Disa veçori të Shamit – Xhamia e begatë e Aksas (Pjesa e dytë)

Disa veçori të Shamit, Kudsit, dhe xhamisë së Aksas.

Veçoria e tretë: Shami, vendi i hixhretit (emigrimit) të Ibrahimit -alejhi selam- dhe i besimtarëve të sinqertë të këtij ymeti pas tij.

Hixhreti për hir të Allahut është lënia e vendit të shirkut dhe të kufrit për në një vend tjetër ku mundesh të adhurosh Allahun i lirë dhe pa frikë. Këtë punë për herë të parë pas përhapjes së injorancës tek njerëzit e ka bërë Ibrahimi -alejhi selam-. Ibn Xhurejxhi dhe Mukatili (dy komentues të njohur të Kuranit (vdekur në vitin 150 H) kanë thënë: Ibrahimi është i pari i njerëzve që ka bërë hixhret për hir të Allahut.
Këtë punë si dhe shumë punë të tjera të Ibrahimit, Allahu i madhëruar e ka përmendur tre herë në Kuran:

Ajeti i parë:Ai (Ibrahimi) tha: Unë do të bëj hixhret për te Zoti im. Ai është Ngadhënjyesi dhe i Urti.” Suretu El-Ankebut: 26.
Fjala e tij [Unë do të bëj hixhret] d.m.th.: do largohem nga ju, nga vendi juaj, nga veprat tuaja etj. dhe nuk i ka përcaktuar ato me fjalë që t’i përgjithësojë.
Fjala e tij [për te Zoti im] d.m.th.: ose për të adhuruar i qetë Zotin tim, ose për atje ku më ma urdhëruar Allahu për në vendin e Shamit, siç do të vijë më poshtë.
Fjala e tij [Ai është Ngadhënjyesi dhe i Urti] d.m.th.: triumfuesi triumfon gjithmonë ndaj kundërshtarëve të tij, si dhe i urti që në fjalët dhe veprat e tij ka urtësi.
Ndoshta e ka thënë këtë fjali për t’ju treguar se ai me këtë veprim nuk do të dobësohet, por përkundrazi, do të bëhet më i fortë dhe do fitojë mbi ta. Allahu është me besimtarët dhe besimi gjithmonë triumfon.

Ajeti i dytë: “Ai (Ibrahimi) tha: Do të shkoj te Zoti im dhe Ai do të më udhëzojë.” Suretu Es-Safat: 99.
Fjala e tij [Do të shkoj te Zoti im] është si ajeti i mëparshëm, mirëpo Katade thoshte për kuptimin e tij: Po shkoj me veprën time, zemrën time dhe nijetin tim.
Fjala e tij [Ai do të më udhëzojë] d.m.th.: do të më udhëzojë për çdo gjë që është e dobishme në dynjanë dhe ahiretin tim.
Imam Kurtubiu thotë: Ky ajet është baza e hixhretit dhe e braktisjes. I pari që e ka bërë këtë është Ibrahimi -alejhi selam- kur e shpëtoi Allahu prej zjarrit.

Ajeti i tretë: “Ne e shpëtuam atë (Ibrahimin) dhe Lutin për në tokën e bekuar për të gjithë njerëzit.” Suretu El-Enbija: 71.
E veçanta e këtij ajeti është se ai tregon vendin për ku bëri hixhret Ibrahimi -alejhi selam-, duke përmendur një cilësi të tij që është bekimi apo begatia. Ky vend sipas komentuesve të Kuranit është Shami.
Ubej bin Kab -radiallahu anhu- thotë: “Është Shami dhe nuk ka ndonjë ujë të ëmbël veçse ka dalë pre atij guri në Bejtul-Makdis (xhaminë e Aksas).” E transmeton Taberiu me zinxhir të saktë.
Katade (komentues i njohur i Kuranit i vdekur në vitin 100 e ca të hixhretit) në komentimin e ajetit thotë: “Ata ishin në Irak dhe i shpëtoi për në Sham. Thuhej për Shamin se është direku i shtëpisë së hixhretit.” E transmeton imam Taberiu me zinxhir të saktë.

Kjo vepër e Ibrahimit -alejhi selam- më pas u bë vepër e këtij ymeti të cilën e bëri profeti ynë -salallahu alejhi ue selam- dhe shokët e tij, dhe ne si ymet që ndjekim gjurmët e këtij profeti do ta ndjekim atë edhe në lidhje me vendin ku do bëjmë hixhret. Dhe ja çfarë thotë hadithi:
Abdullah bin Amr bin El-As -radiallahu anhu- tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Do të ketë hixhret pas hixhreti. Njerëzit më të mirë të tokës do të jenë ata që preferojnë vendin e hixhretit të Ibrahimit (Shamin), dhe do të mbesin në tokë njerëzit më të këqij të cilët i gjuan toka e tyre, i urren Allahu dhe i grumbullon zjarri me majmunët dhe derrat.” E transmeton Ebu Daudi, Hakimi, Abdurrazaku, Ahmedi etj.

Pra, Shami do t’i strehojë gjithmonë besimtarët siç strehoi Ibrahimin -alejhi selam-, dhe do të mbetet gjithmonë shtëpia e besimit. Madje jo vetëm kaq, por edhe ata që e zgjedhin atë vend për emigrim do të jenë njerëzit më të mirë, siç ishte dhe Ibrahimi -alejhi selam- ndër njerëzit dhe profetët më të mirë.
Ja çfarë thotë sheihul-islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- për familjen e tij pas përmendjes së hadithit të mësipërm:
“Në këtë hadith ka një përgëzim për familjet tona që bënë hixhret nga Harrani dhe nga vende të tjera për në vendin e hixhretit të Ibrahimit, duke ndjekur fenë e Ibrahimit dhe mësimet e profetit tonë Muhamed -salallahu alejhi ue selam-. Ky hixhret është si hixhreti i shokëve të profetit të Allahut Muhamedit edhe pse pas kohës së tyre, sepse hixhreti është për atje ku është profeti dhe gjurmët e tij. Vendi i hixhretit të Ibrahimit është për ne si vendi i hixhretit të profetit tonë, sepse hixhreti për te vendi i hixhretit të profetit tonë është ndërprerë pas çlirimit të Mekës.” Shih librin ‘Mexhmu El-Fetaua’ 27/509.
Familja e sheihul-islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- ka emigruar nga Harrani për në Damask të Sirisë, pas sulmeve barbare të mongolëve në vitin 668 H.
Të njëjtën gjë e shpreh edhe sheih Albani për hixhretin e babait të tij në fillim të viteve 1920 pas përmendjes së të njëjtit hadith, dhe thotë:
“Me këtë rast dua të shpjegoj diçka që lidhet me historinë dhe falënderimin ndaj babait tim – Allahu e mëshiroftë-. Hadithi është përgëzim për ne. Familja e babait tim i cili emigroi me familjen nga vendi i tij Shkodra, kryeqyteti i atëhershëm i Shqipërisë, dhe u largua për shkak të fesë nga revolucioni i Ahmed Zogut që Allahu ia devijoi zemrën duke vepruar me muslimanët e Shqipërisë siç veproi Ataturku me turqit.
Arrita me mirësinë dhe mëshirën e Allahut për shkak të këtij emigrimi në Damask të Shamit, atë që nuk mund t’ia kthej Zotit me falënderim edhe sikur të jetoj sa Nuhu (alejhi selam) ….” Shih librin ‘Silsilet-ul-Ehadith Es-Sahiha’ 7/615.

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli

vijon …..