Babai i mëson djalit formën e abdesit dhe faljen e namazit

March 27, 2020

Babai i mëson djalit formën e abdesit dhe faljen e namazit

Djali: Baba i dashur, më trego si të marr abdes?

Babai: Laje fytyrën tek e cila bën pjesë goja dhe hunda me nijetin për abdes, pastaj laji krahët deri në bërryla, pastaj jepi mes’h kokës duke përfshirë dhe veshët, dhe pastaj laji këmbët deri tek nyjet. Këto janë shtyllat e abdesit pa të cilat abdesi nuk konsiderohet i saktë. Allahu i Madhëruar në librin e Tij na thotë: “O ju që keni besuar! Kur çoheni për të falur namazin lani fytyrën dhe krahët tuaj deri në bërryla, dhe fërkoni kokën dhe këmbët tuaja deri tek nyjet.” El Maide: 6. Dije o biri im, se larja e këtyre pjesëve duhet bërë sipas radhës së cekur më lart. Po ashtu, abdesi ka dhe shumë sunete të cilat me lejen e Allahut do t’i mësojmë nesër.

Djali: Pas marrjes së abdesit si veprohet?

Babai: Pas abdesit thuhen lutjet që na janë përcjellë nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Djali: Sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Cilat janë ato?

Babai: Ato janë: “Esh’hedu en la ilahe il-lAllahu uahdehu la sherike leh, ue esh’hedu enne Muhammeden abduhu ue rasuluhu”, “Allahumme xhalni minet-teuabine ue xhalni minel-mutetahirine”, dhe “Subhaneke Allahumme ue bihamdike, esh’hedu en la ilahe il-la ente, estegfiruke ue etuubu ilejke.

Babai: Tek lutja; “Esh’hedu en la ilahe il-lAllahu uahdehu la sherike leh, ue esh’hedu enne Muhammeden abduhu ue rasuluhu”, “Allahumme xhalni minet-teuabine ue xhalni minel-mutetahirine” përfshihen dy pastrime, pastrimi i zemrës me dëshminë e teuhidit dhe pastrimi i trupit me ujë.

Djali: Elhamdulilah, këto do i mësoj sa më shpejt. Tani baba i dashur, më trego mënyrën se si të falem.

Babai: Po o biri im. Para se të fillosh faljen e namazit ki parasysh se namazi është adhurimi më madhështor që i është bërë detyrë Profetit tonë të dashur (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Allahu i’a bëri atij detyrë mbi shtatë qiejt, atje ku asnjë krijesë s’ka mundur të arrijë. Allahu i foli drejtpërdrejt të Dërguarit tonë. O biri im! Për shkak të rëndësisë së madhe të këtij adhurimi gjëja e parë për të cilin Allahu do të na pyes Allahu në ditën e Gjykimit është namazi. Prandaj, asnjëherë mos u trego i shkujdesur ndaj tij por fale në kohën e duhur dhe me përqëndrim, ngase namazi është lidhja jote me Zotin tënd. Sa bukur ka thënë një dijetar: “Nëse dëshiron të flasësh me Allahun, atëherë fal namaz. E nëse dëshiron që Allahu të flas me ty, atëherë lexoje fjalën e Tij Kuranin.

Djali: Do t’i kem përherë ndërmend këto fjalë o babai im i dashur.

Babai: Të lumtë biri im. Allahu të dhëntë sukses dhe të bëftë të dobishëm kudo që të jesh!

Djali: Amin, edhe ty babai im i dashur!

Babai: Tani le të kthehemi te falja e namazit. Para se të fillosh namazin sigurohu që rrobat i ke të pastërta dhe pastaj drejtohu nga Qabja e cila është Kibla e të gjithë muslimanëve në botë, dhe merr tekbir. Pra, thuaj; “Allahu ekber” dhe ngreji duart deri në lartësinë e supeve ose deri tek veshët, por mos i prek veshët.

Djali: A duhet të bëj nijet për faljen e namazit?

Babai: Sigurisht o biri im. Profeti ynë (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Me të vërtetë veprat vlerësohen sipas qëllimeve”. Porse vendi i nijetit është zemra dhe nuk lejohet bërja (shprehja) e tij me gojë. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) na ka thënë: “Kush bën një vepër e cila nuk është në përputhje me këtë çështjen (fenë) tonë, ajo është e refuzuar”. Dhe bërja (shprehja) e nijetit me gojë është vepër e cila bie ndesh me fenë e pastër.

Djali: Në rregull baba, do e kem parasysh këtë gjë.

Babai: Pas tekbirit, thënies ‘Allahu ekber’, dorën e djathtë vendose mbi të majtën duke i vendosur mbi gjoks dhe lexo suren ‘El-Fatiha’. Surja ‘El-Fatiha’ është shtyllë e namazit pa të cilën namazi nuk është i saktë. I Dërguari i Allahut ka thënë: “S’ka namaz për atë që nuk lexon hapësen e Librit.”[1] “Hapësja e Librit” është surja El-Fatiha.

Djali: Babai im i dashur, pse është quajtur me këtë emër?

Babai: Është quajtur me këtë emër sepse libri ynë Kurani fillon me këtë sure madhështore.

Djali: Elhamdulilah që mësova dhe diçka tjetër.

Babai: Pas leximit të sures ‘El-Fatiha’ lexo një sure tjetër, dhe thuaj ‘Allahu ekber’ duke i ngritur duart përsëri dhe shko në ruku. Në ruku thuaj një herë ose më shumë “Subhane rabbijel-adhim”[2]. Pastaj ngrihesh nga rukuja duke thënë ‘SemiAllahu limen hamideh’ dhe drejtohesh në këmbë. Kur të drejtohesh thuaj “Rabbena ue lekel-hamd’. Pastaj thuaj përsëri ‘Allahu ekber’ dhe shko në sexhde. Kur të biesh në sexhde së pari lësho duart pastaj gjunjët, sepse i dashuri ynë Profeti Muhamed (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kur ndonjëri nga ju shkon në sexhde, atëherë mos të bier ashtu siç bie deveja, por të vendosë duart para gjunjëve.”[3] Ballin, hundën dhe shuplakat e duarve i vendos në tokë dhe majat e gishtërinjve të këmbës i kthen në drejtim të kibles, ndërsa thembrat e këmbëve i bashkon me njëra-tjetrën.[4] Bërja e sexhdes me shtatë gjymtyrë është shtyllë e namazit.

Në sexhde thuaj “Subhane rabbijel eala” një herë apo më shumë. Pastaj ngrihesh nga sexhdja duke qëndruar pak ulur dhe thua “Rabbi gfirli”, pastaj thua përsëri ‘Allahu ekber’ dhe bie në sexhde. Ky konsiderohet një rekat. Më pas ngrihesh për në rekatin e dytë duke thënë ‘Allahu ekber’ dhe vepron njësoj siç veprove në rekatin e parë. Por kur të ngrihesh nga sexhdja qëndro ulur dhe lexo teshehudin, fjalët e të cilit janë; “Et-tehijjatu lil-lahi ues salauatu uet-tajjibatu, es-selamu alejke ejjuhen nebijju[5] ue rahmetullahi ue berakatuhu, es-selamu alejna ue ala ibadil-lahis salihin, esh’hedu en la ilahe il-lAllah, ue esh’hedu enne Muhammeden abduhu ue rasuluhu”.

Dërgo salavate për të dashurin tonë Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) duke thënë: “Allahumme sali ala Muhamedin ue ala ali Muhamedin, kema salejte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahim, inneke hamidun mexhid. Allahumme barik ala Muhamedin ue ala ali Muhamed kema barakte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahim, inneke hamidun mexhid”. Pas kësaj, në varësi të rekateve që ka namazi ose vazhdon dhe plotëson namazin ose jep selam dhe përfundon namazin.

Djali: Si të jap selam?

Babai: Jep selam duke kthyer kokën në anën e djathtë e duke thënë: “Es selamu alejkum ue rahmetullah”, dhe pastaj në anën e majtë; “Es selamu alejkum ue rahmetullah.”

Djali: Allahu t’a shpërbleftë me të mira o babai im i dashur!

Babai: Amin dhe ty biri im. “O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje!” El-Bekare: 128

O Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet!” Ibrahim: 40.

O Zoti ynë, na jep durim të madh dhe bëna të vdesim myslimanë!” El-Earaf: 126

Përgatiti: Unejs Sheme

(Xhumaja e tretë nga qëndrimi në karantinë prej pandemisë Corona-virusit. Allahu e largoftë sa më shpejtë!)

[1] Shënon Buhariu (756) dhe Muslimi (874) nga Ubadeh bin es-Samet (radijAllahu anhu).

[2] Bazuar në hadithin e Hudhejfes të cilin e shënon Muslimi.

[3] Këtë hadith të cilin e ka transmetuar Ebu Daudi, Nesaiu etj. Neveviu thotë: Zinxhiri i tij është i mirë (xhejid). Ndërsa Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) e ka saktësuar.

[4] Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Nuk lejohet për njeriun që gjatë sexhdes të ngrejë duart e tij ose njërën prej tyre, njërën këmbë ose të dyja, sepse detyrë është që të bëjë sexhde më shtatë gjymtyrë: ballin (përfshirë hundën), dy duart, dy gjunjët dhe gishtat e këmbëve (të kthyer nga Kibla). Nëse ai e ngre ndonjë gjymtyrë derisa ngrihet prej sexhdes, namazi i tij është i pavlerë. Ndërsa nëse e ngre një prej gjymtyrëve e pastaj e ul shpejt, shpresoj që nuk ka nevojë t’a përsërisë namazin. “Sherh Rijadus Salihijn” vëll. 4.

[5] Kjo është mënyra që ua ka mësuar Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) sahabëve t’a thoshin sa ishte gjallë, ndërsa pas vdekjes së tij thoshin: “es-selamu alen nebijji…” Shënon Buhari, Muslimi etj.

 

Loading...