Këshillë me shumë vlerë

November 15, 2024

Aliu ka thënë: “Sot mund të punosh pa dhënë llogari, ndërsa nesër do japësh llogari dhe nuk do kesh mundësi të punosh.” Është përmendur në disa transmetime se banorët e varreve do dëshironin të ktheheshin edhe një herë në këtë botë. Pse të kthehen? Për të ndërtuar pallate? Për t’u martuar? Për të mbledhur pasuri? Jo. Ata dëshirojnë të kthehen në këtë botë për të thënë qoftë dhe një herë të vetme “Subhanallah” (Larg të metave është Allahu).
Sot jemi dhe jetojmë në këtë botë; bota e tesbihut, namazit, agjërimit dhe lëmoshës, dhe na mbetet vetëm të punojmë. A pret njeriu të befasohet nga vdekja dhe t’i mbyllet libri i veprave pa pasur mundësi për të shtuar vepra të mira?
Një prej imamëve të hershëm shkroi një libër të quajtur “Et tevehum” (Imagjinata) ku përshkruan imagjinatën e tij sikur të kishte hyrë në zjarrin e Xhehenemit. Ai i thotë vetes: “Dëshiro!” Dhe vetja i përgjigjet: “Dëshiroj të kthehem në dunja dhe të punoj vepra të mira.” Ai i thotë vetes: “Ja pra, sot je në këtë dunja prandaj puno!” Kjo është një shenjë e mençurisë. Imagjinoni sikur të hynit në zjarr çfarë do dëshironit? Do dëshironit të kishit punuar. Dhe ja ku jeni sot në botën e veprave.
Xheneti është rrethuar me vështirësi ndërsa zjarri me dëshira dhe epshe. Me sprovat e mëkateve dhe gjynaheve, zgjatjen e bisedave në përgojime dhe thashetheme, dhe përfshirja në çështje të parëndësishme të cilat janë të dashura për njerëzit. Dijetarët thonë se bisedat e pavlera janë një lloj kënaqësie si kënaqësia e marrëdhënieve dhe e barkut. Njerëzit flasin dhe veprat e tyre regjistrohen ndërsa engjëjt i shkruajnë ato, njëri që shkruan veprat e mira dhe tjetri që shkruan veprat e këqija.
Njerëzit i kalojnë ditët e tyre drejt shpëtimit ose drejt shkatërrimit. Njerëzit e mençur dhe largpamës punojnë për të ardhmen, dhe e ardhme nuk konsiderohet kjo jetë por ajo që do të vijë pas saj. E ardhmja është ajo në të cilën do të mbyllen regjistrat e veprave, ku nuk mund të shtohen vepra të mira e as të hiqen mëkate. E ardhmja është kur njerëzit të hyjnë ose në Xhenet ose në Xhehenem, ku do të ketë pavdekësi në Xhenet ose hyrje në zjarr. Kjo është e ardhmja e vërtetë dhe kështu veprojnë njerëzit e mençur.

Autor: Ibrahim Er Ruhajli

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...