Meditime në Kuran në lidhje me ngjarjet e fundit në Siri e gjetkë.

Meditime në Kuran në lidhje me ngjarjet e fundit në Siri e gjetkë.

Këto ditë të vështira që po kalojnë vëllezërit tanë mysliman sidomos në Siri por nuk harroj pa përmendur Burmën, Palestinën e kudo që ka dhunë e terror, na shtyn të meditojmë pak në librin e Allahut për të gjetur përgjigje për disa pyetje që lindin në këto rrethana.

Pyetja e parë: Si shpjegohet sprovimi i besimtarëve?

Përgjigja: Allahu i madhëruar ka një rregull universal të pa ndryshueshëm ndaj krijesave të tij dhe që është rregulli apo ligji i sprovës. Ky rregull apo ligj prek të gjithë kategoritë e njerëzve pa marrë parasysh se janë: të mirë apo të këqij, besimtarë apo jo besimtarë, të dashur apo të urryer për Allahun, mirëpo qëllimet nga sprovat ndryshojnë sipas llojit të njeriut.

Njerëzit në lidhje me besimin dhe punët e tyre janë katër llojesh:

1- Njerëz të mirë e besimtarë: sprova apo fatkeqësia për ta është provë e besimit, durimit, shpresës, nënshtrimit ndaj vullnetit të Allahut duke mos e akuzuar atë atë për atë që po ndodh dhe mënyrë për të nxjerrë në pah vlerat e tyre. Kështu shpjegohet sprova që u bëhet profetëve dhe besimtarëve të sinqertë pastaj Allahu i ngre ata në grada të larta dhe i shpërblen siç e ngriti dhe e shpërbleu Ibrahimin -alejhi selam-.

2- Njerëz besimtarë por që kanë përzier mes të mirave dhe të këqijave: sprova për ta është pastrim dhe edukim. Kështu shpjegohet sprova që u bëhet besimtarëve gjynahqarë.

3- Njerëz jobesimtarë por që nuk janë armiq të besimit dhe e keqja e tyre është ndaj veteve të tyre: sprova për ta është për tia qartësuar se rruga e tij është gabim dhe shumë njerëz i janë drejtuar besimit për shkak të një fatkeqësie që i ka rënë sepse fatkeqësia është tronditje që shkakton kthjellim të logjikës.

4- Njerëz kriminelë që e kanë tejkaluar në zullum: sprova për ta është shkatërrim siç ishte për popujt e shkatërruar: populli i Nuhut, populli i Adit, populli i Themudit apo ushtrisë së Faraonit apo Nemrudit etj.

Kjo ndarje që shpjegon qëllimin e sprovave, largon mendimin e keq që mund të hedhë shejtani ndaj Allahut Zotit të botëve në lidhje me sprovat e besimtarëve por që asesi nuk e legjitimon dhunën dhe terrorin e palës tjetër sepse Allahu e lejon të keqen jo vetëm për sprovë por edhe për të shkatërruar atë që e bën atë siç thotë profeti -alejhi selam-: “Allahu e vonon zullumqarin, që kur ta marrë të mos shpëtojë” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Domethënia e këtij hadithi është: Allahu nuk e ndalon zullumqarin që në fillimin e zullumit të tij në mënyrë që të mbushet plot me gjynahe dhe kur të vija koha e dënimit të mos ketë arsye për të shpëtuar.

Dr Abdullah Nabolli