Emocionet duhet të jenë të lidhura me kriteret e dijes fetare

April 7, 2023

Së pari themi se njohësit e psikologjisë i përkufizojnë emocionet si parapërgatitje psikologjike, që e shtyjnë njeriun të ndiejë disa reagime të veçanta dhe të ndërmarë një sjellje të veçantë karshi një ideje apo sendi.[1]

Pas kësaj themi se emocionet në të cilat kalon njeriu ndryshojnë me ndryshimin e gjendjeve. Ka raste kur emocioni e shtyn njeriun të qajë, ndonjëherë e tërheq të ndiej dhembshuri. Me fjalë të tjera; Kur ai lë diçka që ndjek e që është e vërtetë për shkak të emocionit i cili e mund.

Ka raste kur ai mllefoset dhe merr flakë ndaj dikujt që as nuk e ka parë e as e ka dëgjuar, por që i ka shkuar në vesh ndonjë fjalë, paçka se është i pafajshëm siç ishte i pafajshëm ujku prej gjakut të Jusufit të birit të Jakubit, alejhima selam.

Ajo që e përmbledh këtë që thamë është se; ka prej emocioneve që janë të lavdëruara dhe ka të tjera që janë të nënçmuara. Të gjitha emocionet që i parasheh legjislacioni dhe i justifikon ai emocion është i lavdëruar, si p.sh.: Të zemërohesh për Allahun kur shkelen kufijtë e Tij. Ose kur dikë e mundin lotët kur i vdes dikush dhe këtë nuk e shoqëron me vajtime dhe grisje rrobash.

Ndërsa emocionet e pakontrolluara në të cilat njeriu nuk mundet të bëjë dallimin e së vërtetës nga e kota por i del zot asaj që përputhet me dëshirën dhe epshin e vet, kjo është fatkeqësia e madhe sepse në këtë rast ai prish më shumë sesa ndreq, gjithmonë nëse mendohet se mund të ndreqë diçka!

Për këtë arsye sheh disa njerëz që mbushen me hidhërim dhe u fryhen damarët nga zemërimi, dhe shkaku i kësaj është se ai vepron sipas emocionit të vet duke e bërë atë gjykatës të çështjeve të tij.

Ka raste kur emocioni e mund njeriun siç e përmendëm më lart por ai duhet të nxitojë të kthehet në momentin kur i tregohet e vërteta, sepse kthimi tek e vërteta është më parësor se vazhdimi në të kotën.

Do tregoj një shembull që ka ndodhur në kohën e sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta, dhe pikërisht menjëherë pas vdekjes së Profetit, alejhi selam. Është momenti kur Umeri qëndronte në këmbë duke u folur njerëzve dhe duke e kërcënuar cilindo që thoshte se i dërguari i Allahut ka vdekur (për shkak të sprovës së madhe që kishte ndodhur dhe i kishte përfshirë të gjithë muslimanët). Në atë moment doli Ebu Bekri, ndërkohë Umeri po u flsite njerëzve. Ai i tha: Ulu o Umer! – por ai nuk pranoi të ulej. Njerëzit u drejtuan nga Ebu Bekri dhe e lanë Umerin. Ai u tha: Cilido nga ju që e adhuronte Muhamedin, le ta dijë se Muhamedi ka vdekur. Por kush e adhuron Allahun, le ta dijë se Allahu është i Gjallë dhe nuk vdes kurrë. Allahu i Lartësuar thotë: Muhamedi është vetëm i dërguar para të cilit ka pasur edhe të dërguar të tjerë. Nëse ai vdes ose vritet a mos do të ktheheni mbrapa? Kushdo që kthehet mbrapa nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut. Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit.” | Al Imran: 144 |

Ibën Abasi thotë: Vallahi, dukej sikur njerëzit nuk e dinin që Allahu ta kishte zbritur këtë ajet deri në momentin kur e lexoi Ebu Bekri, dhe njerëzit e morën prej tij. Cilindo që dëgjoja prej njerëzve e dëgjoja duke lexuar këtë ajet.

Ndërsa Umeri thotë: Vallahi, që nga momenti kur dëgjova Ebu Bekrin duke lexuar ajetin rashë në gjunjë dhe këmbët nuk më mbanin më, derisa u shtriva në tokë. Kur e dëgjova duke e lexuar kuptova se i dërguari i Allahut kishte ndërruar jetë.[2]

Ibën Haxher el Askalani thotë: Nga kjo ngjarje mësojmë forcën e Ebu Bekrit dhe dijen e tij të madhe.[3]

Prandaj shiko – Allahu të ruajtë dhe qofsh i udhëzuar – tek kjo ngjarje e vështirë, të cilën e cilëson Urueh bin Zubejri me fjalët: Ditën kur ndërroi jetë i dërguari i Allahut, muslimanët u bënë si delet që kishin mbetur jashtë në një natë me shi dhe nuk kishin çoban.

Pastaj shikoni Umerin me personalitetin dhe imanin e tij të fortë, sesi nuk mundi ta mbante veten nga kjo sprovë e madhe e asaj dite që kosiderohej shumë e rrezikshme.

Pastaj shiko qëndrueshmërinë e Ebu Bekrit dhe forcën e vendosmërisë së tij, sesi triumfoi ndaj kësaj vështirësie dhe u mundësoi muslimanëve të kthjelloheshin me anë të fjalëve të prera dhe të qarta.

Në fund ju e patë sesi nxitoi Umeri për tu kthyer, duke e lënë pas emocionin në momentin kur i erdhi teksti i qartë dhe i prerë fetar.

Ku e ku janë disa njerëz që pranojnë t’i gjykojnë emocionet duke rënë në orientimin e tyre, dhe nuk pranojnë asgjë tjetër veçse kur ai u shkon përshtat dhe përkrah vrullin dhe ndjenjat. Kushedi sa vepra të mira i kanë prishur dhe sa të prishurve ua kanë shtuar prishjen.

Shtoi kësaj edhe faktin se çfarë ndodh me personalitetin e tij, çorientimin në zgjidhjen e problemeve, humbje e urtësisë dhe largpamësisë, si dhe kritikat që merr prej të tjerëve.

I lutem Allahut t’i bëjë të suksesshëm thirrësat e mirësisë dhe t’iu japë përpjekjeve të tyre sukses dhe arritje!

Marrë nga libri: “Shenja në rrugën e përmirësimit”.

Autor: Abdul Aziz Sed’han

 Përktheu: Fatjon Isufi

————————————-

[1] Fjalori “El Muxhem el uesijt” 2/608.

[2] E përcjell Buhariu me nr. 4454.

[3] “Fet’hul Bari” 8/146.

Loading...