El akide et Tahauije – mësimi i gjashtë

March 8, 2021

El-Akide Et-Tahauije – Mësimi i gjashtë: Besimi në Allahun

 

Autori Ebu Xhafer Et-Tahauij -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë temë në përmbledhjen e tij të besimit, thotë:

***

Themi në lidhje me njësimin e Allahut, të kapur fort pas tij dhe suksesin e Allahut duke shpresuar:

1 – Allahu është Një, pa ortak.

2 – Nuk ka gjë të njëjtë me Të.

3 – Nuk ka gjë të pamundur për Të.

4 – Nuk ka të adhuruar tjetër veç Tij.

5 – I Hershëm pa fillim. I Vazhdueshëm pa mbarim.

6 – As zhduket, as shuhet

7 – dhe ndodh veçse çfarë Ai do.

8 – Nuk arrin tek Ai imagjinata dhe logjika.

9 – Nuk i ngjan krijesave.

10 – I gjallë që nuk vdes. Kujdestar që nuk fle.

11 – Krijues pa nevojë. Furnizues pa sforcim.

12 – Sjell vdekjen pa frikë nga askush, dhe ringjall pa vështirësi.

13 – Cilësitë e Tij janë të hershme para krijimit. Nuk ka shtuar pas krijimit ndonjë cilësi që s’ka qenë para tij. Siç ka qenë me cilësitë e Tij pa fillim, vazhdon me to pa mbarim.

14 – Nuk e ka fituar emrin “Krijues” pas krijimit dhe as “Përmbarues” pas përmbarimit të krijesave.

15 – Ka cilësinë e zotërimit dhe nuk është i zotëruar. Ka cilësinë e krijimit dhe nuk është i krijuar.

16 – Siç është Ringjallës i të vdekurve pas ringjalljes dhe e ka merituar këtë emër para se ti ringjallte ata, ashtu e ka merituar emrin Krijues para krijimit të tyre.

17 – Kjo sepse Ai për çdo gjë ka fuqi. Çdokush për Të është nevojtar. Çdo punë për Të është e lehtë. Nuk ka nevojë për asgjë. “Asgjë s’është si Ai. Ai është Dëgjuesi dhe Shikuesi.” Suretu Esh-Shura: 11.

18 – I krijoi krijesat me dijen e Tij.

19 – U caktoi atyre caktime.

20 – U vendosi atyre afate.

21 – Asgjë nuk qe e panjohur për Të para krijimit të tyre dhe para se t’i krijonte e ka ditur mirë se çfarë kanë për të vepruar.

22 – I ka urdhëruar ata për bindje ndaj Tij dhe i ka ndaluar nga kundërshtimi.

23 – Çdo gjë rrjedh sipas caktimit dhe dëshirës së Tij. Nuk dëshirojnë robtë veç asaj çfarë Ai për ta ka dëshiruar. Çfarë Ai ka dëshiruar do të jetë dhe çfarë Ai nuk ka dëshiruar nuk ka për të qenë.

24 – Udhëzon, ruan dhe mbron kë të dojë nga dashamirësia. E humb, braktis dhe sprovon kë të dojë me drejtësi.

25 – Të gjithë vërtiten brenda dëshirës së Tij mes dashamirësisë dhe drejtësisë.

26 – Është shumë i Lartë që të ketë rivalë dhe ortakë.

27 – Nuk e kthen gjë caktimin e Tij. Nuk e ndryshon gjë vendimin e Tij. Nuk del kush mbi urdhrin e Tij.

28 – Këto të gjitha i besojmë dhe jemi të bindur se të gjitha vijnë nga Ai.

***

Kjo është pjesa e parë e përmbledhjes së besimit të Imam Et-Tahauit -Allahu e mëshiroftë-. Ai në këtë pjesë sjell besimin islam rreth Allahut, Zotit të botëve, besim i cili është baza e të gjitha bindjeve të tjera islame.

Profeti -alejhi selam- thotë: “Besimi është të besosh në: Allahun, melaiket e Tij, librat e Tij, profetët e Tij, Ditën e Fundit dhe në caktimin e Tij, hajër qoftë apo sherr.” E transmeton Muslimi.

Në këtë hadith shihet qartë se profeti -alejhi selam- e konsideron besimin në Allahun bazën e besimit kur thotë: Besimi është të besosh në Allahun. Pastaj bindjet e tjera i konsideron të varura prej Tij kur ia referon Allahut të Madhëruar duke thënë: melaiket e Tij, librat e Tij, profetët e Tij, Ditën e Fundit dhe në caktimin e Tij, hajër qoftë, apo sherr.

Autori në këtë tematikë nuk është ndalur te ekzistenca e Zotit dhe menjëherë ka filluar të citojë cilësitë e Tij. Hyrja në këtë mënyrë mund të jetë për disa arsye:

E para: Ai u drejtohet një shoqërie e cila beson se bota ka një zot dhe ajo që duhet pas këtij realiteti është si t’a besojnë Zotin e tyre, duke u përmendur cilësitë e Tij.

E dyta: Mohimi i ekzistencës së Zotit nuk ka qenë problem i kohës së tij, madje as i pjesës më të madhe të njerëzimit para apo pas tij.

Shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë çështje thotë: “Mohimi i Krijuesit nuk ka qenë asnjëherë bindje dominuese te ndonjë popull. Bindja e jobesimtarëve që kanë jetuar jashtë mësimeve profetike ka qenë shirku (ortakëria). Krijuesin e kanë mohuar vetëm pak njerëz dhe ata janë dijetarët e tyre, filozofët politeistë sabianë të cilët madhërojnë format, yjet dhe statujat.” Shih Mexhmua El-Fetaua: 7/630.

Dhe thotë gjithashtu: “Në përgjithësi besimi në Allahun është pohuar nga shumica dërmuese e popujve me përjashtim të disa pakicave të devijuara mes grupimeve të ndryshme ideologjike prej filozofëve natyralistë ismailitë, dhe kush ka shfaqur me hipokrizi ndjekjen e bindjeve të ndryshme fetare. Kundërshtimet e pasuesve të feve të ndryshme kanë  qenë kryesisht në lidhje me emrat e Allahut, cilësitë, veprimet, gjykimet dhe adhurimet që i kushtohen Atij.” Shih Mexhmu el-Fetaua: 7/638.

Pra, ndjekja nga afër e historisë së popujve përgjatë epokave të ndryshme të saj tregon se problemet kanë qenë rreth mënyrës së besimit në Zot dhe jo te ekzistenca e Zotit. Prandaj dhe imam Et-Tahaui -Allahu e mëshiroftë- trajton në librin e tij pikërisht këtë mënyrë për të mos u ndalur te çështjet të cilat kundërshtimi rreth tyre është i rrallë dhe dihet se janë devijim i qartë.

E treta: Besimi në ekzistencën e Zotit është instinkt i çdo njeriu apo prirje e natyrshme e çdo kujt, kështu që nuk është shumë e nevojshme për njeriun të qëndrojë te ky realitet.

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

فَأَقِمْ وَجْهَكَ لِلدِّينِ حَنِيفًا فِطْرَتَ اللَّهِ الَّتِي فَطَرَ النَّاسَ عَلَيْهَا لَا تَبْدِيلَ لِخَلْقِ اللَّهِ ذَلِكَ الدِّينُ الْقَيِّمُ وَلَكِنَّ أَكْثَرَ النَّاسِ لَا يَعْلَمُونَ

Përqëndroje fytyrën tënde nga feja e drejtë me mënjanim drejt saj, natyra në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut.” Suretu Er-Rum: 30.

Në këtë ajet Allahu i Madhëruar i drejtohet profetit të Tij duke i treguar se feja e drejtë e cila përmban besimin në një Zot dhe nënshtrim ndaj Tij pa i shoqëruar askënd, është natyra e krijimit.

Kjo natyrë e krijimit nuk ndryshon -siç thuhet në vazhdim të ajetit-, mirëpo mund të pësojë deformime dhe për këtë Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Çdo kush që lind, lind në natyrën e pastër të krijimit (të besimit të pastër në zot dhe pa idhujtari), por prindërit e tij e hebraizojnë, apo e kristianizojnë, apo e kthejnë mexhus. Ashtu si lind kafsha kafshën e rregullt, a shihni te ajo ndonjë vesh të prerë?” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Kjo fjalë profetike përmban disa dobi:

1 – Mbarë njerëzia pa asnjë dallim mes tyre, vjen në këtë botë dhe mban me vete natyrën e pastër të besimit, dhe ky është kuptimi fjalës së Allahut të Madhëruar: [S’ka ndryshim të krijimit të Allahut], sepse ajo është e njëjtë për të gjithë.

2 – Deformimet e natyrës së krijimit shfaqen pas lindjes, sepse hadithi i rendit ato pas saj.

3 – Shkaku i deformimit të natyrës së pastër njerëzore është mjedisi ku njerëzit jetojnë dhe bindjet që ata fitojnë prej tij, sepse hadithi thekson tre mjedise të ndryshme jetese dhe banimi; hebrenjtë, kristianët dhe mexhusët, ku secili prej tyre ka bindjet e veta të ndryshme nga tjetri.

4 – Deformimet më së shumti nuk janë në konceptin e ekzistencës së Zotit por në detajet e këtij besimi, sepse të gjithë shembujt që merr Profeti -alejhi selam- në këtë hadith përmbajnë në thelb ekzistencën e Zotit.

5 – Devijimet e popujve dallojnë nga një popull te tjetri në varësi të mjedisit ku jetojnë, p.sh.: Problemet e hebrejve janë më shumë me nënshtrimin ndaj Zotit. Problemet e kristianëve janë kryesisht me natyrën e Zotit. Ndërsa problemet e mexhusëve janë te orientimi i gabuar dhe jo te thelbi i ekzistencës së Zotit, sepse ata besojnë se bota ka dy zota: Drita dhe Errësira. Por në të vërtetë Zoti është krijuesi e këtyre të dyjave.

6 – Rregullsia e anës së brendshme të robit që është besimi i tij, në origjinë është si rregullsia e anës së jashtme apo fizike pa asnjë dallim mes tyre. Profeti -alejhi selam- e ilustron rregullsinë e besimit me një shembull konkret të marrë nga rregullsia fizike e kafshëve, dhe se ato nuk lindin me veshë të prerë por me krijim të rregullt.

7 – Deformimet fizike nuk e tjetërsojnë krejtësisht kafshën pas lindjes, kështu edhe deformimet e anës së brendshme të njeriut në përgjithësi nuk arrijnë deri aty sa t’ia ndryshojnë njeriut besimin në ekzistencën e Zotit të tij.

Pra, me gjithë deformimet që mund t’i ndodhin natyrës së krijimit pjesa më e ruajtur mbetet ajo e besimit në Zot. Kjo mund të jetë një tjetër arsye që mund t’a këtë shtyrë Imam Et-Tahauin -Allahu e mëshiroftë- t’a fillojë siç u tha më lart; me mënyrën e besimit në Zot dhe jo me ekzistencën e Tij. Allahu e di më së miri!

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli

Dosje:

Loading...