Dispozitat e kryerjes së Umres

January 31, 2023

Falënderimi i takon vetëm Allahut!

Ky material tregon shkurtimisht veprat e ritualit të umres.

  • Kur mbërrin në mikat (vendi ku bën nijetin e umres sh.p.) është e pëlqyeshme të lahesh e të pastrohesh. Të njëjtën gjë si burri e bën edhe femra, edhe në qoftë se është me menstruacione ose lehonë. E vetmja gjë që e dallon atë në veprat e umres është se nuk bën tauaf (rrotullimi rreth Qabes) derisa të pastrohet dhe të lahet.

Është e pëlqyeshme për burrin të parfumoset vetëm në trup pa e hedhur parfumin në rrobat e ihramit.

Nuk ka ndonjë problem nëqoftëse nuk arrin të lahesh në mikat, madje është e pëlqyeshme të lahesh në Meke para se të fillosh tauafin nëse të krijohet mundësia.

  • Hiqen rrobat që të përshkruajnë trupin (siç janë pantallonat, këmisha, rrobat e brendshme etj. sh.p.), dhe vishet izari (rroba që mbulon pjesën e poshtme të trupit) dhe ridaja (rroba që mbulon pjesën e sipërme të trupit).

Pëlqehet të jenë të dyja me ngjyrë të bardhë.

Ndërsa femra vesh rrobat e saj normale (hixhabin sh.p.) pa zbukurime, dhe shmang veshjen e ndonjë rrobe që dallon nga femrat e tjera.

  • Pastaj bëhet nijeti me zemër për të filluar umren, dhe ndërkohë thuhet:

“Lebbejke umrah”, ose “Allahumme lebbejke umrah.” (O Allah, iu përgjigja thirrjes Tënde për të bërë umren).

Nëse ka frikë se mos nuk arrin ta përfundojë umren si pasojë e sëmundjes, frikës, armikut apo diçkaje tjetër, atëherë i lejohet njeriut që të kushtëzojë e të thotë:

“Fe in habeseni habis fe mehal-li hajthu habesteni” (Nëse me pengon diçka, atëherë do të ndalohem aty ku të më ndalësh –  ka për qëllim daljen prej adhurimit të umres sh.p.). Argument për këtë është hadithi i Dubeah bintu Zubejr, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Pastaj thuhet telbija që ka përdorur i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e cila është:

“Lebbejke Allahumme lebbejk, lebbejke le sherijke leke lebbejke, innel hamde uen-niamete leke uel mulk le sherike lek.” (Iu përgjigja thirrjes Tënde o Zoti im, iu përgjigja. Me të vërtetë që nuk ke shok e as ortak. Vetëm Ty të takon falënderimi, vetëm prej Teje i kemi të gjitha të mirat dhe i Joti është i gjithë pushteti! Nuk ke as shok e as ortak.)

Kjo telbije përsëritet shpesh, përmendet Allahu shumë, dhe shtohen lutjet e duatë derisa njeriu mbërrin në Qabe.

  • Kur mbërrin në xhaminë e shenjtë (në Qabe), hyn me këmbën e djathtë duke thënë:

“Bismil-lehi ues-saletu ues-sele’mu ale resulil-le’h, eudhu bil-le’hil adhijm, ue bi uexh’hihil kerijm, ue sultanihil kadijm minesh-shejtanirr-rraxhijm, Allahumme iftah li ebue be rahmetik.” (Me emrin e Allahut, paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij. Kërkoj mbrojtjen e Allahut të Madhëruar, me Fytyrën e Tij të ndershme dhe me sundimin e Tij të përjetshëm nga shejtani i mallkuar. O Zoti im, më hap dyert e mëshirës Tënde!)

  • Kur mbërrin te Qabja ndërpritet telbija dhe drejtohet për të shkuar te guri i zi. Aty i drejtohet gurit, e prek me dorën e tij të djathë dhe e puth nëse i krijohet mundësia. E nëse jo, atëherë nuk i bezdis njerëzit e tjerë (duke i shtyrë për të prekur gurin e zi dhe për ta puthur atë sh.p.).

Kur e prek gurin thotë:

“Bismil-lah, uAllahu ekber.” (Me emrin e Allahut, Ai është më i madhi.)

Nëse ka vështirësi që ta puthë atëherë e prek me dorë ose e arrin me një shkop apo diçka të ngjashme, e pastaj puth atë mjet me të cilin ka prekur gurin e zi.

Nëse nuk arrin ta prekë atëherë i bën me shenjë (duke drejtuar dorën drejt tij sh.p.) duke thënë:

“Allahu ekber.” (Allahu është më i madhi.)

Në këtë rast nuk puth atë me çka i bëri me shenjë.

Kur bëhet tauafi është kusht që njeriu të mos jetë xhunub dhe të ketë abdes, sepse tauafi ka të njëjtin gjykim si namazi vetëm se në tauaf është e lejuar që të flasësh.

  • Kur fillon tauafin pozicionohet në atë formë që Qabja të jetë në anën e majtë, dhe bëhen shtatë rrotullime. Kur mbërrin te Er-ruknul-jemenij (një nga katër këndet e Qabes, është i treti në rradhë pas gurit të zi sh.p.) e prek me dorën e djathtë nëse i krijohet mundësia dhe nuk e puth, dhe thotë:

“Bismil-lah, uAllahu ekber.” (Me emrin e Allahut, Ai është më i madhi.)

Nëse nuk mundet, atëherë e lë atë dhe vazhdon rrotullimin pa bërë me shenjë dhe pa bërë  tekbir (pa thënë lutjen e mësipërme sh.p.), sepse kjo gjë nuk është transmetuar nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Përsa i përkut gurit të zi, sa herë që i afrohet e prek dhe e puth atë ashtu siç e përmendëm më sipër, e nëse nuk mundet atëherë vetëm bën me shenjë dhe thotë: “Allahu ekber” (Allahu është më i madhi.)

Ndërkohë që bëhen tre rrotullimet e para të tauafit të mbërritjes (tauaful kudum), është e pëlqyeshme të ecet shpejt dhe me hapa të vegjël. Kjo është e veçantë për meshkujt.

Gjithashtu, pëlqehet që në tauafin e mbërritjes gjatë të gjithë rrotullimeve të zbulohet supi i djathtë (duke ulur një pjesë të rrobës së sipërme nën supin e djathtë dhe duke e hedhur mbi supin e majtë).

Gjatë të gjithë tauafit është e pëlqyeshme të shtohet përmendja e Allahut dhe lutjet sipas mundësive.

Gjatë rrotullimeve nuk ka ndonjë lutje të veçantë e as ndonjë dhikër specifik. Njeriu lutet dhe përmend Allahun me çfarë të ketë mundësi, e kjo gjatë të gjithë rrotullimeve.

Kur është në mes Er-ruknul-jemenij dhe gurit të zi, thotë:

“Rabbene etine fid-dunia haseneten ue fil ekhirati haseneten ue kine adheben-ner.” (O Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë dhe në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit.)

Kjo lutje thuhet në të gjitha rrotullimet në këtë vend sepse kështu është transmetuar nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Rrotullimin e shtatë e përfundon duke prekur dhe puthur gurin e zi nëse i krijohet mundësia, ose duke bërë me shenjë dhe duke bërë tekbir ashtu siç u shpjegua më lart.

Pasi përfundon këtë rrotullim e mbulon supin e djathtë (ashtu siç e kishte para tauafit sh.p.).

  • Pastaj fal dy rekate namaz te vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim) nëse i krijohet mundësia. Nëse nuk ka mundësi atëherë mund t’i falë ato kudo në xhami. Në rekatin e parë pas sures Fatiha lexon suren Kafirun, kurse në të dytin lexon suren Ikhlas. Kjo është forma më e mirë e faljes së dy rekateve, e nëse lexon diçka tjetër nuk ka ndonjë problem.

Kur mbaron namazi shkon për te guri i zi nëse i krijohet mundësia.

  • Pastaj drejtohet për te kodra e Safasë. Hipën në pjesën e lartë të saj ose qëndron kudo në kodër, ndërkohë që është më mirë që të hipi lart. Aty lexon fjalën e Allahut: “Innes-Safe uel Meruete min sheairil-leh.” (Me të vërtetë që kodra e Safasë dhe Meruas janë shenja prej shenjave të Allahut.) |El Bekare: 158|

Në këtë rast është e pëlqyeshme që t’i drejtohesh kibles, ta falënderosh Allahun dhe ta madhërosh Atë, dhe të thuash:

“Le ilehe il-lAllah, uAllahu ekber, le ilehe il-lAllahu uahdehu le sherijke leh, lehul mulku ue lehul hamdu ue hue ale kul-li shejin kadijr. Le ilehe il-lAllahu uahdeh, enxheze uadeh, ue nesara abdeh, ue hezemel ahzebe uahdeh.” (Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Ai është më i madhi. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Ai është i vetëm e i pashok. Atij i takon sundimi dhe falënderimi dhe Ai është i Pushtetshëm për çdo gjë. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Ai e përmbushi premtimin e Tij, i dhuroi fitoren robit të Tij dhe i mposhti ushtritë i Vetëm.)

Pastaj lutet për çfarë të dëshirojë duke i ngritur duar lart. E përsërit dhikrin e mësipërm bashkë me lutjen e tij tri herë.

Pastaj zbret nga kodra dhe ecën drejt kodrës së Meruas derisa mbërrin te shenja e parë (ka dy shenja me dritë jeshile ku mes tyre burri ecën shpejt, jo gruaja sh.p.). Kur mbërrin aty burri ecën shpejt derisa të mbërrijë te shenja tjetër, ndërsa gruaja nuk vepron ashtu sepse është auret.

Pastaj ecën dhe hipën në pjesën e lartë të kodrës së Meruas ose qëndron kudo në kodër, ndërkohë që është më mirë të hipi lart. Aty vepron e thotë ashtu siç bëri kur ishte mbi kodrën e Safasë.

Pastaj zbret dhe ecën në vendin e ecjes dhe shpejton në vendin e posaçëm, derisa të mbërrijë te kodra e Safasë.

Këtë gjë e vepron shtatë herë. Kur shkon llogaritet një herë dhe kur kthehet llogaritet një.

Nëse ecjen mes dy kodrave e bën mbi një mjet (p.sh. karrocë invalidësh apo diçka të ngjashme sh.p.), atëherë nuk ka ndonjë problem sidomos në rastin e nevojës.

Gjatë ecjes është e pëlqyeshme të shtohet përmendja e Allahut dhe lutjet sipas mundësisë.

Gjithashtu, është e pëlqyeshme të mos jetë xhunub dhe të jetë me abdes. Nëse jo, i pranohet si adhurim edhe në qoftë se nuk është i tillë.

  • Kur mbaron ecjen mes dy kodrave burri rruan ose shkurton flokët, ndërkohë që të rruash kokën është më e mirë. E nëse është afër kohës së haxhit atëherë shkurtimi i flokëve është më i mirë, në mënyrë që të rruajë kokën gjatë haxhit.

Ndërsa gruaja bashkon flokët e saj dhe i pret sa maja e gishtit (1/3 e sipërme e tij sh.p.) ose më pak.

Me përfundimin e këtyre veprimeve umreja quhet e mbaruar. Falënderimi i takon vetëm Allahut! Tani i lejohen të gjitha ato gjëra që i ka pasur të ndaluara gjatë kohës së umres.

Allahu na dhëntë sukses neve dhe të gjithë vëllezërve muslimanë që ta kuptojmë fenë e Tij, të na forcojë në të dhe të na pranojë veprat e mira. Me të vërtetë që ai është Bujar.

Paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi robin dhe të Dërguarin e Tij, pejgamberin tonë Muhamed, mbi familjen, shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin atë siç duhet dëri në ditën e gjykimit.

 

Udhërrëfyes i shkurtër për umren.

Ka dalë nga zyra e shejhut më datë 13/02/1416 sipas kalendarit hixhrij, dhe më 10/07/1995 sipas kalendarit gregorian.

https://binbaz.org.sa/old/38454#ftn1

Përshtati nga arabishtja: Ardit Ulqinaku

 

Dosje:

Loading...