Falenderimi i takon Allahut, paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi Profetin tonë të dashur!
Kjo çështje është shumë e qartë, por megjithatë po sjellim argumentet për atë se përse nuk bën të shtohet në namazin e natës më shumë se 11 ose 13 rekate, ndërsa për më pak se kaq nuk ka dyshim që lejohet.
Së pari: Thotë Allahu i Lartësuar në Kuran: “Thuaju (o Muhammed) : Nëse e doni Allahun atëherë më pasoni mua që tju dojë Allahu dhe tjua falë gjynahet tuaja, dhe Allahu është Falës Mëshirues” (Ali Imran: 31)
Nëse dëshiron të të dojë Allahu, të të falë dhe mëshirojë, atëherë paso Muhamedin – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.
Së dyti: Fjala e Allahut të Madhëruar që thotë në Librin e Tij fisnik: “Kishte për ju një shembull të mirë tek i Dërguari i Allahut” (Ahzab: 21) A nuk na mjafton shembulli i Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të?!
Së treti: Fjala e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit – sal lall llahu alejhi ue sel lem.” “Dhe gjërat më të këqia janë shpikjet në fe.”
Dhe ka thënë gjithashtu: “Faluni siç më shihni mua të falem”.
Si është falur Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – në Ramazan?
Na përgjigjet njeriu më i dijshëm për këtë rreth tij, ajo që qëndronte me të natën, gruaja e tij e mençur dhe e sinqertë, Aishja – Allahu qoftë i kënaqur prej saj.
U pyet Aishja – Allahu qoftë i kënaqur prej saj – për namazin e Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem – në Ramazan dhe tha: “Nuk ka shtuar i Dërguari i Allahut – sal lall llahu alejhi ue sel lem – në Ramazan e as jashtë tij më shumë se 11 rekate” (Bukhari 1147) dhe Muslimi (737).
Është pyetur për namazin në Ramazan, dmth për taravitë – elhamdulilah – pikërisht çështja për të cilën po flasim, dhe tha se nuk ka shtuar më shumë se 11 rekate as në Ramazan e as jashtë tij. Çfarë duam më tepër? Ta adhurojmë Allahun më mirë dhe më shumë se i Dërguari i Tij – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!?
Të kemi kujdes mos bëhemi si ata të tre të cilëve ju duk pak adhurimi i Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe e justifikuan duke thënë: Atij ja ka falur Allahu të gjitha, kurse ne duhet të përpiqemi më shumë. Kështu duket sikur thonë edhe ata që falin më shumë se 11 rekate namaz nate, apo taravi. Por përgjigja e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ishte: “Ai që ia kthen shpinën sunetit tim nuk është prej meje”!
Dhe Ibnul Kajjimi – Allahu e mëshiroftë thotë: “Allahu ua ka mbyllur njerëzve, të gjitha rrugët që çojnë tek Ai, përveç nëpërmjet rrugës së Muhamedit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të”
Dëshiron të arrish tek Allahu? Ec rrugës së Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.
Sikur të ishte diçka e mirë, falja më shumë se 11, apo 13 rekate do të na kishte paraprirë në të i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Gjë që nuk ka e kanë përcjellë sahabët prej tij.
Dhe ajo që përcillet prej Umerit se e ka urdhëruar Ubejj ibn Ka’bin të falë me njerëzit 21 rekate, është e dobët, siç ka thënë shejkh Albanij – Allahu e mëshiroftë – dhe kundërshton transmetimet më të sakta që thonë: 11 rekate. Këtë ka thënë edhe Imam Tirmidhiu kur thotë: “Përcillet” prej Aliut dhe prej Umerit…, dhe kjo është nga shprehjet që tregojnë dobësi në hadith. Dhe të njëjtën gjë ka thënë edhe imam Shafiu për 20 rekatet nga Umeri.
Transmetimi i saktë që ka përmendur imami i hadithit në këtë kohë, – imam Albani, Allahu e mëshiroftë – është ai që përcillet nga Muhammed ibn Jusuf, nga Saib ibn Jezid (sahabij), i cili thotë: “Umeri e urdhëroi Ubejj ibn Ka’bin dhe Temim ed Darin që të falnin me njerëzit 11 rekate. – thotë – Dhe ai lexonte 100- ëshet (Sure të gjata, dhe zgjatej këndimi i Kuranit aq shumë) sa mbështeteshim në shkop (bastun) prej qëndrimit gjatë në këmbë. Dhe nuk mbaronim veçse kur afronte agimi” Thotë shejkh Albani: Ky zinxhir transmetimi është shumë i saktë.
Prandaj le të na mjaftojë shembulli i Profetit, vepra e tij, fjala e tij dhe udhëzimi i tij. Dhe në këto ka argumente për të zotët e mendjes.
Argumentet për 13 rekate:
- Thotë Ummu Selemeh – Allahu qoftë i kënaqur prej saj: “Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – falte vitrin 13 rekate, ndërsa kur u shty në moshë dhe u dobësua e falte vitrin 7 rekate” “Sahih sunen et Tirmidhij” (379)
- Nga Aishja – radijallahu anha përcillet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – falte natën 13 rekate, të cilat i bënte vitr (tek) me pesë rekate dhe nuk ulej mes tyre veçse në rekatin e fundit” (Muslim: 737)
Dhe në një transmetim tjetër po te Muslimi (737): “I Dërguari i Allahut falte 13 rekate bashkë me dy rekatet e sabahut”
- Tek Bukhari (992) : Nga hadithi i Ibni Abbasit kur ai fjeti një natë tek Mejmuneh (gruaja e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) dhe përmendi hadithin ku gjendet: “Pastaj fali 2 rekate, pastaj 2 rekate, pastaj 2 rekate, pastaj 2 rekate, pastaj 2 rekate, pastaj 2 rekate (6 herë nga 2 rekate = 12), pastaj fali vitrin, pastaj u shtri. Deri sa i erdhi muezini, u ngrit dhe fali 2 rekate (sunetet e sabahut) pastaj doli të falte sabahun”
Prandaj më e sakta është se 2 rekatet mbi 11-shen janë sunetet e jacisë, të cilat ishin të lehta (të shkurtra), apo dy rekate të veçanta, të shkurtra, me të cilat Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – hapte namazin e natës. Dhe kjo ka ardhur tek hadithi i Ibn Abbasit i sipërpërmendur.
A lejohet të falet më namaz nate pas vitrit?
Po lejohen 2 rekate. Argumentet për këtë:
- Tek “Sahih sunen ibn Maxheh” (981) ka ardhur nga Ummu Selemeh – radijallahu anha – se “Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – falte pas vitrit 2 rekate të lehta duke qenë ulur”
- Nga Aishja radijallahu anha se ka thënë: “I Dërguari i Allahut bënte vitr me 1 rekat, pastaj falte 2 rekate tek të cilat këndonte Kuran duke qëndruar ulur, dhe kur donte të binte në ruku, ngrihej dhe binte në ruku” “Sahih Sunen Ibn Maxheh” (982) Këto janë 13 rekate përveç suneteve të sabahut.
Dhe Allahu është më i Dijshmi! Dhe me Allahun qëndron suksesi!