A lejohet bërja e kurbanit kur ndërtohet gjysma e shtëpisë, apo kur plotësohet (përfundon) ndërtimi i saj?

Është pyetur Shejh Bin Bazi (Allahu e mëshiroftë): A lejohet bërja e kurbanit kur ndërtohet gjysma e shtëpisë, apo kur plotësohet (përfundon) ndërtimi i saj?

Përgjigje:  Ky veprim kërkon shtjellim. Nëse ka për qëllim mbrojten nga xhindët apo ndonjë qëllim tjetër nga i zoti i shtëpisë, se me bërjen e këtij kurbani ndodh kjo apo ajo gjë dhe se ai (kurbani) i mbron banorët e asaj shtëpie,  ky veprim nuk lejohet dhe konsiderohet prej risive në fe. Nëse (kurbani) bëhet për xhindët atëherë është shirk i madh (idhujtari) sepse është adhurim që bëhet për dikë tjetër veç Allahut.

Por, nëse (kurbani) bëhet si falenderim për Allahun, që i mundësoi ndertimin e gjysmës së shtëpisë apo ndërtimin e çatisë dhe mbledh të afërmit apo komshinjtë (për të ngrënë nga kurbani) kjo është e lejuar .

Këtë e veprojnë shumë prej njerëzve në shenjë falenderimi dhe pohimi të mirësive që Allahu u ka dhënë, sepse i largoi nga qeraja dhe u mundësoi banesën (në pronën e tyre) pa qera. Apo siç bëjnë disa njerëz kur vijnë nga udhëtimi. Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të), kur vinte nga ndonjë udhëtim, bënte kurban një deve dhe thërriste njerëzit në gosti. Buhariu(3089)

[Fetvatë e Bin Bazit 5/388].
Shejh Ibn Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:”Disa njerëz kur ndërrojnë shtëpi, bëjnë kurban dhe thërrasin komshinjtë dhe të afermit. Ky veprim lejohet dhe s’ka problem nëse nuk është i shoqëruar me ndonjë besim të prishur siç ndodh në disa vende; kur shkojnë në ndonjë shtëpi, e para gjë që bëjnë: Marrin një dash dhe e therin në pragun e derës me qëllim që gjaku të rrjedhë mbi prag dhe thonë: Kjo i pengon xhindët që të hyjnë brenda kësaj shtëpie. Ky konsiderohet besim i prishur dhe nuk ka asnjë lloj origjine në fenë tonë.

Ndërsa therja e kurbanit në shenjë gëzimi, ska problem dhe është i lejuar.

[Sherhul El-mumti”(7/550,551)]

Përktheu Arjan Gazidede