Dobitë dhe mësimet e përfituara nga historia e Musait (alejhi selam)! Pjesa e tretë

23-Ajeti Kuranor, ku njëra nga vajzat i drejtohet babait duke i thënë: O babai im, – tha njëra nga ato të dyja – merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim”. [Kasas 26].

Me anë të këtyre dy cilësive (tipareve) plotësohen dhe realizohen të gjitha punët. Cilido që merr drejtimin e një zone, apo shërbime të ndryshme, zanat,  apo gjëra që synojnë ruajtjen dhe mbikqyrjen ndaj punëtorisë, nëse ai i plotëson këto dy cilësi: 1- Pra të jetë i fortë për ta kryer atë punë sipas rastit dhe llojit të punës dhe 2- Të jetë i besueshëm në kryerjen e saj, në këtë rast realizohet puna dhe arrihet qëllimi dhe frytet, ndërsa mangësitë dhe problemet, ndodhin atëherë kur neglizhohet në njërën apo të dyja këto tipare!

24-Prej moralit të lartë është edhe përmirësimi i sjelljes me të gjithë ata që i lidh puna me ty, qofshin shërbëtorë, fqinj, grua, fëmijë, punëtorë etj. Këtu, përfshihet lehtësimi i punës ndaj tyre, kjo bazuar në fjalën e plakut nga Medjeni që i tha Musait: Unë nuk dëshiroj të t’i rëndoj gjërat. Ti do të shohësh, në dashtë Allahu, se jam një njeri i mirë.” [Kasas 27].

Nga ky ajet mësojmë gjithashtu se nuk ka problem nëse punëdhënësi gjatë punës së tij, këmbimeve apo pagesës, që ta cilësojë veten e tij me sjellie të mirë, me kusht që ai të jetë i vërtetë në atë që thotë.

25-Lejimi i veprimeve, transaksioneve, qerasë etj pa patur nevojë për dëshmitarë, kjo bazuar në ajetin Kuranor: Allahu është Dëshmues për atë që folëm.” [Kasas 28].

 Pak më parë e përmendëm se përmes dëshmisë, ruhen detyrimet, pakësohen grindjet dhe njerëzit në përmbushjen e këtyre detyrimeve janë në nivele të ndryshme.

26- Mrekullitë me të cilat Allahu e ndihmoi Musain, në transformimin e shkopit në gjarpër që lëvizte dhe rikthimi i tij në gjendjen e mëparshme! Apo rasti i dorës, të cilën e fuste në xhepin e tij dhe kur e nxirrte dilte e bardhë pa asnjë mangësi për ata që e shihnin! Apo mëshira e Allahut dhe mbrojtja që i bëri Musait dhe Harunit nga Faraoni dhe paria e tij, duke çarë detin në momentin kur Musai e qëlloi me shkopin e tij, duke hapur kështu 12 shtigje, prej ku kaluan dhe shpëtuan, ndërsa populli i faraonit u shaktërrua. Apo mrekulli të tjera që vinin radhë për cilindo që i shihte apo dëgjonte, e të cilat janë përcjellë tek ne në formën më të sigurtë, përmes librave qiellorë dhe që i kanë përcjellë brezat. Të gjitha këto, nuk i mohon veçse injoranti, mendjmadhi dhe zindiku. Të gjitha mrekullitë e Profetëve janë të këtij rangu (në vërtetësinë që kanë)!

27- Ndëshkimi më i madh i robit është atëherë kur ai bëhet udhërrëfyes dhe ftues për tek e keqja, ashtu sikurse prej mirësive më të mëdha është kur robi bëhet udhërrëfyes dhe udhëzues për tek e mira. Allahu i Lartësuar kur flet për faraonin dhe parinë e tij thotë: Ne i bëmë ata udhëheqës, që thërrisnin për në zjarr.” [Kasas 41].

Ndërsa për të dërguarit, thotë: “Ne i bëmë ata udhëheqës që udhëzonin sipas urdhrit Tonë.” [Enbija 73].

28- Në këtë histori tregohet vërtetësia e Profetësisë së Muhamedit (alejhi selam) i cili na tregoi për këtë ndodhi si dhe për ngjarje të tjera në mënyrë të detajuar! Ai i tregoi duke vërtetuar Pejgamberët e mëparshëm dhe duke përkrahur të drejtën e qartë. Paçka se nuk ishte prezent në ato vende, nuk ka mësuar në asnjë vend për të njohur të gjitha ato detaje, as nuk është ulur me njerëz të ditur! Jo, ajo ishte shpallje nga Mëshiruesi Mëshirëploti,  ishte Profetësi që zbriti prej Fisnikut, Dhuruesit të mirësive, për të tërhequr vërejtjen e të gjitha krijesave.

Për këtë arsye, në fund të historisë, Allahu i Lartësuar thotë: Ti nuk ke qenë as pranë Turit, kur Ne thirrëm Musain. [Kasas 46].

“Ti (o Muhamed) nuk ke qenë i pranishëm në anën perëndimore (të Turit), kur Ne ia besuam Musait Misionin (Profecinë) dhe as nuk ke qenë dëshmitar i kësaj ngjarjeje.” [Kasas 44].

“Ti nuk ke banuar midis banorëve të Medjenit, që t’iu lexoje shpalljet Tona, por Ne gjithnjë kemi çuar të dërguar. [Kasas 45].

Kjo është njëra nga format me të cilat pohohet (vërtetohet) Profetësia e Muhamedit (alejhi selam).

29- Shumë dijetarë kanë përmendur se nga përgjigja që Musai i dha Zotit të tij, kur e pyeti për shkopin: Ç’është ajo që mban në dorën e djathtë o Musa?” Ai u përgjigj: “Ky është shkopi im, me të cilin mbahem dhe shkund gjethe për dhentë e mia; më shërben edhe për punë të tjera.” [Ta ha 17-18].

Kanë thënë: Nga ky ajet përfitohet pëlqimi i mbajtjes së shkopit për shkak të këtyre dobive ndihmëse që gjenden në të, sepse Musia tha: “Më shërben edhe për punë të tjera.”

Gjithashtu përfitohet dhe mëshira ndaj kafshëve dhe mirësia ndaj tyre, duke larguar çdo gjë që i dëmton.

“Kisasul Enbija” (Historitë e Pejgamberëve) nga Abdurrahman bin Nasir es Seadi (Allahu e mëshiroftë).
Përktheu: Fatjon Isufi