Namazi i Vitrit

January 5, 2016

Gjykimi dhe mirësia e tij.

 Vitri është sunet i fortë për të cilin ka nxitur Profeti (alejhi selam).

Transmetohet nga Aliu radiallahu anhu se ka thënë: “Vitri nuk është i formës së prerë si namzet farz, por e ka ligjësuar Profeti alejhi selam dhe ka thënë: Allahu është tek dhe e do të qenurit tek, prandaj bëjeni tek namazin tuaj, o lexuesit e Kuranit[1].

Transmetohet nga Ibn Muhejriz se një burrë nga Kinane që quhej El-Mukhdexhij kishte dëgjuar një burrë në Sham që quhej Ebu Muhamed duke thënë se vitri është detyrë. El-Mukhdexhiju thotë: Shkova te Ubade bin Es-Samit dhe i tregova dhe ai më tha: Ka gabuar Ebu Muhamedi sepse kam dëgjuar Profetin alejhi selam duke thënë: “Pesë namaze ka bërë detyrë Allahu për robërit. Kush vjen me to pa lënë gjë prej tyre nga neglizhenca, ka një premtim prej Allahut për ta futur në xhenet dhe kush nuk vjen me to, nuk ka prej Allahut premtim, nëse do, e dënon dhe nëse do, e fut në xhenet”[2]

Sheikhu ynë në librin Es-Silsiletus-Sahiha pasi ka përmendur hadithin: “Allahu ua ka shtuar një namaz dhe që është vitri…[3] ky hadith nga ana e jashtme tregon se vitri është detyrë dhe këtë mendim e kanë hanefitë ndryshe nga shumica e dijetarëve dhe sikur të mos ishte vërtetuar me argumente të sakta kufizimi i namazeve farz në pesë namaze, do të ishte mendimi i hanefive më afër të vërtetës prandaj patjetër duhet të themi këtu se urdhri nuk tregon detyrë por sunet i fortë. Sa urdhëra të vyera janë marrë për të pëlqyeshme edhe me argumente më pak të forta se këto, por hanefitë në mendimin e tyre nuk thonë se vitri është detyrë, siç janë pesë namazet, por janë ndërmjet tyre dhe syneteve më të dobëta se farzet në argumente dhe më të forta se synetet në kërkim.

Duhet të dihet se mendimi i hanefive është ndërtuar mbi një rregull të veçantë dhe të panjohur nga sahabët dhe as nga selefët dhe që është dallimi mes farzit dhe vaxhibit, si në argumente dhe në shpërblim siç tregohet në librat e tyre.

Ky mendim tek ta ka kuptimin se lënësi i vitrit do të dënohet ditën e kiametit më pak se ai që le farzin siç tregon medhhebi i tyre në ixhtihadin e tyre.

Kështu ne u themi: si mund të thuhet kjo gjë, ndërkohë që Profeti alejhi selam i ka thënë atij që vendosi për të mos falur gjë tjetër veç pesë namazet: “Do të shpëtojë ai burrë”?!

Si mund të bashkohen shpëtimi me dënimin?! Nuk ka dyshim se kjo fjalë e Profetit alejhi selam mjafton se namazi i vitrit nuk është detyrë, prandaj dhe kanë rënë dakord shumica e dijetarëve se është i pëlqyeshëm dhe jo vaxhib dhe kjo është e vërteta.

Themi këtë, por nga ana tjetër i përkujtojmë dhe këshillojmë për rëndësinë e vitrit dhe mosneglizhimin e tij për shkak të këtij hadithi dhe Allahu e di më së miri.

Enciklopedia e thjeshtuar e Fikhut

Autor Husejn Auajsheh (Allahu e ruajtë)

Përktheu Teuta Xeka

 

[1]E transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesai, Ibn Maxhe, Ibn Khuzejme dhe e saktëson sheikh Albani.

[2] E transmeton Maliku, Ebu Daudi, Nesai, Ibn Hibbani dhe e saktëson sheikh Albani.

[3] Do të vijë më poshtë.

Loading...