Forma e namazit

Tema: Forma e namazit

Shejh Abdulmuhsin el-Abbadi (Allahu e ruajttë!): D.m.th. mënyra e kryerjes së tij me shtyllat, vaxhibet dhe mustehabet e tij. Namazi përbëhet nga fjalë dhe veprime të posaçme. Fillon me tekbir (thënien Allahu Ekber) dhe përfundon me dhënien e selamit. Sqarimi i tij ka ardhur në Sunet në fjalët dhe veprimet e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Faluni ashtu siç më keni parë mua të falem.” Hadithin e ka nxjerr Buhariu (631) nga Malik bin el-Huvejrith radijAllahu anhu.

Fjala e tij (e shejh Muhamed bin Abduluehab -Allahu e mëshiroftë!-): “Pëlqehet që personi të ngrihet për faljen e namazit në kohën kur muezini thotë: “Kad kametis-salah”. Kjo, nëse imami gjendet në xhami. Në të kundërtën, ai ngrihet kur ta shohë atë (imamin)”

Shejh Abdulmuhsin el-Abbadi (Allahu e ruajttë!): Ikameti është ligjësuar për të njoftuar njerëzit që të ngrihen për faljen e namazit. Nëse imami gjendet në xhami njerëzit ngrihen kur thirret ikameti. Por, a duhet ngritur në fillim të ikametit, apo në përfundimin e tij, apo kur muezini të thotë “kad kametis-salah”?

Në lidhje me këtë ekzistojnë tri fjalë të cilat i ka përmendur hafidh Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë!) në “El-Fet’h” (2/120). Dhe fjala më dominuese është që njerëzit ngrihen në momentin kur dëgjojnë fillimin e ikametit në mënyrë që të përgatiten për drejtimin e rreshtave për faljen e namazit.

Në “Koleksionin e haditheve autentike” të Muslimit (1369) transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se: “Thirrej ikameti që të vinte i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ndërsa njerëzit vendoseshin në rreshta para se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të shkonte në vendin e tij.”

E nëse imami nuk gjendet në xhami, atëherë njerëzit ngrihen kur të thirret ikameti dhe e shohin atë (imamin të futet) brenda në xhami. Bazuar në fjalën e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Kur të thirret ikamet për faljen e namazit, mos u ngrini derisa të më shihni mua.” Hadithin e transmeton Buhariu (637) dhe Muslimi (1365) nga Ebu Katade radijAllahu anhu. Në tekstin e Muslimit (1366): “deri sa të më shihni mua të kem dalë.”

“Sherh kitab el-adab el-meshij ila es-salah”

Përktheu: Unejs Sheme