1-Fjala [semiallahu limen hamideh] dhe fjala [rabena ue lekel-hamd] thuhet nga të gjithë: nga imami, nga ai që falet pas imamit dhe nga ai që falet vetëm.
Një hadith ka qenë shkak i keqkuptimit se fjala [semiallahu limen hamideh] është për imamin dhe fjala [rabena ue lekel-hamd]është për atë që falet pas imamit.
Ky hadith është hadithi i Enes bin Malikut -radiallahu anhu- i cili tregon se Profeti -alejhi selam- u rrëzua një herë nga kali dhe u gërvisht në anën e tij të djathtë. Ne shkuam për ta vizatuar dhe erdhi koha e namazit dhe ai u fal me ne imam ulur dhe ne u falem pas tij ulur. Kur e mbaroi namazin tha: “Imami është bërë që të ndiqet, kur të bëjë tekbir bëni tekbir, kur të bëjë sexhde bini në sexhde, kur të ngrihet ngrihuni, kur të thotë [semiallahu limen hamideh] thoni [rabena ue lekel-hamd] dhe kur të falet ulur faluni të ulur të gjithë” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Sheikh Albani –Allahu e mëshiroftë- në librin Sifetus-Salat (Forma e Namazit) thotë: Ky hadith nuk tregon se ai që falet pas imamit nuk thotë [semiallahu limen hamideh] siç nuk tregon se imami nuk e shoqëron atë në fjalën [rabena ue lekel-hamd] sepse hadithi nuk ka ardhur për të sqaruar se çfarë thotë imami dhe ai që falet pas tij në këtë fazë të namazit, por për të sqaruar se fjala [rabena ue lekel-hamd] nga ana e atij që është pas imamit duhet të jetë pas fjalës [semiallahu limen hamideh] të imamit.
Këtë e përkrah edhe fakti se Profeti -alejhi selam- thoshte [rabena ue lekel-hamd] ndërkohë që ishte imam dhe gjithashtu edhe përgjithësimi i Profetit -alejhi selam- kur ka thënë: “Faluni siç më keni parë të falem” tregojnë se ai që falet pas imamit thotë atë që thotë imami: fjalën [semiallahu limen hamideh] dhe çdo gjë tjetër.
Në lidhje me fjalën [semiallahu limen hamideh] imam Neveviu në shpjegimin e Muslimit thotë: “Është e pëlqyeshme për imamin dhe atë që falet pas tij dhe atë që falet vetëm të thonë: [semiallahu limen hamideh] dhe [rabena ue lekel-hamd] dhe të bashkojnë mes tyre duke thënë: [semiallahu limen hamideh] kur ngrihen nga rukuja dhe [rabena ue lekel-hamd] pas ngritjes në qëndrimin drejt për shkak të fjalës së Profetit -alejhi selam-: [Faluni siç më keni parë të falem]”.
Ky sqarim i imam Neveviut është transmetuar nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- se “Profeti -alejhi selam- thoshte [semiallahu limen hamideh] kur ngrinte shpinën e tij nga rukuja pastaj thoshte kur ishte në këmbë [rabena ue lekel-hamd]” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Dr. Abdullah Nebolli
Të Ngjashme
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve
- Rregull i pandryshueshëm: Çdo gjë që përdoret për të kundërshtuar Allahun, ajo ka për tu prishur. Udha e Besimtarëve
- Si të veprosh kur të ftojnë në një gosti Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Statusi dhe vlera e fikhut në Islam Udha e Besimtarëve