Feja është e lehtë dhe rreziku i teprimit në të!

November 1, 2015

Falenderimi i takon Allahut! Paqja dhe lavdërimi i Tij qofshin mbi Profetin tonë të dashur.

Thotë Profeti – paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të: “Bëni prej punëve sa të keni mundësi” Bukhari (1970) Muslimi (785)
Dhe thotë: “Feja është lehtësim, dhe nuk do të tregohet dikush i ashpër në fe veçse ajo do ta mundë atë. Prandaj përpiquni t’ia qëlloni të vërtetës, ose përpiquni t’i afroheni asaj sa të mundeni, dhe përgëzohuni, dhe ndihmohuni me mëngjesin herët, me fundin e ditës dhe me një pjesë të natës.” (Bukhari)

Dhe në një transmetim: “Jini të mesëm, jini të mesëm që të arrini”

Në këtë kuptim kanë thënë: “Kalorësi që ecën me revan pa pushuar, edhe kafshën e lodh dhe nuk ka për të shkuar larg”
E krahasoi muslimanin dhe adhurimin e tij me udhëtarin që udhëton për në cakun e vet. Nëse ecën dhe i jep kohë vetes dhe kafshës së tij që të rehatohet, dhe shfrytëzon kohët e përshtatshme për udhëtim, do të vazhdojë udhëtimin deri në fund dhe do të arrijë atje për ku është nisur.

Kështu duhet të jetë edhe besimtari, ai duhet t’i marrë punët e fesë, pak nga pak, përpiqet të shfrytëzojë kohët më të përshtatshme për adhurim – ato që u përmendën në hadith -, kur trupi dhe zemra janë më aktive – por pa lënë mangët e pa u treguar liberal. Dalëngadalë, me përshkallëzim, duke qenë i vazhdueshëm në vepra, dhe duke u ngritur, në atë mënyrë që ditët e tij më të mira të jenë ato të fundit.

Dhe kur u pyet se cila është puna më e dashur tek Allahu Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – tha: “Ajo që është e vazhdueshme qoftë edhe pak” (Muslimi: 782)

Thotë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Janë shkatërruar ekstremistët, janë shkatërruar ekstremistët, janë shkatërruar ekstremistët” Transmeton Muslimi (2670)

Ka thënë imam Neueui: “Ata që thellohen shumë dhe që janë të ashpër atje ku nuk duhet”
Shejkh Uthejmini ka thënë: “Janë ata që janë të ashpër në çështjet e fesë së tyre dhe në çështjet e jetës” Dhe thotë diku tjetër: “Është detyrë të jesh i mesëm në adhurimin tënd”
“Prandaj duhet që besimtari të jetë i mesëm në të gjitha punët e tij”

Ata të tre që mësuan adhurimin e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe bënë deklarata emocionale duke thënë: Unë do të agjëroj gjithë kohën, Unë do të falem dhe s’do të fle, Unë nuk do të martohem. Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – i qortoi ata, i solli te racionalja, dhe u sqaroi atyre se ç’është mesatarja duke u thënë: “Unë i frikësohem Allahut më shumë se ju dhe jam më i devotshmi prej jush ndaj Tij, por unë agjëroj dhe ha, falem dhe fle, dhe martohem me gra, prandaj kush nuk e pëlqen sunetin tim nuk është prej meje”
Prandaj është sunet të jesh mesatar!

Kështu bëri edhe me Abdullah ibn Amr ibnul Aas-in i cili tha: Do të agjëroj ditën dhe do të falem natën gjithë jetën. — Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – e zbriti me këmbë në tokë duke i treguar se nuk do të vazhdonte dot gjatë ashtu, prandaj i tha: Ti nuk ke mundësi ta bësh këtë. – pastaj e porositi që të agjëronte tri ditë nga çdo muaj, i tha – Unë kam mundësi më shumë se aq – pastaj e porosit që të agjëronte një ditë dhe ta çelte një ditë. – i tha – Kam mundësi për më shumë – Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – i tha: Jo më shumë se aq! Pasi u rrit Abdullahi dhe iu vështirësua shumë agjërimi një ditë po një ditë jo tha: Ah sikur ta kisha pranuar lehtësimin e Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem. Pastaj agjëronte 15 ditë rresht dhe e çelte 15 ditë rresht. (Sherh Rijadus Salihin 1/384)

Ai që e tepron në diçka, do të lerë mangët në diçka tjetër.

Njëri prej sahabëve e kishte tepruar në namaz nate, agjërim të shumtë, dhe kështu nuk i jepte hakun as trupit të tij e as gruas së tij. Prandaj Selmani radijallahu anhu e këshilloi: Me të vërtetë trupi yt ka hak ndaj teje (që të shlodhet në gjumë) Zoti yt ka hak ndaj teje ( që ta adhurosh), dhe familja jote ka hak ndaj teje (që të kujdesesh për ndjenjat e saj). Dhe Profeti sal lall llahu alejhi ue sel lem e vërtetoi dhe e miratoi fjalën e Selmanit.

Dhe një tjetër deshi të linte testament dhe të dhuronte e dy të tretat e pasurisë së tij, por Profeti alejhis-selam e ndaloi, i kërkoi leje të jepte gjysmën, dhe ai përsëri e ndaloi, atëherë i tha: Një të tretën? – Profeti alejhis-selam ia ktheu: “Një të tretën madje edhe aq është shumë. Sepse që ti t’i lësh familjarët e tu të pasur është më mirë se t’i lësh ata të varfër dhe tu shtrijnë dorën njerëzve”

Për këtë arsye Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe ata që kur shpenzojnë nuk e teprojnë e as janë dorështrënguar por diçka e mesme mes tyre” (Furkan: 67)

Allahu i Madhëruar nuk i krijoi qiejt dhe tokën për një çast – edhe pse Ai është i Plotpushtetshëm për ta bërë atë – por për gjashtë ditë. Ti nuk je krijuar përnjëherësh por me etapa. Kjo fe nuk ka zbritur për një ditë, e as për një vit, por ka zgjatur plot 23 vjet. Nuk mund të arrish në fund të saj kaq shpejt, e as t’i bësh njerëzit musliman brenda një dite, namazli brenda një dite, të larguar nga gjynahet brenda një dite, por dalëngadalë, nise me më të rëndësishmen: Besimin, besimin, besimin, pastaj rregullat e fesë. Me butësi, durim dhe përshkallëzim.

Ka thënë Profeti saus: “Me të vërtetë feja e Allahut është e lehtë” dhe ka thënë gjithashtu: “Pasoni udhëzimin e mesëm, sepse kush përpiqet ta mundë këtë fe ajo do ta mundë atë”
(Ibn Haxheri: Të dy këta hadithe i transmeton Ahmedi me dy zinxhirë të dy
të mirë. “Fet’hul bari” vëll.1/ fq. 117.)

Allahu na dhëntë sukses!
Dhe Allahu e di më së miri!

Loading...