Mirësjellja me njerëzit

December 21, 2021

MIRËSJELLJA ME NJERËZIT

Argumente nga Kurani:

Dhe mos e shtrembëro fytyrën tënde ndaj njerëzve dhe mos ec nëpër tokë kryelartë, se Allahu nuk e do asnjë mendjemadh që shumë lavdërohet.” (Lukman: 18)

“Dhe mos ec nëpër tokë me mburrje sepse as nuk mund të çash tokën as nuk mund të arrish lartësinë e maleve.” (Isra: 37)

“Mjerë për secilin që ofendon e përqesh.(Humezeh: 1)

“E robërit e të Gjithmëshirshmit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre u drejtohen me fjalë injorantët ata thonë ‘Paqe’!” (Furkan: 63)

“E ti robërve të Mi thuaju: Le të thonë atë që është më e mira.” (Isra: 53)

“Mos polemizoni me ithtarët e librit vetëm se në mënyrën më të mirë.” (Ankebut: 46)

“Dhe njerëzve thuajuni fjalë të mira.” (Bekare: 83)

“Padyshim, Allahu urdhëron të mbahet drejtësi, të bëhet bamirësi, të ndihmohet i afërmi, dhe ndalon nga e keqja, nga ligësia dhe nga dhuna. Ai u këshillon në mënyrë që të reflektoni!” (Nahl: 90)

Nga Hadithet:

أَتْبِعِ السَّيِّئَةَ الْحَسَنَةَ تَمْحُهَا، وَخَالِقِ النَّاسَ بِخُلُقٍ حَسَنٍ”

Pasoje të keqen me të mirë që t’a fshijë atë, dhe sillu me njerëzit me moral të mirë.” (Ahmedi: 21988)

Njeriu është gabimtar dhe i prirur për të bërë gabime. Përgjegjësia e tij është që të ruhet sa më shumë nga gabimet. Nëse ndodh të gabojë atëherë ai këshillohet që menjëherë pas gabimit të bëjë vepra të mira, pasi veprat e mira shërbejnë për të fshirë gabimet e bëra.

الْمُسْلِمُ مَنْ سَلِمَ النَّاسُ مِنْ لِسَانِهِ وَيَدِهِ، وَالْمُؤْمِنُ مَنْ أمِنَهُ النَّاسُ عَلَى دِمَائِهِمْ وَأَمْوَالِهِمْ

Musliman është ai nga gjuha dhe dora e të cilit njerëzit janë të sigurtë, dhe besimtar është ai të cilit njerëzit i besojnë jetën dhe pasurinë e tyre.” (Ahmedi: 8931)

Nëpërmjet kësaj thënie, Profeti (Paqja qoftë mbi të!) na tregon se si duhet të jetë një musliman dhe një besimtar i vërtetë. Muslimani dhe besimtari i vërtetë i respekton të drejtat e të tjerëve. Ai nuk i lëndon njerëzit e pafajshëm, qoftë me gjuhë apo me dorë. Ai jo vetëm që nuk i cënon pronat dhe të drejtat e të tjerëve, por i ruan dhe i mbron ato nga dëmtuesit.

“قَالَ رَجُلٌ: يَا رَسُولَ اللهِ، إِنَّ فُلَانَةَ يُذْكَرُ مِنْ كَثْرَةِ صَلَاتِهَا، وَصِيَامِهَا، وَصَدَقَتِهَا، غَيْرَ أَنَّهَا تُؤْذِي جِيرَانَهَا بِلِسَانِهَا، قَالَ: ” هِيَ فِي النَّارِ “، قَالَ: يَا رَسُولَ اللهِ، فَإِنَّ فُلَانَةَ يُذْكَرُ مِنْ قِلَّةِ صِيَامِهَا، وَصَدَقَتِهَا، وَصَلَاتِهَا، وَإِنَّهَا تَصَدَّقُ بِالْأَثْوَارِ مِنَ الْأَقِطِوَلَا تُؤْذِي جِيرَانَهَا بِلِسَانِهَا، قَالَ: ” هِيَ فِي الْجَنَّةِ ”

“Një person i përmendi  Profetit (Paqja qoftë mbi të) një grua e cila shquhej që falej shumë, agjëronte  shumë, dhe jepte lëmoshë shumë, vetëm se ajo i lëndonte fqinjët me  gjuhën e  saj. Profeti (Paqja qoftë mbi të) tha: Ajo është për në zjarr. Pastaj personi i përmendi Profetit (Paqja qoftë mbi të) një grua tjetër që falej pak, agjëronte pak, dhe jepte lëmoshë copëza djathi por nuk i lëndonte fqinjët me gjuhën e saj. Ai (Paqja qoftë mbi të) tha: Ajo është për në Xhenet.” (Ahmedi: 9675)

Besimtari ka dy lloje detyrimesh; detyrime ndaj Zotit dhe detyrime ndaj krijesave. Të dyja llojet e detyrimeve janë të domosdoshme. Për pasojë, ai që i përkushtohet përmbushjes së detyrimeve ndaj Zotit dhe anashkalon detyrimet që ka ndaj krijesave, është mëkatar. Gjithashtu, ai që i përkushtohet përmbushjes së detyrimeve që ka ndaj krijesave dhe anashkalon detyrimet që ka ndaj Zotit, është mëkatar. Besimtar i denjë është ai i cili mundohet që t’i përmbushë të dyja llojet e detyrimeve.

Me frazën ‘falej shumë, agjëronte shumë dhe jepte lëmoshë shumë’ është për qëllim se ajo veç adhurimeve të detyrueshme angazhohej shumë dhe me adhurime vullnetare. Ndërsa me frazën ‘falej pak, agjëronte pak’ është për qëllim se ajo veç adhurimeve të detyrueshme nuk angazhohej shumë me adhurime vullnetare.

هَلْ تَدْرُونَ مَنِ الْمُفْلِسُ؟  قَالُوا: الْمُفْلِسُ فِينَا، يَا رَسُولَ اللهِ، مَنْ لَا دِرْهَمَ لَهُ وَلَا مَتَاعَ. قَالَ: إِنَّ الْمُفْلِسَ مِنْ أُمَّتِي مَنْ يَأْتِي يَوْمَ الْقِيَامَةِ بِصِيَامٍ وَصَلَاةٍ وَزَكَاةٍ، وَيَأْتِي قَدْ شَتَمَ عِرْضَ هَذَا، وَقَذَفَ هَذَا، وَأَكَلَ مَالَ هَذَا، فَيُقْعَدُ، فَيَقُصُّ  هَذَا مِنْ حَسَنَاتِهِ، وَهَذَا مِنْ حَسَنَاتِهِ، فَإِنْ فَنِيَتْ حَسَنَاتُهُ قَبْلَ أَنْ يَقْضِيَ مَا عَلَيْهِ مِنَ الْخَطَايَا، أُخِذَ مِنْ خَطَايَاهُمْ فَطُرِحَتْ عَلَيْهِ، ثُمَّ طُرِحَ فِي النَّارِ”

Njëherë Profeti (Paqja qoftë mbi të) u tha shokëve të Tij: “A e dini se kush është i falimentuari? Ata thanë: I falimentuari në mesin tonë është ai që nuk posedon asnjë qindarkë dhe asnjë orendi. Profeti (Paqja qoftë mbi të) tha: I falimentuari i këtij umeti është ai i cili do të vijë në ditën e gjykimit me agjërim, me namaz dhe me lëmoshë, por i ka prekur nderin dikujt, i ka hedhur akuza të pabaza dikujt dhe ka ngrënë padrejtësisht pasurinë e dikujt tjetër. Ai do të ulet dhe ata të cilëve u ka bërë keq do të marrin nga të mirat e tij. Nëse të mirat i mbarojnë ende pa u larë hesapet, atëherë do të merren gabimet e tyre dhe do t’i kalohen atij dhe ai do të hidhet në zjarr.” (Ahmedi: 8029)

Nëpërmjet kësaj thënie Profeti (Paqja qoftë mbi të) na ndërgjegjëson që të tregohemi të kujdesshëm ndaj detyrimeve që kemi ndaj të tjerëve, dhe na paralajmëron që të mos i dëmtojmë e të mos i shkelim të drejtat e tyre. Dëmtimi i të pafajshmit është mëkat i rëndë shpagimi i të cilit është larja e hesapeve në ditën e gjykimit.

Ibën Sirini ka thënë: Njerëzit e mësonin edukatën njësoj siç mësonin dijen. (El Xhami Li Ahlak er Ravi, fq. 79, nr. 9)

Ibrahim ibën Habibi ka treguar se i ati i ka thënë: Biri im, shko te juristët dhe dijetarët e fesë, mëso prej tyre dhe përfito prej sjelljes, moralit dhe edukatës së tyre. Njëmend kjo është më e dashur për mua se mësimi i një pjese të madhe të haditheve. (El Xhami Li Ahlak er Ravi, fq. 80, nr. 10)

Abdullah ibën Mubareku ka thënë: Më tepër kemi nevojë për më shumë edukatë sesa për më shumë hadithe. (El Xhami Li Ahlak er Ravi, fq. 80, nr. 11)

Ebu Zekerija Amberi ka thënë: Dija pa edukatë është si zjarri pa dru. Edukata pa dije është si shpirti pa trup. (El Xhami Li Ahlak er Ravi, fq. 80, nr. 12)

Bushenxhiu ka thënë: Ai që mëson dije dhe jurisprudencë pa patur edukatë rrezikon që të shpifë ndaj Allahut dhe Profetit të Tij. (Sijer A’lam en Nubela; 13/586)

 

Rexhep Milaqi

 

Loading...