Kini kujdes nga mëkatet e mëdha

May 11, 2023

Kini kujdes nga mëkatet e mëdha!

1- Allahu i Madhëruar ka thënë: “Nëse lagoheni prej mëkateve të mëdha të cilat u janë të ndaluara, Ne u shlyejmë mëkatet e vogla dhe u fusim në një vend të ndershëm.” |Nisa: 31|

2- Profeti, alejhi selam, ka thënë: ‘’Mëkatet më të mëdha janë: Idhujtaria, vrasja e njeriut, mosrespektimi i prindërve dhe dëshmia e rreme.’’ Buhariu dhe Muslimi.

3- Mëkati i madh është ai mëkat për të cilin parashikohet ndëshkim penal në këtë jetë ose kërcënim në botën tjetër me dënim, hidhërim ose mallkim nga Allahu dhe i Dërguari i Tij.

4- Numri i mëkateve të mëdha. Ibën Abasi, radijAllahu anhu, ka thënë: Mundësia që ato të jenë shtatëqind është më e madhe sesa të jenë shtatë. Nuk ka mëkat të madh që nuk e shlyen pendimi dhe nuk ka mëkat që mbetet i vogël kur këmbëngulet në të. Mëkatet e mëdha ndryshojnë nga njëri-tjetri sipas llojit të tyre. (Shiko tefsirin e Ibën Kethirit.)

Llojet e mëkateve të mëdha:

1- Mëkatet e mëdha në akide (ideologji): Politeizmi, që përfshin adhurimin ndaj dikujt tjetër përveç Allahut të Madhëruar apo adresimin e lutjes ndaj dikujt tjetër veç Tij, ngase Profeti, alejhi selam, ka thënë: “Lutja është adhurim.’’ Tirmidhiu.

Arsimimi fetar thjesht për të fituar të mira materiale, fshehja e dijes, tradhëtia, pohimi i asaj çka thotë fallxhori ose magjistari apo horoskopi, kurbani dhe zotimi për dikë tjetër veç Allahut, mësimi i magjisë dhe ushtrimi i saj, betimi për dikë tjetër veç Allahut; si betimi për nderin, fëmijën, profetin dhe qaben. Mallkimi i muslimanit ose cilësimi i tij si i dalë nga feja pa argument, mos cilësimi i të pafeve si të pafe, shpifja ndaj Allahut dhe Profetit të Tij, të qënurit i sigurt nga dënimi i Allahut, vajtimi dhe rrahja e vetes me shuplaka për të vdekurin, përgënjeshtrimi i kaderit, varja e hajmalive… etj.

2- Mëkatet e mëdha në raport me jetën dhe logjikën: Vrasja e dikujt pa të drejtë, djegia e njeriut ose e kafshëve me zjarr, dhunimi i të dobëtit, bashkëshortes, nxënësit, shërbyesit dhe kafshës. Përgojimet dhe thashethemet, pijet dehëse me të gjitha llojet e tyre. Pirja e helmit, ngrënia e mishit të derrit dhe ngordhësirës pa qenë i detyruar, pirja e pijeve të dëmshme, vrasja e vetes qoftë dhe gradualisht si duhanpirja, polemikat e padrejta, padrejtësia ndaj njerëzve dhe dhunimi i tyre, refuzimi i së vërtetës, zemërimi nga e vërteta, përqeshja e të tjerëve, mallkimi i muslimanit, fyerja e dikujt prej sahabëve, arroganca dhe mburrja, përgjimi i të tjerëve, denoncimi tek organet qeverisëse me qëllim lëndimin e një të pafajshmi, dominimi i gënjeshtrave në bashkëbisedim me të tjerët, skulpturat dhe pikturat e frymorëve pa qenë e detyrueshme bërja e tyre; si për kartën e identitetit, vizën dhe pasaportën.

3- Mëkatet e mëdha në raport me pronën: Ngrënia e pasurisë së jetimit, kumari, llotaria, vjedhja, kusaria, plaçkitja, mitmarrja, hilet në matje dhe peshim, betimi i rrejshëm për marrjen e pronës, hilet në shitblerje, shkelja e premtimit, dëshmia e rreme, mashtrimi, shpërdorimi i pasurisë, testamenti i dëmshëm, fshehja e dëshmisë, të qënurit i pakënaqur me caktimin e Allahut, veshja e arit për meshkujt, lëshimi i rrobës apo pantallonave nën zogun e këmbës (për meshkujt).

4- Mëkatet e mëdha në raport me adhurimet: Lënia e namazit apo vonimi nga koha e tij pa arsye të ligjshme, mosdhënia e zekatit, mosmbajtja e agjërimit në Ramazan pa arsye të ligjshme, moskryerja e haxhit duke i patur mundësitë, ikja nga lufta në rrugën e Allahut, mospjesëmarrja në luftë me jetën ose me pasurinë tënde ose me propagandë kur njëra nga këto bëhet obligim, lënia e namazit të xhumasë ose namazit me xhemat pa arsye ligjore, lënia e urdhërimit për mirë dhe e ndalimit nga e keqja nga ana e atij që mundet, pakujdesia nga pikat e urinës (duke mos u pastruar me letër higjenike, gurë apo ujë) dhe moszbatimi i dijes.

5- Mëkatet e mëdha në raport me familjen dhe farefisin: Imoraliteti, homoseksualizmi, akuzimi i besimtareve të ndershme për shkelje të kurorës, shthurja e femrës në veshje, zbulimi i flokëve nga ana e femrës, ngjasimi i femrës me meshkujt dhe e kundërta, mosrespektimi i prindërve, braktisja e fisit pa arsye të ligjshme, mospërgjigja e  bashkëshortes ndaj kërkesës së bashkëshortit për marrëdhënie intime pa patur arsye të ligjshme, mohimi i bashkëshortes ndaj mirësive të bashkëshortit, pretendimi i njeriut se është i biri i dikujt tjetër duke mohuar babain e tij të vërtetë, ndërkohë që është i vetëdijshëm për një gjë të tillë. Të qenurit dakort me imoralitetin e familjes, lëndimi i fqinjëve, shkulja e qimeve të fytyrës (për sa kohë që nuk janë anormale) ose vetullave nga ana e femrës apo mashkullit.

Marrë nga libri: “Orjentimi i muslimanëve”.  

Autor: Muhamed Xhemil Zejnu.

Përktheu: Rexhep Milaqi

Dosje:

Loading...