Margaritari i Përzgjedhur Rreth Vlerave të Fesë Islame – pjesa e katërt

 

 

Margaritari i Përzgjedhur Rreth Vlerave të Fesë Islame – pjesa e katërt

 

SHEMBULLI I SHTATË

Kjo fe ka lejuar shitblerjen, qiranë, ortakërinë dhe llojet e tjera të bashkëpunimit me anë të të cilave njerëzit shkëmbejnë nevojat e tyre qoftë në pasuri, borxhe dhe interesa të tjera. Kjo fe e përsosur e ka lejuar këtë dhe njerëzit gëzojnë lirinë e veprimit në këtë, sepse kjo përfshin nevojat dhe interesat e domosdoshme, të nevojshme dhe lukset. Ajo i ka dhënë mundësi atyre duke iu shtrirë atyre begati aq sa të rregullohen hallet dhe gjendjet e tyre dhe të lehtësohet jetesa e tyre. Mirëpo kjo fe e ka kushtëzuar lejimin e këtyre gjërave me pëlqimin e të dyja palëve, me njohjen e përbërjes së aktmarrëveshjes, me njohjen e mallit për të cilin u krye aktmarrëveshja, me njohjen e vendit të aktmarrëveshjes dhe me njohjen e kushteve të tjera që nevojiten gjatë aktmarrëveshjes.

Në këtë fe është e ndaluar gjithçka që përmban dëm dhe padrejtësi prej llojeve të kumarit, kamatës (fajdesë) dhe injorancës. Kush vështron duke menduar bashkëpunimet të cilat i ka lejuar ligji Islam, ka për të gjetur se ato janë të lidhura ngushtë me mbarëvajtjen e fesë dhe me mbarëvajtjen e kësaj bote. Ai ka për të dëshmuar bindshëm se Allahu zotëron mëshirë të pakufishme dhe mençuri e urtësi të plotë. Kjo sepse Allahu u ka lejuar robërve të Tij të gjitha gjërat e këndshme duke filluar me gjërat fitimprurëse, ushqimet, pijet dhe rrugët e përfitimeve të sistemuara sipas urtësisë së plotë.

 

SHEMBULLI I TETË

Kjo fe ka lejuar të gjitha gjërat e këndshme qofshin ato ushqime, pije, rroba, martesa etj. Në këtë fe është lejuar çdo gjë e këndshme dhe e dobishme prej llojeve të farave, frutave, mishrave të detit pa përjashtim dhe gjallesat e tokës. Prej të gjitha këtyre që përmendëm Ai ka ndaluar vetëm atë që është e dëmshme dhe e neveritshme për fenë, logjikën, trupin dhe pasurinë. Çdo gjë e lejuar është prej bamirësisë së Allahut të Lartmadhëruar dhe prej bukurisë së fesë së Tij. Gjithashtu çfarë ka ndaluar është prej bamirësisë dhe bukurisë së fesë së Tij. Ai ka ndaluar atë ç’ka është e dëmshme për ta. Bukuria dhe mirësia ndjekin urtësinë, mençurinë, interesin dhe shmangin dëmet.


Martesa në këtë fe është e lejuar dhe njeriu mund të martohet dhe të zgjedhë prej grave sa të dojë, qoftë dy, tre e deri në katër. Tek lejimi i kësaj çështjeje gjendet interesi i të dyja palëve. Nuk i lejohet askujt të martohet me më tepër se katër gra të lira, sepse nëse tejkalohet kjo ka pasoja të këqija si: padrejtësia dhe lënia e drejtësisë dhe e barazisë. Gjithashtu nuk duhet harruar të përmendet se, nëse njeriu ka frikë se bën padrejtësi dhe nuk i përmbush dispozitat e Allahut në lidhjen martesore, atëherë Islami e ka nxitur të martohet vetëm me një, me qëllim që t’i përmbushë sa më mirë detyrat dhe të drejtat. Duke qenë se martesa është nga begatitë më të mëdha dhe prej gjërave më të domosdoshme, po ashtu dhe divorci kryhet kur njeriu ka frikë të bashkëjetojë me atë që nuk mund të gjejë gjuhën e mirëkuptimit dhe ka frikë se do të jetojë një jetë të tensionuar, gjithnjë e në keqësim, me telashe dhe në një vështirësi katastrofike. Allahu i Lartëmadhëruar thotë:

و ان يتفرقا يغني الله كل من سعته

Por nëse ata ndahen, Allahu do t’ju japë atyre furnizim të bollshëm nga begatitë e Tij“.

SHEMBULLI I NËNTË


Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë vendosur për krijesat të drejta të cilat nuk duhet të shkelen. Ato të drejta janë mbarëvajtje, mirësi, dëlirësi, bamirësi, drejtësi, ndershmëri, çiltërsi dhe janë larg padrejtësisë dhe dredhisë. Vështro të drejtat të cilat i ka obliguar Allahu ndaj prindërve, fëmijëve, të afërmeve, fqinjëve, shokëve, bashkëpunëtorëve dhe bashkëshortëve midis tyre. Të gjitha këto janë të drejta të domosdoshme dhe të drejta jothelbësore të cilat i presin me zemër të hapur natyrshmërinë e pastër dhe mendjet e shëndosha. Me anë të këtyre gjërave realizohen përzierjet dhe kontaktet me njerëzit, shkëmbehen interesat dhe përfitimet, që të gjitha realizohen në bazë të së drejtës që meriton çdo person dhe në bazë të shkallës së tij në shoqëri. Çdo here që do të thellohesh duke menduar rreth kësaj, ke për të gjetur në të mirësi e shmangie të së keqes, ke për të gjetur interesa të përgjithshme dhe vetjake, afrimitetin dhe bashkëjetesën e përsosur. Që të gjitha këto që përmendëm të bëjnë të dëshmosh me bindje të plotë se kjo fe të garanton lumturi dhe gëzim në të dyja botët. Do të vëresh se këto të drejta ecin me kohën, vendin, gjendjen dhe realitetin. Ato sjellin dobitë dhe interesat, me anë të tyre realizohet bashkëpunimi i plotë në çështjet e fesë dhe të kësaj bote, ato sjellin nocionet dhe mendimet, ato shmangin urrejtjet dhe mëritë. Këto që përmendëm njihen me anë të vëzhgimit të hollësishëm, konkluzionit dhe përfundimit që del prej burimeve kryesore të tyre.

SHEMBULLI I DHJETË


Kjo fe përfshin transferimin e pasurisë dhe gjërave të cilat i ka lënë njeriu mbas vdekjes dhe na tregon mënyrën e ndarjes së pasurisë tek trashëgimtarët. Allahu i Lartëmadhëruar e ka treguar urtësinë dhe mençurinë e kësaj gjëje duke thënë:


لا تدرون ايهم أقرب لكم نفعا

Ju nuk e dini se cili prej tyre është më i dobishëm për ju“.


Allahu e vendosi Vetë në bazë të dijes së Tij rreth afrueshmërisë së dobisë dhe jo kë dëshiron njeriu në përgjithësi që t’ia trashëgojë pasurinë e tij, e kush është njeriu që më shumë e meriton bamirësinë dhe mirësinë e tij. Ai i ka paraqitur ata në një renditje të përkryer, sa që mendjet e shëndosha e dëshmojnë dhe e pohojnë këtë. Nëse kjo çështje do t’i dorëzohej njerëzve që të merreshin me të sipas epshit dhe dëshirës së tyre do të kishte pasoja negative si: probleme, ndërlikime s’do të kishte rregull, do të binin viktima të zgjedhjes së keqe dhe do të krijohej një rrëmujë e vërtetë. Gjithashtu është e pëlqyeshme në këtë fe që njeriu të lerë diçka si porosi në institucionet e bamirësisë dhe devotshmërisë që t’i bëjë dobi ajo në botën tjetër. Kjo pasuri është e kufizuar dhe nuk lejohet që ta kalojë një të tretën dhe nuk duhet të jetë për trashëguesit, por për dikë tjetër. Kështu që nuk kanë për t’u bërë gjërat që Allahu i ka vendosur rregulla për njerëzit lojëra me të cilat zbaviten mendjengushtët të cilët nuk janë kapur fort me fenë gjatë shpërnguljes së tyre nga kjo botë. Kurse për sa i përket kohës që gëzojnë shëndet në trupat dhe mendjet tyre, zakonisht nuk e shpenzojnë pasurinë në humbje të tyre, sepse i tremben varfërisë dhe falimentimit.

SHEMBULLI I NJËMBËDHJETË


Sheriati Islam ka vendosur masa dënimi të shumëllojshme të cilat ndryshojnë sipas krimeve. Këto masa dënimi janë vendosur për arsye se krimet dhe shkelja e të drejtave të Allahut dhe shkelja e të drejtave të robërve të Tij janë nga mizoritë më të mëdha të cilat cenojnë sistemin dhe rregullin, ato cenojnë fenë dhe botën. Prandaj në fenë Islame është vendosur masa e dënimit si vrasja, prerja, kamxhiku dhe lloje të tjera ndëshkuese kundra krimeve dhe mizorive të cilat i rrallojnë këto ngjarje dhe i shmangin njerëzit prej tyre. Të gjitha këto përmbajnë aq shumë interesa dhe përfitime saqë dëshmon njeriu që ka logjikë se ky sheriat është i mrekullueshëm dhe se të këqijat nuk mund të ndalohen plotësisht vetëm se me masat të cilat i ka vendosur Sheriati dhe i ka renditur ato në bazë të krimeve se është krimi i madh apo i vogël, është shumë apo pak.

 

SHEMBULLI I DYMBËDHJETË

 

Sheriati Islam ka urdhëruar që të pengohet njeriu nga shpenzimi i pasurisë së tij nëse ai shpenzim dëmton vetë atë apo dikë tjetër. Siç ka ndaluar p.sh. budallain, të voglin, mendjelehtin dhe të tjerë si dhe ndalimi i borxhliut prej shpenzimit. Ky ndalim është në interes të huadhënësve të tij. Të gjitha këto janë prej bukurive të këtij sheriati, i cili e ndaloi njeriun prej shpenzimit të pasurisë së tij, gjë e cila në origjinë është plotësisht e lejuar për të. Por kur dëmi i shpenzimit ishte më i madh se dobia e tij dhe e keqja më e madhe se mirësia, atëherë sheriati e ndaloi atë prej shpenzimeve me qëllim që të kryhen shpenzimet e tija në interes të tij. Sheriati i ka udhëzuar njerëzit aq mbarë saqë çdo shpenzim i tyre të jetë i dobishëm dhe pa asnjë dëm.

 

SHEMBULLI I TREMBËDHJETË

 

Sheriati na ka urdhëruar të përdorim dokumentet me të cilat mbrojnë njerëzit të drejtat e tyre. Siç është shembulli i dëshmisë me të cilën mbrohen të drejtat, ndalohet mohimi dhe shmanget dyshimi. Gjithashtu është lënia peng e diçkaje, siguracioni, garancia me të cilat nëse nuk mund të realizohet e drejta e atij që ka të drejtë, atëherë kthehet tek dokumentacioni përkatës për të mbrojtur të drejtën e tij. Duken qartë dobitë e shumëllojshme të cilat i përfitojmë prej dokumentacionit. Me anë të tij mbrohen të drejtat, rregullohen punët dhe bashkëpunimet fitojnë mbarëvajtje. Nëse nuk ekzistojnë dokumentacionet do të prishet pjesa më e madhe e bashkëpunimeve dhe marrëveshjeve. Dokumentacionet janë të dobishme dhe të vlefshme për atë që kanë lidhur marrëveshjen dhe për atë që ka të drejtë. Arsyet e dobisë së tyre janë të njohura në shoqëri.

 

Vazhdon . . .

 

Autor dijetari i njohur AbduRrahman bin Nasir Se’adi
Përshtati në shqip Bledar Ali