Kur të lutesh mos u nxito!

Thotë Profeti (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të): “Vazhdon të marrë përgjigje robi për lutjet e tij për sa kohë që nuk lutet për diçka që është gjynah apo ndërprerje e lidhjeve farefisnore, dhe për sa kohë që nuk nxitohet. – I thanë: E çfarë është nxitimi? – Tha: Thotë (njeriu): U luta dhe u luta e nuk po e shikoj përgjigjen, – atëherë e ndërpret lutjen.” Transmeton Muslimi.

Ka thënë Ibën Kajimi -rahimehullah-:

“Kush lutet dhe i vonohet përgjigja dhe e braktis duanë, është si ai që e mbjell farën, e ujit dhe kujdeset për të. Por kur i afrohet koha e vjeljes, e braktis.”

Ka thënë Daudi: Frikësohet për atë që kundërshton dhe thotë: ‘U luta dhe nuk mora përgjigje’, se do t’i privohet përgjigja. Apo ato që zënë vendin e saj të cilat janë rezervimi i shpërblimit të sevapit të saj (Ditën e Gjykimit) dhe falja e gjynaheve.

Në fillim të temës erdhën hadithet që tregojnë se duaja e besimtarit nuk refuzohet dhe se atij ose do t’i shpejtohet përgjigja, ose do t’i zmbrapset një e keqe si ajo, ose do t’i rezervohet Ditën e Gjykimit diçka më e mirë nga ajo që u lut.

Ka thënë Ibnul Xheuzij: Dije se duaja e besimtarit nuk kthehet mbrapsht (pa asgjë) veçse mund të jetë më e dobishme për të (ndonjëherë) vonesa e përgjigjes, ose kompensimi me diçka që është më e dobishme për të në të ardhmen e tij, të afërt apo të largët. Prandaj duhet që muslimani të mos e ndërpresë kërkimin prej Zotit të tij sepse ai është në adhurim gjatë momentit të lutjes, ashtu siç është në adhurim kur ia dorëzon çështjen e tij Allahut.

Prej edukatës së përgjithshme të duasë është zgjedhja e kohëve të vlefshme siç është koha kur je në sexhde, ose pas ezanit. Ta paraprijë atë me abdes, namaz, drejtim nga kibla, ngritja e duarve, pendimi para saj, pranimi i gjynahut, sinqeriteti, hapja e saj me falënderim dhe madhërim të Allahut e me salavate mbi Profetin -sal lall llahu alejhi ue sel lem-. Të lutet me emrat e bukur të Allahut.

Besimtari duhet të dijë se lutja bëhet në çdo kohë, në çdo lloj gjendje dhe në çdo vend përveç vendeve të pista, por edhe aty mund të lutet nëse është në rrethana të jashtëzakonshme.

Umeri – radijallahu anhu – thoshte: “Unë nuk brengosem për përgjigjen e duasë por unë brengosem për duanë.” Kjo sepse Allahu ka premtuar në Kuran: “…i përgjigjem lutjes së atij që më lutet.” (Bekare: 186) Dhe në një vend tjetër thuhet: “Kush është Ai që i përgjigjet lutjes së nevojtarit kur ai i lutet, dhe ia largon të keqen.” (Neml: 62) Dhe në një vend tjetër: “Dhe tha Zoti juaj: Lutmuni Mua t’ju përgjijem juve.” (Gafir: 60)

Marrë nga libri “Fet’hul Bari” me pak shtesa.