Allahu i Lartësuar ka thënë: “Unë nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit për diçka tjetër përveçse të më adhurojnë” (Dharijat 56) dhe ka thënë: “Vërtetë Ne kemi dërguar në çdo popull të dërguar(tu thonë): Adhurojeni vetëm Allahun dhe largojuni tagutëve” (Nahl 36) dhe ka thënë: “Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni dikë tjetër veç Tij dhe me prindërit të silleni mirë” (Isra 23) dhe ka thënë: “Adhurojeni Allahun dhe mos i bëni shok asgjë” (Nisa 36) dhe ka thënë: “Thuaj: Ejani tu lexoj çfarë u ka ndaluar Zoti juaj. U ka porositur që të mos i bëni shok Atij asgjë” (Enam 151).
Transmetohet nga Muadh bin Xhebeli i cili tha: Isha hypur së bashku me Profetin -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- mbi gomar dhe ai më tha: “O Muadh, a e di se cila është e drejta e Allahut ndaj robërve të Tij dhe e drejta e robërve ndaj Tij? Thashë: Allahu dhe i Dërguari Tij e dinë më së miri. Ai tha: “E drejta e Allahut ndaj robërve është ta adhurojnë dhe të mos i bëjnë shok Atij asgjë, ndërsa e drejta e robërve ndaj Allahut është që të mos i dënojë ata që nuk i bëjnë shok Atij asgjë”. Thashë: A t’i përgëzoj njerëzit? Tha: “Jo mos i përgëzo se pastaj do i mbështeten kësaj” transmetohet në dy Sahihet[2].
Nga kjo përfitohen dobitë e mëposhtme:
1) Urtësia në krijimin e xhinëve dhe njerëzve.
2) Adhurimi është vetë teuhidi sepse armiqësia rreth tij ka ndodhur (mes profetëve dhe popujve të tyre).
3) Kush nuk ka teuhid nuk e ka adhuruar Allahun. Kësaj i përputhet kuptimi i ajetit Kuranor: “As ju nuk adhuroni atë që unë adhuroj”.
4) Urtësia në dërgimin e profetëve.
5) Dërgesa(shpallja) ka përfshirë çdo popull.
6) Feja e profetëve ka qenë e njëjtë.
7) çështja madhore është se adhurimi i Allahut nuk mund të arrihet veçse duke mohuar tagutët (çdo gjë adhurohet përveç Allahut). Ky është kuptimi i ajetit Kuranor: “Kush i mohon tagutët dhe i beson Allahut,ai është kapur për lidhjen më të fortë”.
8) Termi tagut është i përgjithshëm që përfshin çdo gjë që adhurohet përveç Allahut.
9) Rëndësia e madhe që kishin te selefët tre ajetet e qarta dhe të përsosura të sures Enam, ajete të cilat përmbajnë në vetvete 10 çështje, ku e para e tyre është: ndalimi nga shirku.
10) Ajetet e qarta në suren Isra përmbajnë në vetvete 18 çështje, të cilat Allahu i filloi me fjalën: “Mos bëj me Allahun një të adhuruar tjetër sepse do të jesh (ngelesh) i nënçmuar dhe i poshtëruar” dhe i mbylli me fjalën e Tij: “Mos bëj me Allahun një të adhuruar tjetër se do hidhesh në Xhehenem i qortuar dhe i përzënë”. Allahu na e tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e çështjeve të përmendura duke thënë: “Kjo është nga urtësia që Zoti yt ka shpallur tek ti”.
11) Ajetin e sures Nisa që njihet dhe si ajeti 10 të drejtave, Allahu e filloi me fjalën e Tij: “Adhurojeni Allahun dhe mos i bëni shok Atij asgjë”.
12) Vërejtja rreth porosisë së Profetit -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- në prag të vdekjes.
13) Njohja e detyrës që kemi ndaj Allahut.
14) Njohja e të drejtës së robërve ndaj Allahut nëse ata e kryejnë obligimin e tyre.
15) Këtë çështje nuk e dinin shumica e sahabëve.
16) Lejimi i fshehjes së diturisë kur ka dobi.
17) Pëlqyeshmëria e përgëzimit të muslimanit me çfarë e gëzon atë.
18) Frika se mos mashtrohet robi duke iu mbështetur mëshirës së Allahut.
19) Thënia: Allahu dhe i Dërguari e dinë më së miri, kur ai që pyetet nuk e di atë gjë
20) Lejimi i dhënies së diturisë vetëm disa njerëzve veçmas të tjerëve.
21) Modestia e Profetit -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të-, gjë e cila duket në hipjen e gomarit dhe në shoqërimin e dikujt me të në kafshë.
22) Lejimi i shoqërimit mbi kafshë.
23) Vlera e Muadh bin Xhebelit.
24) Vlera dhe rëndësia e madhe e kësaj çështje.
Vazhdon . . .
Autor Muhamed Abduluehab
Përktheu Ebu Duxhanah, Shuajb Rexha
[1] Transmeton këtë ether Tirmidhiu nr 3072 dhe Bejhakiu në Shuabul iman sic thuhet kjo në Durrul Menthur 3/381
[2] Transmeton Buhariu 128,2856,5967 dhe Muslimi 30