Kapitulli i moralit, mirësisë dhe lidhjet mes njerëzve (1)

1. Transmetohet nga Enesi (radiallahu anhu) se tha: “Vëllazëroi Profeti (alejhi selam) mes Zubejrit dhe Abdullah bin Mesudit”.

2. Transmetohet nga Ebu Mesud El-Bedri (radiallahu anhu): “Më e fundit gjë që u ka arritur njerëzve nga fjalët e hershme profetike është: Nëse nuk ke turp, bëj ç’të duash.”

3. Transmetohet nga Kab bin Uxhra (radiallahu anhu)  se tha: Profeti (alejhi selam) nuk po gjente Kabin dhe pyeti për të dhe i thanë se është sëmurë. Kështu ai doli duke ecur derisa mbërriti tek ai dhe kur hyri brenda tha: “Gëzohu o Kab! Ndërkohë nëna e tij thotë: E gëzofsh Xhenetin o Kab! Profeti tha: Kush është kjo që përbetohet para Allahut? Kabi i tha: Ajo është nëna ime o dërguari i Allahut! Profeti (alejhi selam) tha: Ku e di ti, o nëna e Kabit, ndoshta Kabi ka folur fjalë që nuk i interesojnë ose ka mbajtur atë që s’ia ka nevojën.”

4. Transmetohet nga Aishja (radiallahu anha) se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Njeriu më i urryer tek Allahu është ai i ashpëri në debat”

5.  Transmetohet nga Enes bin Malik (radiallahu anhu) se Profeti (alejhi selam) ka thënë: A e dini ju se ç’do të thotë përgojim? Ata thanë: Allahu dhe i dërguari i tij e dinë. Profeti (alejhi selam) tha: Mbartja e fjalëve nga disa njerëz tek të tjerët për të prishur mes tyre.”

6. Transmetohet nga Muhamed bin Xhehade, nga një burrë, nga një shok i tij prej beni El-Anber, nga babai tij që quhej Ebu El-muntefik se tha: Shkova në Meke dhe pyeta për pProfetin (alejhi selam) e më thanë se ai është në Arafat. Shkova te profeti (alejhi selam) dhe u mundova të jem sa më afër tij mirëpo më penguan, kurse profeti (alejhi selam) tha: Lëreni! Kështu iu afrova atij derisa u bashkua koka e devesë time me kokën e devesë së profetit (alejhi selam) dhe i thashë: O i dërguari i Allahut, më trego se ç’farë më largon nga dënimi i Allahut dhe më fut në xhenet? Ai tha: “1. Të adhurosh Allahun (në një transmetim adhuroje Allahun) dhe mos i bëj atij shok. 2. Të falësh namazin që të është bërë detyrë. 3. Të japësh zekatin (lëmoshën) e detyrueshme. 4. Të agjërosh Ramazanin. 5. Të bësh Haxhin dhe Umren. 6. Dhe shiko çfarë do ti që njerëzit ta bëjnë për ty, bëje ti për ata dhe ç’farë e urren ti që njerëzit ta bëjnë ty, mos ua bëj ti atyre.”

7. Transmetohet nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) se u pyet Profeti (alejhi selam): Kush është njeriu më i ndershëm? Ai tha: Më i devotshmi. Ata thanë: Nuk po të pyesim për këtë. Ai tha: Më i ndershmi i njerëzve është Jusufi profeti i Allahut, i biri i profetit të Allahut, i biri i profetit të Allahut, i biri i të dashurit të Allahut. Ata thanë: Nuk po të pyesim për këtë. Atëherë profeti (alejhi selam) tha: A për fiset arabe po më pyesni? Njerëzit janë të ndryshëm; më i miri prej tyre në kohën e injorancës është më i miri i tyre në islam, nëse e kuptojnë.”

8. Transmetohet nga Abdullah bin Mesudi (radiallahu anhu) i cili e ngre tek Profeti (alejhi selam) se tha: “Frikësojuni Allahut dhe mbani lidhjet me të afërmit tuaj”

9. Transmetohet nga Ebu Darda, nga Profeti (alejhi selam) se tha: “Më e rënda gjë në peshore (ditën e Kiametit) është morali i mirë.”

10. Transmetohet nga një burrë prej shokëve të Profetit (alejhi selam) se tha: “Një burrë i tha profetit (alejhi selam): Më trego mua disa fjalë që të jetoj me to dhe jo shumë se i harroj. Profeti (alejhi selam)  tha: Largohu nga zemërimi. Ai e përsëriti (pyetjen). Profeti (alejhi selam) tha: Largohu nga zemërimi.”

11. Transmetohet nga Rabia El-eslemi (radiallahu anhu) se tha: I kam pas shërbyer profetit (alejhi selam) dhe ai më dha një copë toke mua dhe një tjetër Ebu Bekrit. Erdhën problemet e dynjasë dhe u zumë për një vesh hurmash. Ebu Bekri thonte ai është brenda kufirit tim, ndërsa unë thoja: Jo, ai është brenda kufirit tim dhe kishte mes meje dhe Ebu Bekrit fjalë të mëparshme dhe ai më tha mua një fjalë të papëlqyeshme e më pas u pendua dhe tha: O Rabia ma kthe mua me të njëjtën fjalë që të jemi të barabartë. Unë i thashë: Jo, nuk e bëj. Ai tha: Do ta thuash ose do të kundërvihem ty me profetin (alejhi selam). Unë i thashë: Jo, nuk e bëj. Atëherë Ebu Bekri (radiallahu anhu)  e la tokën dhe u nis për tek profeti (alejhi selam) e u nisa edhe unë pas tij. Erdhën disa njerëz nga fisi im Eslem dhe më thanë: E mëshiroftë Allahu Ebu Bekrin për çfarë gjëje do të kundërvihet ty me profetin (alejhi selam) kur ai të ka thënë ty atë që të ka thënë? Unë u thashë: A e dini se kush është ky? Ky është Ebu Bekr Es-siddik dhe ai është i dyti i të dyve dhe ai është i thinjuri i muslimanëve (më i vjetëri). Kini kujdes se mos kthen kokën dhe ju sheh juve që më përkrahni mua e zemërohet, pastaj shkon te profeti (alejhi selam) dhe ai zemërohet prej zemërimit të tij dhe pastaj zemërohet Allahu prej zemërimit të tyre dhe më pas shkatërrohet Rabia. Ata thanë: Atëherë ç’farë na këshillon neve të bëjmë? Unë u thashë: Kthehuni mbrapa. Kështu vazhdoi Ebu Bekri për tek profeti (alejhi selam) dhe unë e ndoqa atë vetëm derisa arriti tek ai dhe i tha atij se ç’farë ndodhi. Profeti (alejhi selam) e ngriti kokën dhe më tha: O Rabia! Ç’farë ke ti me Siddikun? I thashë: O i dërguari i Allahut ndodhi kështu e kështu dhe më tha një fjalë të keqe, pastaj më tha: Më thuaj mua ashtu siç të thashë që të lahemi! Atëherë profeti (alejhi selam) më tha: Në rregull, mos ia kthe atij, porse thuaj: Allahu të faltë, o Ebu Bekr! Allahu të faltë, o Ebu Bekr! Rabia thotë: U largua Ebu Bekri – Allahu e mëshiroftë – duke qarë.”

12. Transmetohet nga Abdullah bin Amr se tha: “U pyet Profeti (alejhi selam) se kush është njeriu më i mirë? Ai tha: Ai që e ka moralin më të mirë.”

13. Transmetohet nga Usame bin Shurejk se tha: “Ishim tek Profeti (alejhi selam) dhe sikur mbi kokat tona të kishte zogj, nuk fliste asnjëri prej nesh dhe ndërkohë i erdhën ca njerëz dhe i thanë: Cili është njeriu më i dashur i Allahut? Ai tha: Ai që e ka moralin më të mirë.”

14- Transmetohet nga El-hasen, nga profeti (alejhi selam) se tha: “Ruaje gjuhën tënde, ngeltë nëna jote pa ty, o Muadh! A nuk i hedh njerëzit me fytyra në zjarr veçse gjuha e tyre.” Hadith Mursel[1].

15. Transmetohet nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) se tha: “Nëse i sjell ndonjërit prej jush shërbëtori i tij ushqimin pasi është munduar në gatimin, përgatitjen dhe servirjen e tij, le ta ulë atë bashkë me të (për të ngrënë) e nëse refuzon, ti japë atij diçka në dorë.”

16. Transmetohet nga Ali bin Husejn: “Nëse ndonjëri prej jush e do vëllain e tij për hir të Allahut, le t’ia shprehë atij sepse kjo është më e mirë për lidhjen (mes tyre) dhe ruajtjen e dashurisë.”

17. Transmetohet nga Aishja (radiallahu anha): “Nëse Allahu  i Madhëruar  i do të mirën  një familjeje, fut mes tyre butësi (mëshirë).”

18. Transmetohet nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu), nga Profeti (alejhi selam) se tha: “1-Kur të afrohet fundi i dynjasë, ëndrra e myslimanit nuk të zhgënjen. 2- Ëndrrat më të vërteta i ka ai që i ka fjalët më të vërteta. 3- Ëndrra e muslimanit është një e dyzet e gjashta pjesë e profetësisë. Ai tha: 4- Ëndrra është tre llojesh: Ëndërr e mirë që është përgëzim prej Allahut – të madhëruar -, ëndërr e trishtueshme nga shejtani dhe ëndërr nga ato gjëra të cilat e preokupojnë njeriun. 5- Nëse dikush shikon ëndërr ndonjë gjë të keqe, le të mos ia tregojë kujt atë dhe të ngrihet për tu falur. Ai tha gjithashtu: 6- Kam qejf që të shoh në ëndërr lidhje me litar dhe e urrej lidhjen me pranga. Lidhja me litarë është përqendrim në fe.”

19. Transmetohet nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) se tha: “Nëse dikujt prej jush shërbëtori i tij i sjell ushqimin pasi që ia ka hequr barrën e gatimit dhe të punës, nëse nuk e ul të hajë me të, le ti japë atij diçka në dorë.”

20- Transmetohet nga nga Ebu Bekra (radiallahu anhu) se Profeti (alejhi selam) tha: “Nëse myslimani ia drejton armën vëllait të tij, melaikët e mallkojnë atë derisa ta largojë (armën) prej tij.”

Es Silsiletul Ehadithi es Sahihah
Autor: Imam Albani (Allahu e mëshiroftë!)
Nën kujdesin e shejh Mesh’hur Al Selman (Allahu e ruajtë)
Përktheu: Dr. Abdullah Nabolli


[1] Hadith mursel quhet ai hadith ku tabi’iu thotë: Ka thënë Profeti (alejhi selam).