Histori të bukura të treguara nga Profeti – Historia e katërmbëdhjetë (1)

Histori të bukura të treguara nga Profeti -alejhi selam- 

Historia e katërmbëdhjetë (1)

El-Harith El-Esharij -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Allahu e porositi Jahjën birin e Zekerijës -alejhi selam- që ai vet të kryej pesë punë dhe t’i urdhërojë Beni Israilët t’i kryejnë ato, mirëpo ai u vonua. Atëherë Isa -alejhi selam- i tha (Jahjës): Allahu të ka porositur për pesë punë që t’i kryesh vet dhe t’i urdhërosh Beni Israilët t’i kryejnë ato. Pra, ose urdhëroi ata ose t’i urdhëroj unë. Jahja -alejhi selam- i tha (Isës): Kam frikë se nëse do ta bësh ti atë gjë para meje, Allahu do të ma shembë tokën poshtë këmbëve apo do të më dënojë.
Atëherë ai (Jahja) i mblodhi Beni Israilët në Bejtul-Makdis dhe xhamia u mbush plot, madje u ulën edhe nëpër ballkone. Ai u tha atyre: Allahu më ka porositur për pesë punë që t’i bëj ato vet dhe t’ju urdhëroj edhe juve që t’i bëni.
E para: Të adhuroni Allahun dhe të mos i shoqëroni atij shok. Shembulli i atij që i bën shok Allahut është si shembulli i një burri që ka blerë një rob me pasurinë e tij të veçantë, flori apo serm, dhe i thotë atij: Kjo është shtëpia ime dhe kjo është puna ime. Puno dhe më sill prodhimin! Ai punonte dhe prodhimin ia çonte një tjetri i cili nuk ishte zotëria i tij. Kush prej jush e pranon të jetë robi i tij kështu? Allahu është Krijuesi dhe Furnizuesi juaj prandaj adhurojeni Atë dhe mos i shoqëroni shok.
E dyta: Allahu iu ka urdhëruar për namaz. Kur të faleni mos e ktheni kokën në asnjë anë, sepse Allahu e drejton fytyrën e Tij nga fytyra e robit kur është në namaz përderisa ai nuk e ka kthyer kokën.
E treta: Allahu iu ka urdhëruar për agjërim. Shembulli i tij është si shembulli i një burri mes një grupi njerëzish, i cili ka një qese misku dhe të gjithëve u pëlqen era e tij. Dijeni se era e agjëruesit është më e këndshme tek Allahu se era e miskut.
E katërta: Ai u ka urdhëruar për sadaka. Shembulli i tij është si shembulli i një burri të cilin e ka zënë rob armiku, i ka lidhur duart pas qafës dhe e sjellin për t’i prerë kokën. Atëherë ai u thotë: A mundem ta kompensoj vetën time? Dhe ai e kompenson veten e tij me pak e me shumë derisa lirohet.
E pesta: Ai iu ka urdhëruar për t’i bërë shumë dhikër Allahut. Shembulli i tij është si shembulli i një burri të cilin e ndjek armiku me shpejtësi, dhe ai shkon te një kështjellë e fortifikuar dhe futet brenda duke mbrojtur kështu veten prej tyre. Kështu është robi, nuk e mbron veten e tij prej shejtanit veçse me dhikrin e Allahut.
Pastaj Profeti -alejhi selam- tha: “Edhe unë iu urdhëroj për pesë punë për të cilat më ka urdhëruar Allahu: Dëgjimi, bindja, lufta në rrugën e Allahut (xhihadi), emigrimi (hixhreti) dhe xhemati. Ai që largohet nga xhemati qoftë sa një pëllëmbë e ka hequr nga qafa e tij hallkën e Islamit, veçse nëse kthehet sërish në Islam. Ai që thërret me parullat e kohës së injorancës do të jetë me grupin e xhehenemit. Një burrë pyeti: O i dërguar i Allahut! Edhe nëse falet dhe agjëron? Profeti -alejhi selam- i tha: Edhe nëse falet, agjëron dhe pretendon se është mysliman. Thirrni me parullat e Allahut i cili ju ka quajtur myslimanë, besimtarë dhe robër të Allahut!” E transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu, dhe e saktëson sheih Albani.

Dobitë e përfituara nga kjo histori:

E para: Jahja dhe Isa -alejhima selam- janë dy profetë prej profetëve të Beni Israilëve prej familjes së zgjedhur të Imranit, për të cilën Allahu i madhëruar në Kuran thotë: “Allahu zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit mbi të gjithë njerëzit (e kohës së tyre). * (Ata ishin) pasardhës të njëri-tjetrit. Allahu dëgjon dhe di çdo gjë.” Suretu Ali Imran: 33-34.
Tek fjala e Tij [familjen e Imranit] është për qëllim babai i Merjemes -alejha selam-, dhe prej familjes së tij janë: Isai i biri i Merjemes dhe Jahja i biri i Zekerijës. Kjo sepse Jahja është bir tezje me Isën, siç ka ardhur në hadithin e Miraxhit ku Profeti -alejhi selam- thotë: “… pashë Jahjën dhe Isën dy bij tezesh.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

E dyta: Jahja dhe Isa -alejhima selam- janë dërguar pothuajse në të njëjtën kohë. Ndoshta Jahja ka qenë pak më i madh në moshë sesa Isa, siç thonë komentuesit e Kuranit në komentimin e një ajeti ku Allahu i drejtohet Zekerijës -alejhi selam-: “Allahu të përgëzon me Jahjën i cili do të besojë në fjalën e Allahut. Ai do të jetë zotëri, i përkushtuar, profet dhe prej të mirëve.” Suretu Ali Imran: 39.
Fjala e tij [do të besojë në fjalën e Allahut] d.m.th. do të besojë në Isën -alejhi selam- sepse kështu është llagapi i tij.
Dërgimi i dy profetëve njëkohësisht në përgjithësi bëhet kur detyra është e vështirë dhe i pari ka nevojë për përkrahje. Këtë gjë e shohim te detyra e Musës -alejhi selam- i cili iu lut Allahut ta ndihmonte me Harunin -alejhi selam-, sepse kundërshtari i tij ishte i egër dhe i fortë. Dhe shohim gjithashtu edhe te historia e sures Jasin kur Allahu i madhëruar dërgoi te fshati i mohuesve dy profetë, dhe kur hasën në vështirësi dërgoi edhe një të tretë për t’i përkrahur ata.

E treta: Interesimi i madh i profetëve për të arritur e mira dhe e dobishmja tek njerëzit, dhe kjo merret nga fjala e Isës -alejhi selam- kur tha: [… ose t’i urdhërosh Ti ata ose t’i urdhëroj unë!]. Pra, edhe pse detyra nuk ishte e tij ai donte që ato porosi të arrinin sa më shpejt te njerëzit. Profeti -alejhi selam- thoshte: “Nuk ka pasur profet para meje veçse e ka pasur detyrë ta lajmërojë umetin e tij për më të mirën që di, si dhe t’i paralajmërojë nga më e keqja që di për ta.” E transmeton Muslimi.

E katërta: Bashkëpunimi i mirë i profetëve të Allahut me njëri-tjetrin. Edhe kjo merret nga veprimi i Isës -alejhi selam- i cili nuk veproi pa u konsultuar me Jahjën –alejhi selam-. Gjëja që mund ta dëmtojë shumë rëndë davetin dhe thirrjen në rrugë të Allahut janë kundërshtimet dhe mosmarrëveshjet e thirrësve me njëri-tjetrit. Profeti -alejhi selam- kur nisi Muadh bin Xhebelin dhe Ebu Musa El-Esharij -radiallahu anhuma- për të ftuar në rrugën e Allahut në Jemen, i porositi: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni! Afroni dhe mos largoni! Bindjuni njëri-tjetrit dhe mos u përçani!” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

 

Vijon…

Dr. Abdullah Nabolli