Është pyetur shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë: Sejid Kutubi ishte një njeri që u shfaq tek muslimanët me një ideologji dhe njerëzit për të kanë patur qëndrime të ndryshme dhe të kundërta. Ka njerëz që e ngrenë shumë lart dhe ka prej tyre që e kritikojnë shumë ashpër. Prandaj dëshirojmë që shejhu ynë të na e sqarojë këtë çështje, se si duhet të jetë qëndrimi i muslimanit rreth këtij njeriu, sepse Sejidi ka ndikim në botën islame si dhe ka lënë gjurmë me librat dhe shkrimet e tij. Kërkojmë nga shejhu i nderuar të na i sqarojë këtë.
Përgjigje: Nuk mendoj se konflikti dhe kundërshtimet mes të rinjve duhet të zhvillohen rreth një personi të caktuar, as rreth Sejid Kutubit e as rreth tjetërkujt. Konflikti dhe kundërshtimi bëhen rreth dispozitës fetare, p.sh.: E paraqesim një fjalë prej fjalëve të Sejid Kutubit dhe themi: A është kjo fjalë e saktë apo e pasaktë, pastaj e analizojmë. Nëse ajo është e saktë e pranojmë, e nëse është e pasaktë e refuzojmë. Ndërsa është gabim i madh që mes të rinjve të ndodhin kundërshtime, konflikte e refuzime për shkak të një njeriu të caktuar.
Sejid Kutubi nuk ishte i pagabueshëm, edhe ata dijetarë që janë më lart se ky nuk janë të pagabueshëm, e as ata që janë më ulët nuk janë të pagabueshëm. Çdo personi i merret fjala apo i refuzohet përveç Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, ngase është obligim të merren fjalët e tij.
Për këtë arsye unë i ndaloj të rinjtë që bosht të kundërshtimeve dhe konflikteve mes tyre të kenë një person të caktuar pa marrë parasysh kush është ai, sepse nëse konfliktet ndodhin në këtë mënyrë atëherë ndodh që kundërshtari ta hedhë poshtë një të vërtetë që e ka thënë ky person apo ta përkrahë një të kotë që e ka thënë ky person, e ky është një rrezik i madh. Kur dikush ka fanatizëm ndaj një personi kurse tjetri ka fanatizëm kundër tij, atëherë fanatizmi e shtyn atë të shpik apo t’i keqinterpretojë fjalët e tij, kurse fanatiku tjetër mund ta mohojë të kotën që e ka thënë ai apo të mundohet që me interpretime të ndryshme ta arsyetojë atë.
Unë them të mos flasim për njerëz dhe të mos kemi fanatizëm ndaj njerëzve. Sejid Kutubi ka kaluar nga vendi i veprave dhe ka shkuar në vendin e shpërblimit dhe Allahu është Llogaritësi i tij. Kështu duhet të jetë qëndrimi ynë edhe me dijetarët e tjerë.
Përsa i përket të vërtetës është obligim që ajo të pranohet, qoftë nëse ka ardhur nga Sejid Kutubi apo nga dikush tjetër. Ndërsa të kotën duhet ta refuzojmë qoftë nëse ka ardhur nga Sejid Kutubi apo nga dikush tjetër. Si dhe është obligim të paralajmërohet nga çdo e kotë që është shkruar apo dëgjuar qoftë nga ky apo nga ai.
Kjo është këshilla ime për vëllezërit tanë. Pra nuk duhet që fjalët, kundërshtimet dhe konfliktet të sillen rreth një personi të caktuar.
Kurse përsa i përket Sejid Kutubit mendimi im për veprat e tij është se ky është sikurse të tjerët, në të ka hak dhe ka gjëra të kota, askush nuk është i pagabueshëm. Për shembull; veprat e tij nuk janë sikurse veprat e Nasirudin Albanit, sepse dallimi mes tyre është sikurse dallimi mes tokës dhe qiellit. Veprat e të parit konsiderohen si vepra letrare dhe kulturore të përgjithshme, dhe nuk janë studime shkencore siç janë veprat e Shejh Albanit. Për këtë unë mendoj se e vërteta duhet të merret nga çdo njeri kurse e kota duhet t’i refuzohet çdo njeriu. Nuk na lejohet që bosht të kundërshtimeve dhe përçarjeve mes nesh të jenë emrat e njerëzve.
“Likaatul bab el meftuh, 130/1.
Përktheu: Jeton Bozhlani
Dosje: Porositë e Etërve
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures El Fatiha në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Bashkimi i namazit të xhumasë me atë të ikindisë Udha e Besimtarëve
- Prezantim i shkurtër mbi Islamin Udha e Besimtarëve
- Si të veprosh kur të ftojnë në një gosti Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin