A prishet agjërimi nëse ha apo pi nga harresa?

April 12, 2022

Falënderimi i takon Allahut!

Kur harron dhe ha diçka gjatë agjërimit kjo nuk e prish atë, dhe agjërimi i tij vazhdon të jetë i vlefshëm. Në fund të sures El Bekare, Allahu i Madhëruar thotë: “Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim!” | El Bekare: 286..

Është transmetuar në një hadith të saktë nga i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, se Allahu i Madhëruar pas lutjes së besimtarëve ka thënë: “Unë e bëra atë (e pranova lutjen tuaj).”

Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kush harron se është duke agjëruar dhe ha ose pi, le ta plotësojë agjërimin e tij, sepse Ai që e ushqeu dhe i dha të pijë ishte Allahu.” Mutefekun alejhi.

E njëjta gjë vlen edhe nëse ai kryen marrëdhënie intime për shkak të harresës. Agjërimi i tij është ende i vlefshëm sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, për shkak të ajetit që përmendëm më lart dhe të këtij hadithi, dhe për shkak se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush e prish agjërimin në Ramazan nga harresa, ai nuk ka pse ta plotësojë atë ditë dhe nuk ka pse të ofrojë shlyerje (kefara).” E përcjell Hakimi i cili dhe e ka saktësuar.

Ky formulim i përfshin marrëdhëniet intime dhe gjëra të tjera që prishin agjërimin, nëse agjëruesi i bën ato nga harresa. Kjo është prej mëshirës, bujarisë dhe mirësisë së Allahut për të cilën ne e lavdërojmë dhe e falënderojmë Atë.

 

Marrë nga libri: “Mexhmu fetava Ibën Baz” 4/193.

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...