Kuptimi i dëshmisë "La ilahe il-lAllah" dhe kushtet e saj

April 21, 2012


Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit Mëshirëplotit.

Me të vërtetë falënderimet i takojnë Allahut, vetëm Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. I lutemi Allahut të na ruajë prej të keqes së punëve dhe vetveteve tona. Atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush ta humbasë dhe atë që e humbet nuk ka kush ta udhëzojë përveç Tij. Dëshmoj e deklaroj se nuk meriton të adhurohet veçse Allahu dhe dëshmoj e deklaroj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

O vëllezër : Robër të Allahut!

Akidja së pari nëse doni ta dini.

Të xhumanë e kaluar folëm për teuhidin Uluhije dhe thamë se kuptimi i tij është se muslimani e ka detyrë të besojë me zemrën e tij se vetëm Allahu meriton të adhurohet; pra : S’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, dhe ky është edhe kuptimi i shehadetit.

Ndërsa sot do të flasim për dëshminë “La ilahe il-lAllah”

Vëllezër muslimanë!

Kjo frazë “La ilahe il-lAllah” është dëshmia e njësimit, për shkak të së cilës Allahu krijoi krijesat. Allahu i Madhëruar thotë : “Dhe nuk i krijova xhinët dhe njerëzit veçse për të më adhuruar” [Dharijatë : 56]

Kjo frazë “La ilahe il-lAllah” është dëshmia e njësimit, për shkak të së cilës luftoi i Dërguari i Allahut {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të}dhe për të ranë dëshmorë Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre). Ka thënë Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} : “Jam urdhëruar ti luftoj njerëzit derisa të dëshmojnë “La ilahe il-lAllah” se “Nuk meriton të adhurohet veçse Allahu” dhe se unë jam i Dërguari i Allahut, e nëse ata e bëjnë këtë, atëherë i kanë të shenjta gjakrat dhe pasuritë e tyre, veçse për të drejtat e saj, dhe llogaria e tyre i takon Allahut” [Sahihul Xhami’ : 1370]

“La ilahe il-lAllah” është dëshmia e njësimit, që nëse dikush e thotë atë duke dëshmuar gjithashtu se Muhamedi është i dërguari i Allahut atëherë, ai hyn në Islam dhe konsiderohet prej muslimanëve. Pas kësaj ai i ka të shenjta (të paprekshme) gjakun dhe pasurinë. Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} ka thënë : “Kush thotë “La ilahe il-lAllah” dhe mohon çka adhurohet veç Tij, ai i ka të shenjta gjakun dhe pasurinë, ndërsa llogaria e tij i takon Allahut” [Sahihul Xhami’ : 6314]

“La ilahe il-lAllah” është grada më e lartë e besimit. Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} ka thënë : “Besimi është gjashtëdhjetë e disa grada (shkallë), më e larta e tyre është “La ilahe il-lAllah” ndërsa më e ulëta është “heqja e një papastërtie nga rruga”, edhe turpi është nj gradë prej besimit” [ Buhari ]

“La ilahe il-lAllah” është dëshmia e njësimit, që nëse dikush e thotë atë kur gjendet në shtratin e vdekjes, e pastaj i del shpirti, atëherë, ai hyn në Xhenet. Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} ka thënë : “Ai njeri që fjalët e fundit të tij janë “La ilahe il-lAllah” do të hyjë në Xhenet” [Sahihul Xhami’ : 6355]

“La ilahe il-lAllah” është dëshmia e njësimit, e cila bëhet shkak që thënësi i saj të mos jetë përjetësisht në zjarr. Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} ka thënë : “Allahu ia ka bërë haram zjarrit (ia ka ndaluar) atë që ka thënë “La ilahe il-lAllah” duke shpresuar me të shpërblimin e Allahut” [Muslimi]  Ndërsa në hadithin e ndërmjetësimit, Allahu i Madhëruar u thotë engjëjve : “Nxirrni nga zjarri këdo që ka pasur në zemrën e tij qoftë edhe një thërrmijë besim” [Mutefekun alejhi]

Vëllezër muslimanë!

Dijeni se dëshmia “La ilahe il-lAllah”, dëshmia e njësimit, është ajo me të cilën ka dëshmuar Allahu për Veten e Tij, dhe me të dëshmuan për Allahun edhe engjëjt e dijetarët. Allahu i Madhëruar thotë : “Ka dëshmuar Allahu se nuk meriton të adhurohet askush përveç Tij, dëshmuan për këtë edhe engjëjt e dijetarët … Nuk meriton të adhurohet askush përveç Tij, e Ai është Krenari, i Urti” [Ali Imranë : 18]

Vëllezër besimtarë!

Një pyetje mund te brejë vetvetet tona kur flasim për këtë temë ; Vallë, kushdo që thotë “La ilahe il-lAllah” do të përfitojë prej saj në dynja dhe në ahiret dhe konsiderohet prej ithtarëve të saj? Përgjigja është jo! Pse? Sepse munafikët, në çdo vend dhe kohë thonë “La ilahe il-lAllah” dhe dëshmojnë se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, por edhe pse veprojnë kështu ata do të jenë në shtresën e fundit të zjarrit. Allahu i Madhëruar thotë : “Munafikët do të jenë në shtresën e fundit të zjarrit, e nuk mund të gjesh për ta ndihmues” [Nisa : 145]

Dhe në këto kohëra të habitshme, shumë prej njerëzve thonë “La ilahe il-lAllah” dhe dëshmojnë se Muhamedi është i Dërguari i Allahut por, kjo dëshmi është e pastër prej tyre dhe larg nga ata, madje ata do të jenë në shtresat e fundit të zjarrit, për shkak se ata e thonë me gjuhët e tyre por e mohojnë me zemra; thotë i Madhëruari : “Thonë me gjuhët e tyre atë qe nuk e kanë në zemra” thonë “Besuam në Allahun dhe në Ditën e fundit por ata nuk janë besimtarë. Ata mundohen të mashtrojnë Allahun dhe ata që besuan por nuk mashtrojnë veçse vetvetet e këtë nuk e ndiejnë” [Bekare : 8-9]

Ata thanë “La ilahe il-lAllah” me gjuhë, por e përgënjeshtrojnë me zemra, madje edhe urrejnë dëshmuesit e saj.

Ndërsa ai që thotë “La ilahe il-lAllah”, përmbush kushtet e saj dhe punon me domethënien e saj, do të përfitojë prej saj në dynja dhe në ahiret, e do të konsiderohet nga ithtarët e kësaj dëshmie.

Vëllezër muslimanë!

Dëshmia islame “La ilahe il-lAllah” përmban tetë kushte, që nëse dikush i përmbush ato dhe punon me domethënien e tyre, do të ketë dobi nga kjo dëshmi në dynja dhe në ahiret dhe do të hyjë në rrethin e muslimanëve. Këto kushte do ti përmend para jush dhe do tu pyes për to përpara Allahut Ditën e Gjykimit, prandaj kush dëshiron të shpëtojë nga dënimi i Allahut le ti mësojë këto kushte dhe ti zbatojë ato në mënyrë që të konsiderohet nga ata që e përmbushin domethënien e kësaj dëshmie.

Kushti i parë :  Të dish kuptimin e saj :

Është detyrë për këdo që thotë “La ilahe il-lAllah” që të dijë kuptimin e saj. Shumë njerëz e thonë këtë dëshmi por pak janë ata që e kuptojnë. Allahu i Madhëruar thotë : “Dije se nuk meriton të adhurohet me të drejtë veçse Allahu, dhe kërko falje për gabimet e tua, të besimtarëve dhe të besimtareve. Allahu i di mirë veprat dhe vendqëndrimet tuaja” [Muhamed : 19]

Dhe ka thënë Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të}: “Kush vdes duke e ditur se “Nuk meriton të adhurohet veçse Allahu” do të hyjë në Xhenet” [Muslimi]

Dije o rob i Allahut se dëshmia “La ilahe il-lAllah” përmban mohim e pastaj pohim ; “La ilahe” (nuk ka të adhuruar) është mohim, ndërsa “il-lAllah” (përveç Allahut) është pohim. Prandaj e ke detyrë që të mohosh të drejtën e adhurimit nga kushdo që adhurohet, pastaj ta pohosh atë vetëm për Allahun e Vetëm e të pa shok, sepse Allahu është i Vërteti, ndërsa ata që adhurohen përveç Tij janë të kotë.

Vëllezër muslimanë!

Injoranca ndaj kësaj fjale i ka bërë shumë prej njerëzve që të bien në shirk, duke menduar se i përsosin veprat që bëjnë. Ja populli i Musës {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} pasi Allahu i shpëtoi prej armikut të tyre, dhe pasi kaluan detin dhe dolën në bregun tjetër, kaluan pranë një populli që përuleshin para idhujve të tyre duke bërë kështu shirk ndaj Allahut të Madhëruar. Atëherë populli i Musës thanë : “O Musa, na bëj edhe ne një idhull ta adhurojmë ashtu siç kanë ata idhuj që i adhurojnë! Tha : – Ju jeni popull injorant! Vërtet, ai popull (që po adhuron idhuj) është i shkatërruar në atë (adhurim) dhe ajo që vepruan është e asgjësuar (s’ka dobi). Musa tha : – A të kërkoj për ju një zot tjetër veç Allahut, duke e ditur se Ai ju vlerësoi mbi njerëzit e tjerë?!” [A’rafë : 138-140]

Pra ai që thotë “La ilahe il-lAllah” por u lutet të tjerëve përveç Allahut, ai është injorant ndaj kësaj dëshmie. Ai që thotë “La ilahe il-lAllah” por bën tauaf rreth varreve të Sahabëve e Tabiinëve, është injorant ndaj kësaj Fjale. Prandaj është detyrë për dëshmuesin e saj që ti dijë kuptimin.

Kushti i dytë : Siguria në të, që nuk përmban dyshim :

Duhet që dëshmuesi i kësaj Fjale ta thotë atë, duke qenë i sigurt në zemrën e tij. Allahu i Madhëruar i ka cilësuar robërit e Tij besimtarë  në Kuran si njerëz të pa lëkundur, pra që nuk dyshojnë. Ai thotë : “S’ka dyshim, se besimtarët janë ata të cilët kanë besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij, e nuk janë lëkundur. Madje ata luftojnë në rrugën e Allahut me pasuritë dhe vetët e tyre. Të tillët janë besnikë” [Huxhuratë : 15] Dhe ka thënë Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} : “Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet me të drejtë veçse Allahu dhe se unë jam i Dërguari i Allahut ; nuk ka rob që e takon Allahun me këtë dëshmi pa dyshuar në të, veçse do të hyjë në Xhenet” [ Sahihul Xhami’ : 1009] Dhe ka thënë Ebu Hurejres : “Këdo që të takosh pas këtij muri që dëshmon “La ilahe il-lAllah” duke qenë i sigurt për të në zemrën e tij, përgëzoje atë me Xhenet”

Allahu i ka cilësuar munafikët si njerëz që dyshojnë në këtë Fjalë, prandaj ka thënë Allahu i Madhëruar : “..e u lëkundën zemrat e tyre, prandaj ata përpëliten në dyshimet që kanë” [Teube : 45] Prandaj munafikët janë të lëkundur, as me njërën palë e as me tjetrën. Allahu i Madhëruar thotë : “Ata janë të lëkundur mes tyre (besimit dhe mosbesimit) e nuk janë as me ata (me besimtarët) as me ata (me jobesimtarët). E atë që e humb Allahu ti kurrsesi nuk mund ti gjesh atij rrugë shpëtimi” [Nisa : 143]

Kushti i tretë : Pranimi i kësaj Dëshmie :

Dhe i gjithçkaje që përfshin ajo, duke i pranuar ato me zemrën, gjuhën dhe gjymtyrët e tua. Allahu i Madhëruar i ka cilësuar robërit e Tij besimtarë se ata para kësaj Dëshmie thonë : – Dëgjuam dhe u bindëm. Thotë i Madhëruari : “Fjala e besimtarëve të vërtetë kur ata thërriten për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij në mënyrë që të gjykojë (i Dërguari) mes tyre, është që të thonë “dëgjuam dhe u bindëm”. Të tillët janë të shpëtuarit” [Nur : 51]

Dhe i ka cilësuar ata që përgënjeshtrojnë  se kur u thuhet atyre :  – Thoni “La ilahe il-lAllah” , ata tregohen mendjemëdhenj. Allahu i Madhëruar thotë : “Ata ishin që kur u thuhej “La ilahe il-lAllah” tregoheshin mendjemëdhenj” [Safat : 35]

Sa ka prej njerëzve në këtë kohë që kur u thuhet atyre : – Thoni “La ilahe il-lAllah”, gjykohuni tek ajo, jetoni nën hijen e saj, luftoni për hir të saj, ata tregohen kryelartë dhe mendjemëdhenj?! Thonë : – A ti lemë të adhuruarit tanë për shkak të disa ekstremistëve mendjelehtë që e shtrëngojnë dhe vështirësojnë fenë?! Nuk ka as ndryshim e as fuqi veçse me ndihmën e Allahut, Zotit të botëve.

Kushti i katërt : Dorëzimi dhe bindja ndaj kësaj dëshmie :

Pra; është detyrë për dëshmuesin e kësaj Fjale që ti dorëzohet asaj dhe gjithçkaje që ajo përfshin. Thotë Allahu i Madhëruar : “E kthehuni tek Zoti juaj dhe dorëzojuni Atij, para se t’ju vijë juve dënimi e pastaj të mos ndihmoheni” [Zumer : 54]  Dhe thotë : “Dhe kush e dorëzon veten e tij tek Allahu, duke qenë i devotshëm, i tilli është kapur për lidhjen më të fortë, e tek Allahu do të jetë përfundimi i çështjeve” [Lukman : 22]

Pra, i bindet Allahut duke qenë njësues, e nëse vepron kështu, atëherë ai është kapur për lidhjen më të fortë, e cila është Fjala “La ilahe il-lAllah”.

Kushti i pestë : Besnikëria, e kundërta e përgënjeshtrimit :

Thënësi i kësaj dëshmie duhet ta thotë atë me besnikëri nga zemra e vet, sepse shumë prej njerëzve thonë “La ilahe il-lAllah” por ata janë prej mashtruesve më të mëdhenj. Allahu i Madhëruar thotë : “Elif, lam, mim. A menduan njerëzit se do të lejoheshin të thoshin besuam dhe se nuk do të sprovoheshin? Ne kemi sprovuar ata që ishin para tyre, e kjo, në mënyrë që të shfaqen ata që qenë besnik (në thënien e tyre) dhe të shfaqen mashtruesit” [Ankebutë : 1-3]

Dhe ka thënë : “E ka prej njerëzve që thonë – Besuam në Allahun dhe në Ditën e Fundit, por ata nuk janë besimtarë” [Bekare : 8] Dhe ka thënë Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të}: “Nuk ka njeri që dëshmon se nuk meriton të Adhurohet veçse Allahu dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij me besnikëri nga zemra, veçse Allahu e bën atë haram për zjarrin” [Mutefekun alejhi]

Kushti i gjashtë : Sinqeriteti :

Dëshmuesi i kësaj Fjale duhet që adhurimin e tij t’ia dedikojë vetëm Allahut, e jo të tjerëve përveç Tij, sepse nëse adhurimi u dedikohet të tjerëve përveç Tij atëherë, konsiderohet shirk. Ka thënë Allahu i Madhëruar : “Allahut i takon feja e pastër” [Zumer : 3] Dhe ka thënë : “Dhe nuk u urdhëruan për tjetër, veç që ta adhurojnë Allahun me sinqeritet dhe pastërti, të falin namazin, të japin zekatin, e kjo është feja e drejtë” [Bejine : 5] Dhe ka thënë Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} : “Njeriu më i lumtur nga ndërmjetësimi im Ditën e Gjykimit do të jetë ai që ka thënë “La ilahe il-lAllah” me sinqeritet nga zemra e tij” [Buhari] Dhe ka thënë : “Allahu ia ka bërë haram zjarrit atë njeri që ka thënë  “La ilahe il-lAllah” duke e bërë këtë për hir të Allahut” [Muslimi]

Kushti i shtatë : Dashuria për ithtarët e saj :

Allahu i Madhëruar thotë : “Ka prej njerëzve që zgjedhin në vend të Allahut idhuj, që i duan (i madhërojnë) ata ashtu siç (besimtarët e vërtetë) duan Allahun, por ata që besuan kanë më shumë dashuri për Allahun. E sikur ta dinin ata që bënë mizori se kur ta shohin dënimin (në botën tjetër) do të binden se e tërë fuqia i takon vetëm Allahut (e jo idhujve) dhe se Allahu është ndëshkues i rreptë” [Bekare : 165] Dhe ka thënë i Madhëruari : “Thuaj : -Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka shok, prandaj unë për këtë jam urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (të dorëzuarve)” [EnAmë : 162]

Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} ka thënë : “Nëse tre gjëra gjenden tek dikush atëherë ai ka gjetur me to ëmbëlsinë e besimit ; Të jenë Allahu dhe i Dërguari i Tij më të dashurit për të nga çdokush tjetër; Të dojë dikë vetëm për hir të Allahut; Dhe të urrejë kthimin në kufër (mohim) pasi Allahu e shpëtoi prej tij ashtu siç urren të hidhet në zjarr” [Sahihul xhami’ : 3040]

Kushti i tetë : Mohimi i tagutit :

Tagut quhet çdokush që adhurohet veç Allahut, me dëshirën e tij. Prandaj nëse dikush adhurohet nga njerëzit me dëshirën e tij, atëherë ai quhet tagut.

Allahu i Madhëruar thotë : “Nuk ka imponim në fe, është sqaruar e vërteta nga e kota, prandaj kush mohon tagutin dhe beson Allahun, ai është kapur për lidhjen më të fortë e cila nuk ka këputje. Allahu është Dëgjues dhe i Gjithëdijshëm” [Bekare : 256]

Profeti {Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të} ka thënë : “Ai që dëshmon “La ilahe il-lAllah” dhe mohon çdo gjë që adhurohet veç Allahut, i ka të shenjta gjakun dhe pasurinë e tij, e llogaria e tij i përket Allahut” [Muslimi]

I lutem Allahut të na bëjë të gjithëve të kuptojmë më së miri dëshminë “La ilahe il-lAllah” dhe të na bëjë prej ithtarëve të saj.

Marrë nga libri me hutbe i shejhut të nderuar

Salih bin Taha Abdul Uahid ( Ebu Islam)

Nxënës i shejh Albanit Allahu e mëshiroftë.

El Akidetu Euelen”   1/97-102

Përktheu :

Mirandi Shehaj

Loading...