Është pyetur shejh Ibën Bazi për dispozitën e largimit të magjisë duke përdorur vetë magjinë në raste të domosdoshme?
Dhe është përgjigjur: Nuk lejohet kurimi i magjisë duke përdorur magjinë, sepse Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem kur është pyetur për prishjen e magjisë tek magjistari ka thënë: “Ajo është prej punëve të shejtanit.”
Prishja e magjisë tek magjistari përmban thirrjen e xhindëve dhe kërkimin e ndihmës prej tyre, dhe kjo vepër është shirk i madh. Allahu i Lartësuar e ka përmendur çështjen e dy engjëjve kur ata u thonin njerëzve që donin të mësonin magjinë: “Këta engjëj nuk i mësonin ndokujt magji pa i thënë: Ne jemi dërguar për t’ju vënë në provë, andaj mos u bëj mohues (duke mësuar apo ushtruar magjinë)!” | El Bekare: 102.
Para këtyre fjalëve, Allahu i Lartësuar thotë: “ Dhe shkuan pas shpifjeve që bënin djajtë kundër mbretërisë së Sulejmanit. E Sulejmani nuk ishte mohues, por djajtë ishin mohues. Ata u mësonin njerëzve magjinë dhe dijeninë që u ishte dërguar dy engjëjve në Babiloni, Harutit dhe Marutit. “ | El Bekare: 102.
Pas këtyre fjalëve, Allahu i Lartësuar thotë: “Këta engjëj nuk i mësonin ndokujt magjinë pa i thënë: Ne jemi dërguar për t’ju vënë në provë, andaj mos u bëj mohues (duke mësuar apo ushtruar magjinë). Dhe njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët. Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut. E megjithatë, njerëzit mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi. Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër. Eh, sa e keqe është ajo për të cilën shitën shpirtrat e tyre! Ah sikur ta dinin! Sikur ata të besonin dhe të ruheshin (nga gjynahet) shpërblimi i Allahut do të ishte më i mirë. Ah sikur ta dinin!“ | El Bekare: 102-103.
Në këto dy ajete ka paralajmërim të qartë nga të mësuarit e magjisë dhe në mësimin e saj të tjerëve.
Aty paralajmërohet se kjo punë është vepër e shejtanit dhe se mësimi i magjisë është mohim që bie ndesh me besimin. Nëpërmjet magjisë mund të ndahet burri prej gruas dhe kjo është prej zullumit më të madh dhe shkatërrimit në tokë.
Gjithashtu, çdo gjë që ndodh prej të keqes apo të mirës ndodh me lejen e Allahut. Kur themi me lejen e Allahut kemi për qëllim atë që Ai ka lejuar të ndodhë në ligjet e Tij universale, si dhe përfitojmë se të mësuarit e magjisë dëmton dhe nuk bën aspak dobi.
Ashtu sikurse ai që e vepron (magjinë) nuk posedon asgjë tek Allahu, që do të thotë se nuk posedon asnjë të mirë tek Allahu. Ky është kërcënim i madh që e bën njeriun të ndalet nga mësimi i magjisë apo që t’ua mësojë atë të tjerëve.
Gjithashtu mësojmë se Allahu i poshtëron ata që merren me magji, siç ka thënë në fjalën e Tij: “Eh sa e keqe është ajo për të cilën shitën shpirtrat e tyre! Ah sikur ta dinin!” Qëllimi me shitjen është ajo çka ata blenë në realitet.
Në këto ajete Allahu i Lartësuar na lajmëron se kjo vepër (magjia) bie ndesh me besimin dhe devotshmërinë. Pas gjithë fakteve që u thanë i bëhet e qartë secilit prej muslimanëve ndalimi i rreptë i mësimit të magjisë, si dhe dëmi dhe shkatërrimi i madh që vjen si pasojë e kësaj vepre, ashtu sikurse është mohim pas besimit dhe dezertim nga islami. Allahu na ruajt nga diçka e tillë! Prandaj muslimani duhet të mjaftohet me shërimin e lejuar dhe me kurat e lejuara, e jo me atë që e ka ndaluar Allahu i Madhëruar. Prej Allahut vjen suksesi!
Marrë nga: “Mexheletu dave”, 10-11-1414 h.
Përktheu: Ylli Rama
Dosje: Porositë e Etërve
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures el Fatihah në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Bashkimi i namazit të xhumasë me atë të ikindisë Udha e Besimtarëve
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli