Gëzohu ditën e Fitër Bajramit!

Gëzohu ditën e Fitër Bajramit!
Dita e Fitër Bajramit është ditë gëzimi, në të cilën besimtari i gëzohet mirësive të Allahut, si dhe faktit që e përmbushi me sukses obligimin e agjërimit dhe kryerjen e veprave të mira gjatë muajit të Ramazanit.

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Plotësojini ditët e agjërimit, e pastaj madhërojeni Allahun për suksesin e dhënë, që të jeni falënderues!” (Bekare 185).

Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) ka thënë: “Çdo popull ka festat e veta, ndërsa kjo është festa jonë.”[1]

Dijetari i madh Ibën Haxheri ka thënë: “Prej dobive që përftohen nga ky hadith është fakti se preferohet shtimi i shpenzimeve për familjen gjatë festave të Bajrameve (në blerjen e ndonjë dhurate, apo ushqimeve të preferuara), në mënyrë që të futësh kënaqësi në zemrat e tyre…. Shfaqja e gëzimit dhe lumturisë gjatë dy festave të Bajrameve, është prej simboleve të fesë.”[2]

Në ditën e festës së Bajramit kërkohet kryerja e disa veprave të cilat e përmbyllin në mënyrën më të mirë përfitimin e begative të muajit të Ramazanit. Ndër to veçojmë:

  1. Të lahemi, të parfumosemi dhe të vishemi sa më bukur.

Dita e Bajramit është ditë feste dhe është prej traditës profetike zbukurimi në ditë feste.

Ibnul Kajimi ka thënë: “Është transmetuar se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) vishte rrobat më të bukura në ditët e festave. Ai kishte një xhybe të veçantë të cilën e vishte në festat e Bajrameve dhe ditëve të Premte.”[3]

Imam Maliku ka thënë: “Kam dëgjuar shumë prej dijetarëve ta konsiderojnë të pëlqyeshme parfumosjen dhe të zbukuruarit në ditët e Bajrameve.”

  1. Pjesmarrja kolektive në faljen e namazit të Bajramit.

Veçori dhe simbolikë e Festës së Bajramit është pjesmarrja e të gjithëve në gëzimin dhe mirësinë që përcjell kjo ditë. Kjo manifestohet që sa zbardh dita, me pjesmarrjen në namazin e Bajramit, i cili preferohet të kryhet në një vend të hapur, në mënyrë që pjesmarrja të jetë sa më e madhe.

Të gjithë muslimanët që kanë mundësi, duhet të marrin pjesë në faljen e namazit të Bajramit, madje është e pëlqyeshme që të jenë të pranishme edhe gratë të cilat nuk falen për shkak të periodave. Ato megjithëse nuk falen, është mirë që të jenë pjesmarrëse në tubimin e ditës së Bajramit për të përfituar prej mirësisë së kësaj dite dhe lutjes së muslimanëve.

Ummu Atije -radiallahu anha- ka thënë: “Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) na ka porositur që të dalim në ditën e Bajramit, madje ka porositur që të dalin vashat si dhe gratë me perioda”.[4]

  1. Ta madhërojmë Allahun gjatë shkuarjes për në vendin e faljes, derisa të fillojë namazi i Bajramit.

Allahu i Madhëruar thotë: “Plotësojini ditët e agjërimit, e pastaj madhërojeni Allahun për suksesin e dhënë, që të jeni falënderues!” (Bekare 185).

“I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) e madhëronte Allahun me tekbir gjatë shkuarjes për tek faltorja e namazit të Bajramit (namazgjaja). Ai vazhdonte me tekbire deri sa të vinte koha e faljes.”[5]

Thënia e tekbireve në ditën e Bajramit mund të bëhet në disa mënyra, ashtu siç transmetohet nga disa prej sahabëve.

Ibn Mesudi -radiallahu anhu- në ditët e Bajramit thoshte këtë tekbir: “Allahu ekber, Allahu ekber, La ilahe il-lallah, ue Allahu ekber, Allahu ekber, ue lil-lahil hamd.”[6]

Ibën Abasi -radiallahu anhu- thoshte: “Allahu ekber, Allahu ekber. Allahu ekber ue lil-lahil hamd. Allahu ekber ue Exhel, Allahu ekber ala ma hedana.”[7]

 

Abdurrazaku ka përcjellë nga Selman el Farisiu -radiallahu anhu-, se ai ka thënë: “Madhërojeni Allahun duke thënë: Allahu ekber, Allahu ekber, Allahu ekberu kebiran.”[8]

  1. Të dëgjojmë këshillën e imamit.

Preferohet dëgjimi i këshillave të imamit pas faljes së namazit të Bajramit.

Transmetohet nga Ebu Seid El Hudri -radiallahu anhu- se ai ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) ditën e Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit dilte për në faltore, dhe gjëja e parë që bënte ishte falja e namazit, pastaj kthehej me fytyrë nga njerëzit dhe predikonte duke i këshilluar dhe porositur, ndërsa ata qëndronin ulur në vendet e tyre dhe e dëgjonin.”[9]

  1. Të urojmë njëri-tjetrin për pranimin e punëve të mira.

Ashtu siç e paraprimë këtë muaj të begatë me lutje që Allahu të na japë nga mirësitë dhe begatitë e tij, po ashtu e përcjellim atë duke iu lutur Allahut që të na i pranojë adhurimet që kemi bërë.

Lutju Allahut për vete dhe të tjerët dhe uroji muslimanët me pranimin e veprave të mira!

Xhubejr bin Nufejri tregon: “Shokët e Profetit (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) kur takoheshin në ditën e Bajramit e uronin njëri-tjetrin duke thënë:  “Tekab-belallahu mina ue minkum! – Allahu na i pranoftë punët e mira neve dhe juve!”

Lusim Allahun e Madhëruar që të na mundësojë të përfitojmë sa më shumë nga mirësitë dhe begatitë e muajit të madhërishëm të Ramazanit! Amin!

[1] E transmeton Buhariu me nr. 949 dhe Muslimi me nr. 792.

[2] “Fet’hul Bari” vëll. 2, f. 443.

[3] “Zadul Mead” vëll. 1, f. 441.

[4] E transmeton Buhariu me nr. 324 dhe Muslimi me nr. 890.

[5] “Silsiletul ehadithi es sahiha” me nr. 170.

[6] E ka transmetuar Ibën ebi Shejbe vëll. 2, f. 168, me zinxhir transmetimi të saktë. “Irvaul galil” 3/125.

[7] E ka transmetuar El Bejhekij vëll. 3, f. 315. Zinxhirin e transmetimit e ka të saktë “Irvaul galil” 3/126.

[8] El Bejhekij në librin “Es Sunenu El Kubra” vëll. 3, f. 316. Ibën Haxheri në “Fet’hul Bari” 2/462 ka thënë: Ky është transmetimi më i saktë që përcillet në lidhje me mënyrën e thënies së tekbireve.

[9] E transmeton Buhariu me nr. 956 dhe Muslimi me nr. 889.