Më ka mësuar Muhamedi …. (3)

October 22, 2021

Më ka mësuar i dashuri im (sal-Allahu alejhi ue sel-lem!) (3)

Më ka mësuar për çdo gjë që më afron te Xheneti dhe më largon nga zjarri i Xhehenemit. Imam Muslimi shënon në “Sahihun” e tij: “Erdhi një njeri tek i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe i tha: Më trego për një vepër që nëse e veproj më afron tek Xheneti dhe më largon nga Zjarri! Ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i tha: Adhuroje Allahun dhe mos i shoqëro Atij asgjë, fale namazin, jepe zekatin dhe mbaji lidhjet farefisnore. Kur njeriu u largua, i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha:
Nëse  ai u përmbahet këtyre urdhrave, do të hyjë në Xhenet.”

Vepra e parë: Adhurimi i Allahut të Lartësuar. Ky është dhe shkaku i krijimit të xhinëve dhe njerëzve. Krahas saj është largimi nga shirku në fjalë dhe vepër sepse shirku i asgjëson të gjitha punët.

Vepra e dytë: Falja e namazit. Adhurimi më i dashur tek Allahu i Lartësuar është falja e namazit (në kohën e tij). Falja e namazit është treguesi më i mirë se njeriu e ka kuptuar qëllimin e krijimit. Falja e namazit është besim, ndërsa braktisja e tij është kufër. Kush e ruan namazin ai do të jetë dritë për të në zemër, në fytyrë, në varr dhe në Ditën e Gjykimit.

Falja e namazit është lidhja mes teje dhe Zotit tënd. Si mundeni të mos e falni namazin kur dihet se ai është lidhja mes jush dhe Zotit tuaj? Nëse nuk keni lidhje mes jush dhe Zotit, atëherë ku mbetet robëria ndaj Tij?

Vepra e tretë: Dhënia e zekatit. Kjo përshin atë kategori që Allahu i Madhëruar i ka begatuar me mirësitë e Tij të shumta. Mosdhënia e zekatit është shkak që Allahu i Lartësuar të ndalë shiun dhe begatitë e tjera, dhe njeriu t’i afrohet zjarrit.

Vepra e katërt: Ruajtja e lidhjeve faralefisnore.

Nëse njeriu u përmbahet me përpikmëri zbatimit të këtyre veprave, ato do t’a afrojnë tek Xheneti dhe do t’a largojnë nga zjarri i Xhehenemit.

 

Marrë nga libri: “Më ka mësuar i dashuri im, Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)”.

Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme

Loading...