë për të dëshiruar… Ti që të metat dhe mangësitë e tua janë të dukshme, si mundesh që t’i dalësh në mbrojtje vetes tënde, sa herë që dikush, -dashur apo padashur- gabon kundrejt teje, apo të hyn në hak?!

Të shpejtosh për t’i dalë në mbrojtje vetes tënde sa herë që dikush gabon kundrejt teje, madje edhe kur të bëjnë kritikën më të vogël, kjo tregon se ti e mbivlerëson veten tënde dhe nuk e njeh realitetin e saj.

Ai i cili është i vetëdijshëm për mëkatet e veta dhe që i di mangësitë dhe dobësitë e tij të shumta, nuk shpejton t’i dalë në mbrojtje vetvetes, por angazhohet të përmirësoj moralin dhe sjelljen e tij, pasi në të vërtetë, vetëm kjo do t’i bënte dobi, si në këtë botë, ashtu dhe në botën tjetër.

vijon…

Shkaqet që e bëjnë njeriun të jetë i durueshëm
kundrejt shqetësimeve që i shkaktojnë të tjerët

Tekijudin Ahmed Ibën Tejmije
661 – 728 h

Përshtati në gjuhën shqipe: Edmond AJDIN