Historia e Musait dhe Harunit

Historia e Musait dhe Harunit (alejhima selam).

Për Musain, të birin e Imranit dhe vëllanë e tij (alejhima selam), Zoti i Lartësuar ka përmendur një histori shumë të gjatë. Në shumë pjesë të librit fisnik ndodhia e Musait është trajtuar me stile (letrare) të ndryshme. Disa herë në formë të shkurtuar, e herë të tjera me histori të detajuara siç e kërkonte nevoja.

Në historitë e Kuranit nuk ka ngjarje më madhore se ajo e Musait. Nga njëra anë ai (Musai) kuroi problemin e Faraonit dhe ushtrisë së tij, dhe nga ana tjetër kuroi me mund të madh veset e Beni Israilëve.

Ai konsiderohet si profeti më i madh i Beni Israilëve, ndërsa libri dhe legjislacioni që ndoqi ishte Teurati që në realitet ishte referenca e profetëve dhe dijetarëve të Beni Israilëve. Ndjekësit e tij (Musait) konsiderohen më të shumtit në numër pas umetit të Muhamedit (alejhi selam).

Ai kishte vendosmëri (forcë) të madhe në zbatimin e fesë së Allahut dhe thirrjes për tek feja e Tij, madje këtë e ruante me aq fanatizëm sa nuk mund ta hasësh tek ndonjë tjetër.

Ai lindi në një periudhë kur Faraoni po e shtypte popullin e Beni Israilëve dhe vriste çdo foshnje mashkull që lindte tek beni Israilët. Nga ana tjetër i linte gjallë gratë e tyre për të shërbyer dhe për t’i përçmuar.

Kur nëna e lindi (Musain) ajo u frikësua shumë, sepse Faraoni kishte lënë mbikqyrës tek beni Israilët për të parë gratë e tyre që lindin. Shtëpia e saj ndodhej në bregun e lumit Nil dhe Allahu e inspiroi që të merrte një arkë, dhe kur të frikoësohej për të ta hidhte në lumë pasi ta kishte lidhur arkën me litar me qëllim që të mos e merrte rryma e ujit.

Ishte mëshira e Zotit ajo që e frymëzoi nënën e tij duke i thënë: “Jepi gji atij, dhe kur të trembesh për sigurinë e tij hidhe në lumë pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.” [Kasas: 7]

Një ditë kur e la arkën në lumë, litari që e mbante lidhur u zgjidh dhe uji e mori arkën ku qëndronte Musai dhe ishte caktimi i Zotit që ai (Musai) të binte në duart e familjes së Faraonit, dhe pikërisht në duart e gruas së tij Asijes.

Kur e pa (Musain) ajo ndjeu një dashuri të madhe për të, kjo ngase Allahu e kishte hedhur atë dashuri tek Musai (alejhi selam).

Lajmi mori dhenë dhe ra në vesh të Faraonit. Ai e kërkoi dhe deshi ta vriste, por gruaja e tij i tha: “Ky (djalë) është gëzim për mua dhe për ty, prandaj mos e vrisni sepse mund të jetë i dobishëm ose mund ta birësojmë.” [Kasas: 9]

Kjo arsye e bëri të shpëtojë nga vrasja e sigurtë. Kjo gjurmë e mirë, kjo hyrje e mbarë dhe kjo përpjekje e lavdëruar (nga Asija) u bë shkak që ajo më vonë të udhëzohej dhe të besonte Musain dhe Profetësinë e tij.

Por nëna e Musait u trondit shumë, zemra e saj u bë si të ishte e zbrazët dhe durimi sa nuk i doli nga kontrolli: “Edhe pak dhe çdo gjë do të zbulohej sikur të mos ia kishim forcuar Ne zemrën që të bëhej besimtare e vërtetë. Ajo i tha motrës së Musait: Shko pas tij!” [Kasas: 10-11]

Ndiqi gjurmët e tij!

Edhe pse gruaja e Faraonit ua kishte dhënë Musain disave prej grave gjidhënëse, ai s’e kishte pranuar gjirin e asnjërës prej tyre. Kështu që foshnja ndiente etje dhe strukej nga uria e madhe, dhe kjo i detyroi të dilnin për të kërkuar gjidhënëse me shpresën se Zoti do t’ua mundësonte të gjenin dikë.

E motra e vrojtonte atë nga larg pa u parë nga të tjerët. Kur u afrua dhe e kuptoi se ata po kërkonin një gjidhënëse, u tha: “A doni t’ju gjej një familje e cila do të kujdeset për të duke e edukuar me kujdes?” [Kasas: 12-13]

Në suren Kasas Allahu i Lartësuar na tregon historinë e Musait, të detajuar dhe mjaft të qartë dhe sesi gjërat ndrysuan. Leximi i kësaj sureje është i mjaftueshëm dhe nuk kërkon sqarim të madh për shkak të qartësisë dhe detajeve që ajo sjell.

Alllahu e tregoi (këtë histori) të detajuar me qëllim që të përfitojmë e të marrim mësime.

Ska dyshim se në historinë e Musait ka shumë dobi dhe mësime prej të cilave do t’i përmendim në vijim.

 

Kisasul Enbija (Historitë e Pejgamberëve)

I autorit: Abdurrahman bin Nasir es Seadi (Allahu e mëshiroftë).

Përktheu: Fatjon Isufi