Kushtoi rëndësi faljes së namazit të teravive!

March 18, 2023

Namazi i teravive, është namazi i natës i cili kryhet gjatë muajit të Ramazanit. Fjala “teravi” është shumësi i fjalës “teruihatun” e cila rrjedh nga fjala “rahatun”, që do të thotë çlodhje, pushim. Është emërtuar kështu ngaqë gjatë faljes së këtij namazi bëhet një pushim i shkurtër pas çdo katër-rekatësh.

Ky namaz vullnetar është nga veprat më të mira që kryhen gjatë këtij muaji të begatë, si për meshkujt ashtu edhe për femrat.

Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu tregon se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i nxiste njerëzit për t’u falur gjatë natës në Ramazan, por jo në mënyrë të detyrueshme.

Ai thoshte: “Kush falet gjatë netëve të Ramazanit me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, do t`i falen mëkatet që i ka bërë më herët.” (E transmeton Buhariu me nr. 37 dhe Muslimi me nr. 759.)

Ibn Battali, komentuesi i njohur i haditheve thotë:

“Me besim” d.m.th.: Duke besuar në mirësinë që Allahu i Madhëruar i ka caktuar kësaj vepre. “Duke shpresuar shpërblimin” d.m.th.: Duke e bërë këtë vepër me qëllimin për të merituar shpërblimin e Allahut.

Sa rekate falet namazi i teravive?
Ebu Seleme bin Abdurrahman bin Aufi, tregon se e ka pyetur Aishen: Si ka qenë namazi i Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në Ramazan?

Ajo tha: “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, si në muajin e Ramazanit ashtu dhe në muajt e tjerë, nuk falte (namaz nate) më tepër se njëmbëdhjetë rekate. Ai falte katër rekate dhe mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre, pastaj falte katër rekate të tjera dhe mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre, pastaj falte tre rekate” (E transmeton Buhariu me nr. 3569 dhe Muslimi me nr. 738.)
Ky hadith orienton dhe argumenton më së miri në lidhje me këtë çështje. Kjo për tre arsye:

1-   Është hadithi më i saktë në lidhje me këtë çështje, sepse transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi.

2-   Është hadithi më i qartë, i cili i vë një kufi sasior këtij namazi.

3- Është hadithi që tregon për praktikën profetike, ndërkohë që transmetimet e tjera tregojnë vepra të sahabëve apo të tabi’inëve.

Falja e teravive me xhemat
Planifikoje që namazin e teravive ta falësh në xhami me xhematin, pasi në këtë mënyrë arrin ta ndjesh më tepër ëmbëlsinë dhe kënaqësinë   e këtij adhurimi, si dhe do të shpërblehesh më shumë sesa po të falesh vetëm.

I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush falet natën (gjatë Ramazanit) me imamin derisa ai ta përfundojë namazin, do t’i shkruhet shpërblimi sikur të ketë falur namaz tërë natën.” (E transmeton Tirmidhiu me nr. 806 dhe Nesaiu me nr. 1605. Albani e ka konsideruar hadith të saktë në “Sahihu et Tirmidhi” me nr. 734.)

 

Loading...