Kush e fal namazin e sabahut është në mbrojtjen e Allahut!
Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Kush e fal namazin e sabahut (të mëngjesit) është nën mbrojtjen e Zotit, prandaj mos e cënoni nbrojtjen e Tij për asgjë, sepse kushdo që cënon diçka nga kjo mbrojtje, Ai do ta arrijë atë, pastaj do ta përplasë për fytyre në zjarrin e xhehenemit.” Ky hadith është tranmetuar nga Muslimi në Sahihun e tij.
Fjala e Profetit (alejhi selam): “Kush e fal namazin e sabahut” nënkupton faljen e namazit të sabahut. “Ai do të jetë nën mbrojtjen e Allahut.” Domethënë, kur e fal namazin e sabahut siç e ka urdhëruar Zoti i Mafhëruar, pra burri e fal atë me xhemat në xhami dhe gruaja e fal atë në kohën e vet, atëherë ai ose ajo janë në mbrojtjen e Allahut. “Në mbrojtjen e Zotit” do të thotë nën mbrojtjen, kujdesin dhe garancinë e Zotit të Lartësuar.
Kjo sepse vetëm ai që është i sinqertë me Allahun tregon kujdes për faljen e namazit të sabahut. Ai që ka një besim të fortë, zgjohet nga gjumi, heq dorë nga komoditeti dhe e fal këtë namaz ashtu siç e ka urdhëruar Allahu.
Po të mos ishte kjo forcë e besimit, nuk do ta bënte këtë. Ky besimtar i sinqertë me Zotin, i cili iu përgjigj thirrjes dhe e fali namazin e sabahut ashtu siç e urdhëroi Zoti, i është premtuar se do të jetë nën kujdesin dhe mbrojtjen e Allahut gjatë gjithë ditës.
Prandaj, Profeti (alejhi selam) tha: “Ndaj mos e shkelni mbrojtjen e Tij për asgjë” që do të thotë se askush nuk duhet ta shqetësojë këtë besimtar të sinqertë me Zotin, i cili e fali namazin e sabahut ashtu siç e urdhëroi Allahu.
Pastaj, Profeti (alejhi selam) e paralajmëroi atë që e shqetëson këtë besimtar, duke thënë: “Kushdo që cënon diçka nga kjo mbrojtje, Ai do ta përplasë për fytyre në zjarr.” Ky është një paralajmërim për këdo që e shqetëson apo sulmon besimtarin e sinqertë.
Prandaj, muslimani duhet të ketë kujdes për këtë namaz dhe për të gjitha namazet në përgjithësi, pork y është më i rëndë sepse vjen pas periudhës së gjumit. Njeriu duhet të zgjohet nga gjumi, të lërë rehatinë dhe t’i përgjigjet thirrjes së Zotit të Lartësuar, dhe ta falë namazin e sabahut ashtu siç e ka urdhëruar Zoti. Dhe kjo tregon forcën e besimit të tij.
Nëse e sheh veten se je i rregullt me faljen e namazit të sabahut me xhematin në xhami çdo ditë, kjo është dëshmi e forcës së besimit tënd me lejen e Allahut dhe se je i sinqertë me Të. Dhe ti do të jesh nën mbrojtjen, kujdesin dhe garantimin e Zotit të Lartësuar.
Gjithashtu në namazin e sabahut (dhe të ikindisë) mblidhen engjëjt. Engjëjt e natës dhe engjëjt e ditës ndërrohen në këtë kohë. Çdo njeri është i mbrojtur nga dy engjëj që e ruajnë me urdhërin e Allahut të Madhëruar, përpara tij dhe pas tij. Po ashtu dy engjëj të tjerë që shkruajnë veprat e tij: njëri nga ana e djathtë dhe tjetri nga ana e majtë. Këta janë katër engjëj që e rrethojnë njeriun dhe ndërrohen gjatë namazit të sabahut (agimit) dhe namazit të ikindisë (pasdites).
Siç ka thënë Profeti (alejhi selam): Engjëjt ndërrohen me njëri-tjetrin gjatë natës dhe gjatë ditës. Ata mblidhen gjatë namazit të sahabut dhe namazit të ikindisë. “Pastaj Zoti i tyre i pyet ata – edhe pse Ai e di më mirë – Si i gjetët robërit e Mi? Ata përgjigjen: I gjetëm duke u falur dhe i lamë duke u falur.”
Shejh Sead el Hathlan
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: namazin e sabahut
Të Ngjashme
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve
- Rregull i pandryshueshëm: Çdo gjë që përdoret për të kundërshtuar Allahun, ajo ka për tu prishur. Udha e Besimtarëve
- Statusi dhe vlera e fikhut në Islam Udha e Besimtarëve