Martesa e muslimanit

September 16, 2019

Zgjidhe fetare, të lumshin duart!

Imam Abdullah bin el-Mubarak[1] (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Njerëzit e kohës së injorancës martohen për shkak të prejardhjes, hebrenjtë për shkak të pasurisë, të krishterët për shkak të bukurisë, ndërsa ky umet për shkak të fesë.”[2]

Dobitë që përfitohen:

E para: Kundërshtimi i ithtarëve të librit qoftë dhe në çështjen e martesës, ngase i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) përherë synonte t’i kundërshtone ata si p.sh.:

  • Në ngrënien e syfyrit: “Dallimi mes agjërimit tonë dhe agjërimit të ithtarëve të Librit është ngrënia e syfyrit”.[3]
  • Në shpejtimin e iftarit: “Do të vazhdojë feja të jetë triumfuese derisa njerëzit t’a shpejtojnë iftarin, ngase çifutët dhe të krishterët e vonojnë atë.[4]
  • Në faljen e namazit me këpucë: “I kundërshtoni çifutët dhe faluni me këpucët tuaj, ngase ata nuk falen me këpucë.[5]
  • Në ngjyrosjen e flokëve apo qimeve të mjekrës: “Me të vërtetë çifutët dhe të krishterët nuk i lyejnë flokët, prandaj i kundërshtoni ata”.[6]
  • Në shoqërimin e agjërimit të Ashuras me një ditë para.

E dyta: Synimin kryesor në martesën e tij muskimani duhet të kete gjetjen e një gruaje fetare, bazuar kjo në fjalën e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Martohesh me një grua për katër gjëra: për pasurinë e saj, për prejardhjen e saj, për bukurinë e saj dhe për fenë e saj. Zgjidhe fetaren, të lumshin duart![7]

Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Kuptimi i saktë i këtij hadithi është se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) na ka treguar se çfarë janë ato gjëra që i kërkon njeriu zakonisht nga gruaja me të cilën do të fejohet, të cilat janë; feja, pasuria, farefisnia dhe bukuria. Në fund të kësaj liste njerëzit vendosin fenë ndaj dhe Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) na thotë se më primare është feja dhe këshillon për zgjedhjen e një gruaje fetare (besimtare).”[8]

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë!) thotë: Nuk është qëllimi që njeriu të martohet porse e gjithë çështja është se me kë po martohesh. Kjo është ajo që kërkohet prandaj zgjidh një grua fetare të mirë.[9] E nëse bashkë me fenë e saj ka prejardhje të mirë, është e bukur dhe e pasur, atëherë kjo është mirësi mbi mirësi. Por që t’i japësh përparësi pasurisë, bukurisë dhe prejardhjes dhe jo fesë, kjo është humbje.[10]

E treta: Kur themi “fetare” në të bën pjesë morali dhe sjellja e mirë. I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nëse u vjen dikush për martësë të cilit i’a pëlqeni moralin dhe fenë, atëherë martojeni atë (me vajzën apo motrën tuaj). E nëse nuk e bëni këtë, atëherë do të ketë trazira në tokë dhe prishje të madhe.”[11] Prandaj, lind si detyrë për burrin që të sigurohet për sjelljen e femrës e cila në një të ardhme të shpejtë do të jetë gruaja e tij, nëna e fëmijëve të tij dhe njeriu të cilit do t’i hapet për çdo gjë të fshehtë. Le t’a ketë të qartë muslimani se lënia pas dore e interesimit për atë me të cilën do të fejohet, do t’i sjellë pasi të martohet probleme nga më të ndryshmet. Të njëjtën gjë duhet të kërkojë dhe femra tek ai që nëser do bëhet bashkëshorti i saj dhe babai i fëmijëve të saj.

E katërta: Martesa nuk mund të bëhet vetëm se:

  1. Në prani të përgjegjësit ligjor.[12] Kujdestaria e vajzës i takon babait të saj, e nëse ai nuk është (ka vdekur) atëherë kalon te gjyshi (nga ana e babait), xhaxhai, vëllai, e kështu me radhë.
  2. Dëshmitarëve të drejtë.
  3. Mehrit, qoftë i vogël apo i madh. Transmetohet nga Sehl bin Sadi se një grua shkoi tek Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe i tha: O i Dërguari i Allahut, unë t’a dhuroj ty veten time. Ajo qëndroi gjatë duke pritur përgjigjen dhe pastaj një burrë tha: O i Dërguar i Allahut, a mund të martohem unë me të nëse ti nuk e do për vete? Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e pyeti: “A ke ndonjë pasuri për t’i dhënë asaj për mehër?” Ai tha: Nuk kam asgjë tjetër përveç këtij izari. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i tha: “Nëse i’a dhuron asaj këtë mbulojë nuk do të mbetet ty asgjë për t’u mbuluar, prandaj gjej diçka tjetër.” Burri tha: Nuk gjej asgjë për t’i dhënë. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i tha: “Kërko të gjesh qoftë edhe një unazë prej hekuri.” Burri kërkoi por s’gjeti asgjë. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e pyeti: “A ke mësuar përmendësh ndonjë pjesë nga Kurani?” Burri i tregoi atij suret që dinte dhe Profeti tha: “U martoj juve me çfarë ke mësuar nga Kurani.”[13]

 

Shkëputur nga “Perla dhe margaritarë nga dijetarët tanë”.

Përgatiti: Unejs Sheme

—————————————

[1] Ai është imami dhe fekihu i njohur Ebu Abdurrahman Abdullah bin el-Mubarek bin Uadih el-Handhalij (118 – 181 h). E filloi kërkimin e dijes në moshën njëzet vjeçare duke udhëtuar në dy vendet e shenjta (Meke dhe Medine), në Sham, Egjipt, Irak, Horasan etj. Shih “Sijeru ealami en-nubela” (8/381). Abdullah bin el-Mubarak (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “E kam marrë/mësuar diturinë nga katër mijë dijetarë dhe kam transmetuar nga një mijë.” Shih “Sijeru ealami en-nubela” (8/397). Ahmed bin Junus ka thënë: E kam dëgjuar Ibën el-Mubarakun të lexojë diçka nga Kurani, pastaj tha: “Kush mendon (beson) se ky është i krijuar ai ka mohuar Allahun e Madhërishëm.” Shih “Tarihu Dimeshk” (32/410) i Ibën Asakirit. Nuajm bin Hamad ka thënë: Ibën el-Mubareku qëndronte shumë në shtëpinë e tij dhe njëherë i thanë: A nuk po mërzitesh (nga qëndrimi i tepërt në shtëpi)? Tha: “E si mund të mërzitem kur unë jam me Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe shokët e tij (lexonte librat).” Shih. “Tarihu Bagdad” (11/388) i Hatib el-Bagdatit. Një një rast Ibën el-Mubareku u pyet rreth një çështje në prani të Sufjan bin Ujejne, dhe tha: “Ne jemi ndaluar të flasim në prani të të mëdhenjve tanë.” Shih “Tarihu Dimeshk” (27/64) i Ibën Asakirit.

[2] “Shedherat edh-Dhehebi” (1/296), Ibën el-Imad el-Hanbeli   (1032 – 1089 h).

[3] Shënon Muslimi.

[4] Shënon Ebu Daudi.

[5] Shënon Ebu Daudi.

[6] Shënon Buhariu (5899) dhe Muslimi (2103).

[7] Shënon Buhariu (4802) dhe Muslimi (1466)

[8] “Sherh Sahih Muslim”, vëll. 10.

[9] Shejh Mukbili (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Gratë selefije janë më të çmuara se ari i kuq.”

[10] Shkëputur nga një prej ligjëratëve të shejhut.

[11] Hadith i mirë (hasen). “Es Sahihah” (1022).

[12] Akti martesor pa kujdestarin e femrës është i pavlefshëm, bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem): “Nuk ka martesë veçse me kujdestar.” Shënon Ebu Daudi me nr. (2085), Tirmidhiu me nr. (1101) dhe Ibën Maxhe me nr. (1881). Nëse gruaja e marton veten e saj, atëherë martesa e saj është e pavlefshme pa marrë në konsideratë faktin nëse ky akt u ndërmor në mënyrë direkte nga ajo apo i’a ngarkoi këtë dikujt tjetër. Imam El-Berbehari (Allahu e mëshiroftë!) në “Sherh es-Sunneh” thotë: “Çdo grua që i’a dhuron veten e saj ndonjë burri për martesë ajo nuk i lejohet atij dhe ata të dy dënohen nëse bëjnë ndonjë gjë (marrëdhënie bashkëshortore), përveç nëse e bëjnë këtë martesë në prezencë të kujdestarit legjitim (veliut), dy dëshmitarëve të drejtë dhe mehrit (apo caktimit të tij).”

[13] Shënon Buhariu (5087), Muslimi (3472) etj. Në disa transmetime të tjera thuhet: “Mësoi asaj atë që di nga Kurani.” Shënon Muslimi (3473).

Dosje:

Loading...