Disa prej kushteve të pendimit

February 21, 2023

Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Ditën kur disa shenja të Zotit tënd do të vijnë, për atë që beson atëherë nuk do të ketë asnjë dobi në qoftë se nuk besoi më parë dhe nuk fitoi mirësi me anë të besimit.” |El En’am: 158|

Gjithashtu ka thënë: “Allahu pranon vetëm pendimin e atyre që bëjnë gjynah nga padija dhe marrëzia e pastaj menjëherë pendohen. Të tillët Allahu do t’i falë sepse Allahu është kurdoherë i Gjithëdituri, më i Urti Gjykues.

Dhe pa asnjë përfitim është pendimi i atyre të cilët vazhdojnë të bëjnë vepra të këqija derisa t’u vijë përballë vdekja, dhe pastaj thonë: ‘Tani pendohem’. As edhe i atyre që vdesin duke qenë jobesimtarë. Për ta kemi përgatitur dënim të dhimbshëm.” |Nisa: 17-18|

Transmetohet nga Ebu Musa El-Esharij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Me të vërtetë që Allahu i Madhëruar shtrin dorën e Tij gjatë natës ashtu që të pendohet gjynahqari i ditës, dhe e shtrin dorën ditën ashtu që të pendohet gjynahqari i natës. Kjo vazhdon derisa të lindë dielli nga ana e perëndimit.” Transmeton Muslimi me nr. 2760.

Transmetohet nga Abdullah ibn Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Me të vërtetë që Allahu i Madhëruar e pranon pendimin e njeriut deri në çastin kur fillon të dalë shpirti nga trupi i tij.” Transmeton Tirmidhiu me nr. 3531, dhe e ka saktësuar shejh Albani në “Sahihul Xhemi” hadithi me nr. 1309.

Shpjegimi:

Pendimi ka disa kushte të cilat nëse njeriu i plotëson atëherë pendimi i tij është i pranuar me leje të Allahut.

Pendimi pranohet deri në momentin që njeriu është i sigurt dhe e shikon vdekjen me sytë e tij. Ky është momenti i daljes së shpirtit. Gjithashtu, pendimi nuk pranohet në momentin kur dielli lind nga perëndimi, çast në të cilin njerëzit e kuptojnë se po afrohet dita e kijametit.

Dobitë:

1) Prej kushteve të pendimit është që ky pendim të jetë para çasteve të vdekjes dhe para se të fillojë shpirti të dalë nga trupi.

2) Prej kushteve është që ky pendim të ndodhë para se të lindë dielli nga perëndimi, sepse në këtë moment mbyllet pranimi i veprave dhe nuk pranohet pendimi.

3) Ai i cili pendohet sinqerisht nga një mëkat e pastaj i rikthehet atij gjynahu, atëherë pendimi i parë është i pranuar porse duhet të pendohet përsëri për mëkatin tjetër.

 

Shkëputur nga libri: “Mësimet e përditshme”.

Shkroi: Rashid El-AbdulKerijm

Përktheu: Ardit Ulqinaku

Loading...