“Do të vdisni ashtu siç flini, dhe do të ringjalleni ashtu siç zgjoheni”

September 3, 2024

“Do të vdisni ashtu siç flini, dhe do të ringjalleni ashtu siç zgjoheni”

Kur i erdhi urdhri për të ftuar fisin e tij në Islam, i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – i ftoi në shtëpinë e tij rreth 40-45 njerëz nga fisi i tij, u dha për të ngrënë e për të pirë, pastaj u ngrit dhe u mbajti këtë fjalë:
“Falënderimi i takon Allahut, Atë e lavdëroj dhe i kërkoj ndihmë. E besoj Atë dhe tek Ai mbështetem, dhe dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush tjetër veç Allahut i Cili është i vetëm pa ortak. Pastaj u tha – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -: I dërguari i popullit të tij, atë që e nisin për të kërkuar ujin dhe lëndinat, nuk i gënjen njerëzit e tij (për vendodhjen e tyre). Pasha Allahun sikur t’i gënjeja të gjithë njerëzit nuk do tju gënjeja ju, dhe sikur t’i mashtroja të gjithë njerëzit juve s’kisha për tju mashtruar kurrë. Pasha Allahun, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë, unë jam i Dërguari i Allahut tek ju në veçanti, dhe tek të gjithë njerëzit.
Pasha Allahun patjetër do të vdisni ashtu siç flini, dhe patjetër do të ringjalleni ashtu siç zgjoheni, dhe do të merreni në llogari për atë që bëni. Dhe patjetër do të shpërbleheni për të mirën me të mirë, dhe për të keqen me të keqe. Dhe ai është Xhennet përjetësisht, ose Zjarr përjetësisht!
Pasha Allahun o bijtë e Abdulmuttalibit, unë nuk di që ndonjë djalosh në mesin e arabëve t’i ketë ardhur popullit të tij me diçka më të mirë se ajo me të cilën ju kam ardhur. Unë ju kam ardhur me mirësinë e kësaj bote dhe të botës tjetër. Dhe Allahu i Lartësuar më ka urdhëruar që tju thërras për tek ajo (mirësi, Islami), prandaj kush prej jush po ma jep besën që të jetë vëllai im dhe shoku im?”

(E përcjell Ahmedi me zinxhir të saktë (1371, 1220).

*Duke jetuar më së shumti në shkretërirë, ata ishin gjithmonë në kërkim të lëndinave dhe të ujit, për këtë arsye dërgonin dikë përpara që t’i gjente këto, pastaj sipas fjalës së tij zhvendoseshin, dhe i zinin besë. Pra i Dërguari i Allahut shfrytëzoi besimin që kishte fituar në mesin e tyre përpara profetësisë, kurrë s’i kishte gënjyer, nuk e kishte atë ves të ulët, që t’i besonin edhe kësaj here për këtë ftesë që po u bënte. Dhe u thotë se juve s’do tju kisha gënjyer kurrë, sepse ua dua të mirën, dhe sepse edhe sikur të doja nuk ju gënjeja dot juve, sepse gënjeshtarin e njeh shumë mirë populli i vet, mund të mashtrojë të tjerët por jo popullin ku është rritur, sepse ata e njohin që në vegjëli. Ashtu siç e njohën Muhamedin, profetin tonë, sal lall llahu alejhi ue sel lem, që nga vegjëlia për virtyte të larta, për nder dhe vërtetësi në të folur, paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të. Dhe i nxiti që të ishin të parët që të përfitonin nga kjo e mirë e madhe me të cilën u kishte ardhur, që është Islami, i cili përfshin mirësitë e kësaj bote dhe të botës tjetër, rehati shpirtërore, jetë e bukur dhe lumturi në këtë botë dhe në botën tjetër.

Emin Bilali

Dosje: ,

Loading...