Dobia e këndimit të ajetit Kursij tetë herë në ditë

August 24, 2014

Përse është ligjëruar këndimi i ajetit Kursij tetë herë çdo ditë?

Kanë ardhur hadithe të ndryshme të sakta të cilat tregojnë se ajeti Kursij preferohet të lexohet tetë herë çdo ditë në jetën e muslimanit, e ato raste janë: një herë në dhikrin e agimit, një herë në dhikrin e mbrëmjes, një herë para gjumit, dhe një herë pas çdo namazi farz.[1]

Përveç asaj se ky ajet është mbrojtje nga shejtanët dhe këndimi i tij pas namazeve farz të fut në Xhenet, ajo që duhet kuptuar është mençuria e shpërblimeve të tilla madhështore për këndimin vetëm të një ajeti. Kjo sepse teuhidi i shkatërron shejtanët dhe kurthet e tyre, dhe se çelësi i Xhenetit është fjala ‘La ilahe il-lAllah’ (Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut). Pra, njësimi i Allahut i cili shfaqet nga fillimi në fund te ky ajet madhështor. Dr. Abdurrazak el Bedr në libërthin që i ka kushtuar ajetit Kursij (“Argumentet e teuhidit në ajetin Kursij”) thotë:

“Ajo që kërkohet nuk është leximi i pavëmendshëm i ajetit Kursij, pa menduar në domethënien e tij dhe pa medituar në argumentet e tij. Kur Allahu thotë për Kuranin në tërësi: “A nuk e meditojnë ata Kuranin?” | En Nisa: 82, si mund të jetë çështja për ajetin më madhështor në mënyrë absolute në Kuran?! Në qoftë se njeriu nuk thellohet në domethënien e këtij ajeti, ndikimi dhe dobia e tij do të jenë të vogla.
Pak më lart kaloi para syve tanë fjala e shejhul islamit: ‘Nëse e lexon atë me sinqeritet’, e cila u përsërit në fjalët e tij (për tu theksuar) dhe për të tërhequr vërejtjen se; thjesht e vetëm leximi i saj nuk e arrin qëllimin dhe nuk e realizon atë që kërkohet.
Sa dallim të madh ka mes atij që e lexon atë pa vëmendjen e zemrës, dhe mes atij që e lexon duke medituar në kuptimet e saj madhështore dhe duke menduar rreth atyre që ai bën fjalë prej kuptimeve të begata prej teuhidit dhe madhështisë së Allahut. Kështu zemra e tij mbushet me njësimin e Allahut dhe me besim, dhe e ndien madhështinë (e Zotit të botëve).

Në përsëritjen e këtij ajeti me meditim ka një dobi të madhe e të rëndësishme ndaj së cilës janë treguar të pavëmendshëm shumë prej njerëzve, dhe ajo është t’i rikujtohet zemrës rëndësia e teuhidit dhe bazat e tij, dhe që themelet e tij të rrënjosen thellë në zemër dhe të zgjerohet hapësira e tij në të (ai të zërë vend të madh në zemër).
Për të kundërshtuar ata që e zvogëlojnë çështjen e teuhidit dhe mësimin e tij dhe që pretendojnë se njeriut i mjaftuakan disa minuta për ta mësuar atë, pa pasur nevojë ta përsërisë dhe ta mësojë (e tua japë mësim njerëzve) atë vazhdimisht.”

Për këtë arsye (Allahu e di më mirë) ka ardhur në sunetin profetik udhëzimi për këndimin e sures El Ihlas dhe El Kafirun në sunetet e sabahut dhe në ato të akshamit. Dhe në rekatin e fundit të vitrit jemi udhëzuar prej Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem të këndojmë suren El Ikhlas dhe në atë para tij (rekatin e parafundit) suren El Kafirun, në mënyrë që muslimani ta nisë ditën e tij me njësim të Allahut dhe po me atë ta mbyll. Këto dy sure për atë që mediton janë veçuar për teuhidin dhe largimin prej shirkut dhe prej ithtarëve të tij. Në thelb ky është dhe përkufizimi i Islamit: “Nënshtrim ndaj Allahut me njësim (teuhid) duke zbatuar urdhrat e Tij, dhe largim nga shirku dhe ithtarët e tij.”

Ajo që kërkohet prej nesh është meditimi i atyre që lexojmë prej ajeteve dhe sureve të lartpërmendura, dhe rifreskimi i teuhidit në zemrat tona herë pas here. Thirrës i mençur është ai që synim të tijin kryesor ka largimin e njerëzve nga shirku në mënyrë të vazhdushme, pa u lodhur e pa u bezdisur, dhe sqarimin e teuhidit dhe të të kundërtave të tij.

Allahu na dhëntë sukses!

—————————————————————————–

  1. Kush e lexon ajetin Kursij pas çdo namazi farz, nuk e pengon atë të hyjë në Xhenet asgjë përveç vdekjes.” Transmeton Nesaiu dhe Ibnu Sunnij, dhe e ka saktësuar Albani në “Sahihul xhami” 5/339 dhe në “Es-Sahihah” 2/697, hadithi me nr. 972.
  2. Hadithi i Ebu Hurejres që kapi një shejtan duke vjedhur ushqimin e sadakasë së fitrit, i cili pastaj i tregoi se nëse do të këndonte ajetin Kursij para se të flinte gjumë, do të qëndronte me të një mbrojtës nga Allahu deri në agim dhe nuk do t’i afrohej asnjë shejtan. Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e pohoi fjalën e tij më pas. E ka konsideruar të saktë shejh Albani në librin “Sahihul xhami” me nr. 6464.
  3. Transmeton Ubej Bin Kab se ai njëherë i kishte ven­do­sur disa hurma në një enë, por hurmat pakëso­he­shin. Një natë vendosi t’i ruante ato, dhe kur pa një krijesë që i ngjante një djaloshi i cili sapo kishte arritur moshën e pjekurisë. E përshëndeti atë me selam dhe ai ja ktheu. Pastaj e pyeti: Çka je ti, xhin apo njeri? Tha: Xhin. Ubeji i tha: “Ma zgjat dorën.” Ai ja zgjati dhe dora e tij ishte si putra e qenit, dhe qimet e tij ishin si qime qeni. Atëherë xhi­ni i tha se ata ishin të krijuar në këtë formë. Pastaj i tha: “Xhinët e dinë se as­kush nga ata nuk është më i fortë se unë”. Ubeji i tha: “Përse ke ardhur?” Tha: “Më ka ardhur fjala se ti e do sadakanë (lëmoshën) e kështu erdha të marr diçka nga ushqimi yt”. Ubeji e pyeti: “Çfarë na shpëton neve prej jush?”Ai iu përgjigj: Ky ajet që është në suren El Bekara: “Allahu! Nuk ka zot tjetër (që me­riton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Për­jet­shmit, Mbajtësit të gjithçkaje…” | El Bekare: 255. Kush e lexon atë në mbrëmje është i mbrojtur prej nesh deri në agim, dhe kush e lexon në agim është i mbrojtur prej nesh deri në mbrëm­je.” Kur Ubeji u gdhi (kur zbardhi dita) erdhi tek i Dërguari i Alla­hut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe i tregoi ç’i kishte ndodhur. Atë­herë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Të vërtetën e ka thënë i keqi (i ndyti).”Transmeton Nesaiu dhe Taberani, dhe shejh Albani e ka konsideruar të saktë në “Sahihu et tergib” 418/1.

Dosje:

Loading...