Cilësi negative të natyrës së njeriut që përmenden në Kuran (Pjesa 2-3)

December 27, 2015

Cilësi negative të natyrës së njeriut që përmenden në Kuran (Pjesa 2-3)

5- [Axhul] tepër i nxituar, ose për shkak të dobësisë së durimit të tij si në arritjen e së mirës ashtu dhe në largimin e së keqes, çka e bën atë të mos ia arrijë qëllimit, ose për shkak të mos kokëçarjes apo fodullëkut e përshpejton të keqen siç përshpejton të mirën.

Në Kuran thuhet: “Njeriu është krijuar me nxitim. Do t’ju tregoj shenjat e fuqisë Sime prandaj mos nxitoni” suretu El-Enbija: 37.

Imam Taberiu thotë: [është krijuar me nxitim] dmth duke shpejtuar në krijim të tij para se të perëndonte dielli, në pjesën e fundit të ditës së xhuma, ku në të njëjtën kohë i është fryrë edhe shpirti.
Ky shpejtim në krijim, ka ndikuar në cilësitë e tij duke e bërë atë të nxituar në veprime dhe fjala nxitim [Axhul] si cilësi e njeriut na del në një ajet tjetër ku Allahu i Madhëruar thotë: “Njeriu lutet për keq në vend që të lutet për mirë. Njeriu është shumë i nxituar” suretu El-Isra: 11.

Ibn Kethiri thotë: Allahu njofton se njeriu nxitohen në disa raste në lidhje me veten, fëmijët, pasurinë etj, duke u lutur për keq si: vdekje, shkatërrim, mallkim etj. Nëse Allahu di ti përgjigjej atij, do të shkatërrohej me duanë e tij, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Sikur Allahu t’jua përshpejtonte njerëzve të keqen siç e kërkojnë ata përshpejtimin e së mirës do t’ju mbaronte afati” Suretu Junus: 11.

Prandaj dhe Profeti -alejhi selam- thotë: “Mos u lutni kundër vetëve tuaja dhe as kundër pasurisë tuaj, se ndoshta u qëllon në kohë kur Allahu e pranon duanë dhe u përgjigjet” e transmeton Muslimi.

6- [Katur] që do të thotë shumë koprrac që nuk shpenzon gjë prej asaj që ka.

Fjala [Katur] ka ardhur në ajetin: “Thuaj: sikur ju të kishit në pronësi depot e rahmetit të Allahut do ti pengonit nga frika e shpenzimit se njeriu është shumë koprrac” suratu El-Isra: 100.
Pra, sikur dikush prej krijesave të kishte në pronësi depot e Allahut të cilat janë aq të mëdha sa në hadithe thuhet: “Dora e Allahut është plot dhe nuk e pakësohet nga shpenzimi dhe jep natë e ditë. E keni parë se sa ka shpenzuar nga krijimi i qiellit dhe tokës dhe nuk është pakësuar ajo që ka në dorën e tij” Mutefekun alejhi.
“O robtë e mi, sikur i pari i juaj dhe i fundit i juajI, prej njerëzve dhe prej xhinëve dalin në një shesh për të më kërkuar (të mira) dhe unë ti jap secilit atë që do, nuk pakëson kjo gjë nga ajo që kam veçse siç pakëson gjilpëra kur futet në det” e transmeton Muslimi.

Tani e gjithë kjo pasuri sikur të ishin pronë e njeriut e cila edhe pse nuk njeh pakësim e aq më tepër të shterojë, njeriu prapë nuk do të shpenzonte prej saj për shkak të koprracisë së madhe të tij.

Imam El-Mauardi (dijetar i madh që ka ndërruar jetë në vitin 450H) thotë: Sikur dikush prej krijesave të kishte depot e Tij, nuk do të kishte treguar bujari si bujaria e Allahut për dy arsye:

E para: patjetër duhet të mbajë prej pasurisë për shpenzimet dhe nevojat e tij.

E dyta: i frikësohet varfërisë.

Kurse Allahu nuk i ka asnjë prej këtyre dy arsyeve.

Shkroi Dr Abdullah Nabolli

Loading...