Dita e parë e Shevalit është festa e madhe e Fitrit.

July 13, 2016

Muaji i Shevalit.

Vijon……(pjesa e dytë).

Dita e parë e Shevalit është festa e madhe e Fitrit.

Fitr në gjuhen arabe dmth çelje dhe është për qëllim çelja e madhe e agjërimit pas mbarimit të muajit të Ramazanit.
Kjo ditë është përmendur në Kuran ku Allahu i madhëruar thotë: “Ta plotësoni kohën e agjërimit, pastaj ta madhëroni Allahun për suksesin e dhënë në mënyrë që ta falënderoni” suretu El-Bakara: 185.
Zejd bin Eslem (dijetar i kohës së tabiinëve i njohur në komentimin e kuranit i vdekur në vitin 136H) në lidhje me këtë ajet thoshte: [ta madhëroni Allahun për suksesin e dhënë] dmth: ta madhëroni Allahun ditën e Fitrit (Çeljes). E transmeton Taberiu.
Kurse i biri i Zejdit që quhet Abdurrahman bin Zejd bin Eslem (edhe ky dijetar i njohur në fushën e tefsirit i vdekur në vitin 182H) shoshte: “Ibn Abasi -radiallahu anhu- thoshte: është detyrë për çdo mysliman që kur sheh hënën e re të Shevalit ta madhërojë Allahun derisa të mbarojë festa e tyre sepse Allahu i madhëruar thotë: [Ta plotësoni kohën e agjërimit, pastaj ta madhëroni Allahun për suksesin e dhënë në mënyrë që ta falënderoni]” e transmeton Taberiu.
Këto thënie të përmendura tregojnë për adetin e njerëzve të asaj kohe sepse banorët e Mekës bënin tekbire që natën e Bajramit kurse banorët e Medinës bënin tekbir vetëm ditën e Bajramit.
Gjithashtu ka edhe një realitet tjetër të asaj kohe që ia vlen të përmendet në këtë vend në lidhje me tekbiret e festes. Ebu Abdurrahman Es-Sulemij (dijetar prej tabiinëve të mëdhenj të Kufes i vdekur në vitin 70H) thoshte: “Tekbiri në festen e fitrit ka qenë më i fortë se në festen e kurbanit” E transmeton Hakimi, Darakutni dhe e saktëson sheikh Albani.

Një praktikë tjetër e veçantë e ditës së çeljes.

Një praktikë tjetër e veçantë e kësaj dite është ngrënia para namazit për të dalluar fitrin (çeljen) nga agjërimi siç ka ardhur nga Enesi -radiallahu anhu-: “Profeti -alejhi selam- nuk dilte ditën e Fitrit pa ngrënë disa hurma dhe ai i hante ato tek” e transmeton Buhariu. Dhe në lidhje me urtësinë e kësaj praktike janë dhënë dy mendime:
I pari: Është e pëlqyeshme çelja para namazit që të mos mendojë njeri se duhet të vazhdojë agjërimi deri në faljen e Bajramit.
I dyti: Është e pëlqyeshme çelja para namazit për të përshpejtuar zbatimin e urdhrit të Allahut për çelje duke qenë se çelja e asaj dite është shumë e afërt me agjërimin.

Dr Abdullah Nabolli

Loading...