Kapitulli i moralit, mirësisë dhe lidhjet mes njerëzve (2)

September 25, 2013

21. Transmetohet nga Xhabiri (radiallahu anhu) se profeti (alejhi selam) tha: “Nëse mendoni për një punë të keqe mos e bëni atë! Nëse keni zili ndokënd, mos i bëni të padrejtë tjetrit! Nëse diçka të ndjell keq, vazhdo rrugën (mos u kthe mbrapsht) dhe mbështetu tek Allahu dhe kur të peshoni, shtoni!”

22. Transmetohet nga Ebu Hurejra: “Kur zemërohet dikush dhe pastaj thotë: Eudhu bil-lah, i bie zemërimi.”

23. Transmetohet nga Abde bin Ebu Lubabe, nga Muxhahid, nga Ibn Abasi që i dedikohet profetit (alehi selam) se tha: “Kur e takon myslimani vëllain e tij mysliman dhe i jep dorën atij, u zbresin atyre mëkatet ndërmjet gishtërinjve siç bien gjethet e pemëve në dimër.” Thotë Abde: I thashë Muxhahidit: Kjo është gjë e lehtë. Muxhahidi tha: Mos e thuaj këtë, se Allahu – i madhëruar –  ka thënë në librin e tij: Sikur të shpenzoje gjithçka në tokë nuk do të bashkoje mes zemrave të tyre porse Allahu i bashkoi ata﴿ kështu e kuptova se dija e tij ishte mbi dijen e të tjerëve.

24. Transmetohet nga Ibn Abasi se një burrë erdhi te profeti (alejhi selam) dhe i tha: Babai im ka vdekur pa bërë Haxh, a të bëj unë për të? Ai tha: “Nëse babai yt do të kishte ndonjë borxh, a do e shlyeje atë? Ai tha: Po. Profeti i tha: Pra, bëj haxh për babain tënd.”

25. Transmetohet nga Enes bin Malik se profeti (alejhi selam) në prag të vdekjes ka thënë: “Kujdesuni për të afërmit tuaj, kujdesuni për të afërmit tuaj.”

26.  Transmetohet nga Abdullah bin Amr bin El-as (merret si hadith i dëgjuar nga profeti) se tha: “Mëshironi, që të mëshiroheni, falni që t’ju falë Allahu! Mjerë për ata që i dëgjojnë fjalët dhe nuk punojnë me to dhe mjerë për ata që vazhdojnë në punë të këqija edhe pse e dinë.”

27-  Transmetohet nga Jezid bin Xharie se profeti (alejhi selam) në haxhin e lamtumirës tha: “Kini kujdes robërit tuaj, kini kujdes robërit tuaj, keni kujdes robërit tuaj! Ushqejini ata nga ajo që  hani vetë, vishini ata nga ajo që vishni vetë dhe nëse bëjnë ndonjë gabim të cilin nuk doni t’ia falni atëherë shitini robtë e Allahut dhe mos i torturoni”

28.  Transmetohet nga Umri  (radiallahu anhu) se profeti (alejhi selam) tha: “Kini turp, se Allahu nuk ka turp nga e vërteta, mos shkoni me gratë në prapanicat e tyre!”

29.  Transmetohet nga Ibn Abasi se tha: “Fal, që të të falin.” (Merret si fjalë profetike)

30.  Transmetohet nga Ubade  (radiallahu anhu) se tha: “Më garantoni gjashtë gjëra, që  t’ju garantoj xhenetin: Thoni të vërtetën kur të flisni, mbajeni premtimin kur të premtoni, çojeni në vend amanetin kur jua lë dikush, ruani pjesët e turpshme (nderin), ulni shikimin (nga të ndaluarat) dhe mos zgjasni duart mbi të tjerët.” (Merret si hadith i dëgjuar nga profeti)

31. Transmetohet nga Hamza bin Abdullah bin Umr, nga babai i tij  (radiallahu anhu) se tha: “Kam pasur një grua që e doja shumë, kurse Omeri e urrente atë dhe më tha: Ndaje, ndërsa unë refuzova. Omeri  (radiallahu anhu) ia përmendi këtë profetit (alejhi selam) dhe ai më tha: “Bindju babait tënd dhe ndaje atë”

32.  Transmetohet nga Abdullah bin Amr se tha: Muadh bin Xhebel donte të udhëtonte dhe i tha profetit (alejhi selam): O i dërguari i Allahut, më jep një këshillë? Ai i tha: “Adhuroje Allahun dhe mos i bëj atij shok. Muadhi i tha: O i dërguari Allahut, shto!. Ai tha: Nëse bën ndonjë të keqe, rregulloje atë. Muadhi i tha: O i dërguari i Allahut, shto! Ai tha: Përqendrohu në fenë e Allahut dhe rregullo moralin tënd!”

33. Transmetohet nga Is’hak bin Said, nga babai i tij se tha: Isha te Ibn Abasi kur i erdhi një burrë dhe e pyeti: Kush je ti?  Kështu ai doli prej të afërmve të tij të largët. Ai foli me të me fjalë të buta dhe i tha: Ka thënë i dërguari i Allahut (alejhi selam): “Mësoni prejardhjen tuaj që të ruani lidhjet me të afërmit tuaj sepse nuk quhen të afërm në qoftë se shkëputen lidhjet me ta edhe nëse janë shumë të afërt dhe nuk quhen të largët në qoftë se mbahen lidhjet me ta edhe nëse janë të largët.”

34. Transmetohet nga El-abbas bin Xhulejd El-hixhrij se tha: Kam dëgjuar Abdullah bin Amr duke thënë: Erdhi tek profeti (alejhi selam) një burrë dhe i tha: O i dërguari Allahut, sa herë ta falim shërbëtorin? Profeti heshti dhe ai ia përsëriti pyetjen por profeti përsëri heshti dhe kur e pyeti për së treti profeti (alejhi selam) i tha: Fale atë shtatëdhjetë herë në ditë.”

35.  Transmetohet nga Muadh bin Xhebel se i dërguari i Allahut e dërgoi atë tek një fis dhe i tha: O i dërguari i Allahut më këshillo? Ai iu përgjigj: Përhape selamin, ushqe të varfrit, ki turp prej Allahut siç ke turp një njeri nga familja jote, kur të bësh të këqija shlyeje me të mira dhe përmirëso moralin tënd sa të kesh mundësi!”

36.  Transmetohet nga Ebu Hurejra  (radiallahu anhu) se tha: “Puna më e mirë është t’ia mbushesh vëllait tënd besimtar zemrën me gëzim, ose t’ia shlyesh atij borxhin ose ta ushqesh atë me bukë.” Merret si hadith i dëgjuar nga profeti (alejhi selam).

37.  Transmetohet nga Abdullah bin Amr se tha: “Sadakaja (lëmosha) më e mirë është pajtimi njerëzve.” Merret si hadith i dëgjuar nga profeti (alejhi selam).

38.  Transmetohet nga Enes bin Malik se tha: Arabët i shërbenin njëri-tjetrit në udhëtimet e tyre dhe Ebu Bekri me Umrin kishin një burrë që u shërbente atyre. Njëherë ata ranë në gjumë, u zgjuan dhe ai nuk ua kishte përgatitur ushqimin. Atëherë i thanë njëri-tjetrit: Ky njeri e ka gjumin si të profetit (dhe në një transmetim: si të shtëpisë suaj). Ata e zgjuan atë dhe i thanë: Shko tek profeti (alejhi selam) dhe thuaji se Ebu Bekri dhe Umri të çojnë selam dhe kërkojnë ushqim prej teje. Profeti i tha atij: “Çoju selam atyre dhe thuaju se keni ngrënë”. Ata u shtangën nga  kjo fjalë dhe erdhën tek profeti dhe i thanë: O i dërguari i Allahut, kërkuam ushqim prej teje dhe na the se kemi ngrënë. Pra, ç’farë kemi ngrënë? Ai tha: “Mishin e vëllait tuaj. Pasha Allahun unë e shoh mishin e tij mes dhëmbëve tuaja”. Ata i thanë: Kërko falje për ne? profeti tha: “Ai le të kërkoj falje për ju”

39. Transmetohet nga Ebu Said se tha: “Besimtarë me besim të plotë janë ata që kanë moralin më të lartë, që janë të përulur (jo arrogantë), që i duan njerëzit dhe njerëzit i duan ata dhe nuk ka dobi prej atij që nuk i do njerëzit dhe njerëzit nuk e duan atë”. Merret si hadith i dëgjuar nga profeti (alejhi selam).

40. Transmetohet nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) se i dërguari i Allahut ka thënë: “Besimtari me besim më të plotë është ai që ka moralin më të lartë dhe më i miri prej jush është ai që është më i miri me gratë e tij.”

Es Silsiletul Ehadithi es Sahihah
Autor: Imam Albani (Allahu e mëshiroftë!)
Nën kujdesin e shejh Mesh’hur Al Selman (Allahu e ruajtë)

Përktheu: Dr. Abdullah Nabolli

Dosje:

Loading...