Fragmente nga Historia Islame “Dinastia e Muwahidinëve”

February 9, 2017

Është e njohur në historinë e Marokut se qeverisja e El Murabitinëve, në themel ishte e bazuar në vlera fetare, dhe si qëllim kryesor kishte përhapjen e fesë Islame dhe kundërvënien e gjithçkaje dhe gjithkujt që armiqësonte Islamin dhe muslimanët. E tillë ishte gjëndja edhe me një tjetër qeverisjeje rivale, ajo e El Muvahidinëve, e cila kishte si qëllim përmirësimin e shoqërisë dhe luftimin e së keqes dhe plogështisë e cila qe përhapur në atë kohë, si dhe orientimin e njerëzve për tek besimi i pastër i njësimit të Zotit të Madhëruar.

Në përmbushje të synimeve të tyre, jo rrallë herë të dyja këto qeverisje kishin ndërrmarë edhe luftra me fise të ndryshme të Afrikës së Veriut, të cilat haptazi tregonin armiqësi ndaj muslimanëve dhe herë pas here i luftonin ata.

Prijësi i El Murabitinëve ishte Abdullah bin Jasin, ndërsa prijësi i El Muvahidinëve ishte El Mehdi bin Tumurt. Që të dy këta prijësa ndërruan jetë para se synimet e tyre të përmbusheshin, kështu që ata nuk mundën të ngrenë ndonjë dinasti të qëndrueshme sa i përket jetës sociale dhe politike.

Abdullah bin Jasin-in, prijësin e El Murabitinëve, e pasoi në udhëheqje Jusuf binTeshfini, ndërsa Mehdiun e pasoi Abdulmu’min bin Ali El Kumi. Të gjithë këta prijësa ishin prej fiseve Berbere (El Berabirah). Të parët, e kishin origjinën prej fisit Sinhexhe, ndërsa të dytët prej fisit Mesmudeh.

Jusuf bin Teshfini ishte ndër ata që kanë luftuar në Andaluzi, madje ai kishte bërë të mundur futjen e territoreve të Spanjës nën pushtetin e tij dhe e kishte bashkuar me Marokun. Edhe Abdulmu’mini kishte bërë të njëjtën gjë, pra të dyja këto dinasti kishin shumë ngjashmëri mes tyre, madje të dyja ato, kryeqendër të tyren në periudha të ndryshme kishin marrë qytetin e Muraksh-it[1].

Ndërkohë që pushtetin e kishin El Murabitinët, dhe dinastia e tyre kishte nisur të lulëzonte e të shkëlqente, doli në pah një lëvizje e re, e cila fillimisht u shfaq si një lëvizje me prapavijë fetare, mirëpo shumë shpejt u bë e qartë se fshehte në vetvete edhe ambicje politike. Ndoshta ndikimi i tyre nuk do të ishte aq i madh, sikur të mos tregohej një vëmendje e tepruar ndaj tyre, saqë dijetarët më të mëdhenj të kohës nisën t’u kundërvihen, e pak nga pak arritën të tërheqin gjithë vëmendja e publikut madje edhe të klasës në pushtet, e cila nisi t’i shoh si rivalë dhe për këtë arsye urdhëroi nxjerrjen e tyre jashte vendit. Duke qenë të detyruar të braktisin vendbanimet e tyre, anëtarët e pakët të kësaj lëvizjeje të re u vendosën në afërsi të fiseve të quajtur Es Sus. Atëherë kur të gjithë menduan se kjo lëvizje u shua përgjithmonë, ndodhi krejt e kundërta e asaj që pritej. Anëtarët e levizjes së re, me zgjuarsi dhe dinakëri arriten të tërheqin drejt vetes fiset Es Sus. Ata nisën t’i bindin ata për vlerat e drejta që mbarte misioni i tyre, madje ata shfrytëzuan më së miri edhe njohjen e traditave dhe dialekteve gjuhësore specifike të tyre, e kështu; çështja e tyre nisi të marr hov, aq sa dita ditës influenca e tyre po shtohej dhe kërcënimi që i kanosej dinastisë në pushtet po rritej. Në vitin 515 hixhri, dinastia e El Murabitinëve ishte e detyruar të përballej me një ushtri të madhe, të cilën e udhëhiqte El Mehdi bin Tumurt. Qëndresa e El Murabitinëve nuk zgjati shumë dhe El Mehdi triumfoi bindshëm. Kjo ishte beteja e parë midis El Murabitinëve dhe El Muvahidinëve, por mesiguri që nuk do të ishte e fundit, pasi konflikti mes tyre veçse sa kishte nisur. El Mehdi nuk i ndali sulmet kundër El Murabitinëve, derisa ndërroi jetë në vitin 524 hixhri. Pas tij në pushtet erdhi Abdulmu’min bin Ali El Kumi, i cili sapo erdhi në pushtet, ndërrmori një fushatë të përgjithshme në qendër të Marokut, në mënyrë që të shfaqte forcën dhe madhështinë e dinastisë së Muvahidinëve. Pasi u kthye nga fushata që ndërrmori në vende të ndryshme të Marokut, ai nuk kishte ndërmend të ndalej, por ambicjet e tij tashmë, i kishte drejtuar drejt Andaluzisë. Ndërkohë që po bënte përgatitjet e nevojshme për mësymjen e tij në Andaluzi, në Muraksh mbërriti një delegacion nga Andaluzia, të cilët kishin ardhur me qëllim që t’i jepnin besën për bindje dhe dëgjueshmëri Abdulmu’minit. Kjo periudhë daton në vitin 542 hixhri.

Në vitin 555 hixhri, dinastia e El Muvahidinëve shtrihej nga Afrika veriperëndimore e deri në Andaluzi. Një vit më vonë, në vitin 556 Abdulmu’min bin Ali El Kumi vendosi të ndërmerte një tjetër fushatë, tashmë në Andaluzi. Ai e përforcoi sundimin e tij në Andaluzi dhe arriti që me ushtrinë e tij të madhe e të fuqishme, t’i frikësonte armiqtë e tij. Më vonë ai u kthye në Marok, e nuk vonoi shumë, por në vitin 558 hixhri, ndërroi jetë. Po në atë periudhë, nga fundi i vitit 561 hixhri, dinastia e rivalëve të tyre të hershëm, El Murabitinëve pothuajse mori fund.

Abdulmu’min bin Ali El Kumi njihet si prijësi i cili arriti të ngrinte lart lavdinë e dinsatisë së El Muvahidinëve duke vendosur baza të shëndosha të cilat premtonin stabilitet dhe qëndrueshmëri, aq sa, në kohën e tij, dinastia e El Muvahidinëve mendohet të ketë qenë qeverisja më e fortë në sipërfaqen e tokës.

Ndër reformat që ndërmori sulltan Abdulmu’mini gjatë periudhës së qeverisjes së tij, ishte shkëputja e lidhjeve me Beni El Abas në lindje, ndërkohë që pararendësit e tyre, El Murabitinët kishin lidhje me ta. Madje, El Murabitinët nuk i emërtonin prijësit e tyre me titullin “Prijësi i besimtareve”, ashtu siç i emërtonin Abasitet, por në shenjë rspekti dhe nderimi, si dhe për t’ju ruajtur prestigjin, i emërtonin prijësit e tyre me titullin “Prijës i muslimanëve”. Mirëpo, Abdulmu’mini, në kulmin e pushtetit të tij, e quajti veten “Prijësi i besimtarëve” ashtu siç vepronin edhe Abasitët. Këtë emërtim, deri në atë kohë, asnjëri nga prijësit nuk e kishte përdorur, përveç atyre që e kishin prejardhjen nga fisi i Kurejshëve.

Për hir të së vërtetës, duhet të theksojmë se El Muvahidinët, e merituan atë titull, për shkak të kontributit të tyre të madh në përhapjen e Islamit dhe për shkak të përpjekjeve dhe luftrave që ata ndërrmernin, në mënyrë që Fjala e Allahut të ishte më e larta dhe qeverisja e cila emblemë të sajën kishte marrë fjalën e Njësimit, S’ka Zot tjetër të vërtetë veç Allahut, të ishte e pamposhtur. Ata bën të mundur që feja islame të mbizotëronte në skajin perëndimor dhe Andaluzi, gjë të cilën s’kishin mundur ta bënin Abasitët në kulmin e fuqisë së tyre.

Njerëzit në Marok, nën qeverisjen e El Muvahidinëve, për herë të parë në historinë islame kishin provuar shijen e të qenit një shoqëri e vetme, e cila jetonte në paqe dhe harmoni. Me kalimin e Andaluzisë nën juridiksionin e tyre dhe me shkëputjen e varësisë nga lindja, mund të themi me plotë bindje se muslimanët e Marokut po jetonin periudhën më të lavdishme të historisë së tyre. Në këtë ambient të begatë, gjëndja ekonomike, fetare, kulturore, akademike si dhe të gjitha sferat e jetës, morën një hov dhe një zhvillim të pashembullt. Nisi t’i kushtohet një rëndësi e veçantë ndërtimit të banesave, zbukurimit të xhamive, përmirësimit të kushteve të jetesës, zhvillimit të industrisë dhe bujqësisë etj.

Posaçërisht në aspektin fetar, dinastia e El Muvahidinëve i kushtoi një rëndësi parësore thirrjes për në besimin e pastër, adhurimin e një Zoti të vetëm, Allahut të Madhëruar, si dhe spastrimin e botkuptimeve të gabuara në lidhje me çështjet themelore të fesë. Kjo bëri që të rritej interesi për diturinë fetare dhe atë shkencore, gje e cila stimulohej fuqishëm edhe nga qeverisja në pushtet, pasi ata e kishin të qartë se kjo ishte rruga e vetme për të ruajtur vijueshmërinë e influencës dhe fuqisë së tyre.

Në këtë ambjent të mbushur me vitalitet, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe në atë akademik, ekonomik etj, lindën dhe u rritën shumë dijetarë . Pra, mund të themi me plot gojën se këta dijetarë ishin  produkt i ambjentit të begatë në të cilin jetuan.

Përktheu Edmond Ajdini

 

[1] Muraksh, ose Marrakeshi, rënditet i treti ndër qytetet e nëdha të Marokut. Qytetin e themeloi prijësi musliman Jusuf bin Teshfin në vitin 462 hixhri (viti 1070 sipas kalendarit gregorian).

Loading...