Studim nga Dr. Abdullah Nabolli
- Një vështrim rreth Kalendarit Islam (Pjesa I: Ditët)
- Një vështrim rreth Kalendarit Islam (Pjesa II: Java)
- Një vështrim rreth Kalendarit Islam (Pjesa III: Muajt dhe Vitet)
- Një vështrim rreth Kalendarit Islam (Pjesa IV: Festat në Islam dhe ditë të vecanta)
Festat në Islam
E përmendëm më lart se xhumaja është festa e javës por në Islam ka edhe festa vjetore që janë: Festa e Fitrit (Çeljes) ose e Bajramit të Agjërimit (Fitr Bajram) e cila është dita e parë e muajit Sheval menjëherë pas mbarimit të muajit të Ramazanit , festa e Kurbanit ose festa e Bajramit të Kurbanit (Kurban-Bajram) e cila është dita e dhjetë e muajit Dhul-Hixhe dhe e pasojnë atë edhe tre ditë të tjera që quhen ditët e Teshrikut. Festë është edhe dita e Arafatit (dita e nëntë e muajit Dhul-hixhe) pra, një ditë para Kurban-Bajramit edhe pse mënyra e festimit ndryshon nga dy festat e tjera.
Transmetohet nga Aisheja radiallahu anha se Ebu Bekri radijallahu anhu shkoi tek ajo në ditën e çeljes(Fitr Bajramit) ose ditën e Kurban-Bajramit. Aty ishin Profeti alejhis-salatu ues-selam dhe dy vajza të vogla që këndonin me dajre siç kishin kënduar ensarët në luftën e Buathit dhe Ebu Bekri u tha atyre (vajzave): Fyelli i shejtanit në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut?! Profeti alejhis-salatu ues-selam i tha: “Lëri ato o Ebu Bekr, se çdo ymet ka një festë dhe kjo ditë është festa jonë.” E transmeton Buhariu dhe Imam Ahmedi
Transmetohet nga Enes bin Malik radijallahu anhu se kur mbërriti Profeti alejhis-salatu ues-selam në Medine, ata kishin dy ditë ku zbaviteshin dhe dëfreheshin në to, Profeti alejhis-salatu ues-selam pyeti “Çfarë janë këto dy ditë?”Ata i thonë: Dëfreheshim në to në xhahilije (në kohën para islamit). Ai u thotë: “Allahu ua ka ndërruar ato me dy më të mira: Dita e çeljes dhe dita e kurbanit.” (E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson shejh Albani).
Transmetohet nga Ukbe bin Amir radijallahu anhu se Profeti alejhis-salatu ues-selam ka thënë: “Dita e Arafatit, dita e kurbanit dhe tre ditët e teshrikut (janë quajtur kështu se në kohet e hershme në këto ditë thanin në diell mishin e kurbanit) janë festat tona, ne pasuesit e Islamit.” (E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson shejh Albani).
Thamë se festimi i ditës së Arafatit ndryshon nga dy festat e tjera dhe kjo sepse Profeti alejhis-salatu ues-selam e ka nxitur çdo njeri prej ymetit të tij që është jashtë haxhit të agjërojë atë ditë. Profeti alejhis-salatu ues-selam thotë: “Agjërimi i ditës së Arafatit, shpresoj te Allahu të fshijë gjynahet e vitit të kaluar dhe vitit që vjen pas.” (E transmeton Muslimi).
Ndërsa ai që është në haxh (duke kryer ritet e haxhit) feston duke qëndruar në Arafat dhe duke iu lutur Allahut për falje sepse kjo është ditë ku Allahu fal shumë njerëz. Profeti alejhis-salatu ues-selam thotë: “Nuk ka ndonjë ditë në të cilën Allahu liron më shumë njerëz nga zjarri i xhehenemit sesa dita e Arafatit. Ai afrohet tek ata dhe krenohet para melaikeve duke thënë: Çfarë kërkojnë këta (njerëz)?!”.( E transmeton Muslimi).
Ditë të tjera me vlerë të veçantë
Përveç ditëve të festave ka edhe ditë të tjera me vlerë te Allahu. Këto janë: dita e Ashures,gjashtë ditë nga muaji i Shevalit dhe dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes që i paraprijnë festës së bajramit.
Vlera e ditës së Ashures ka ardhur për shkak se Allahu në të ka shpëtuar Musain alejhi selam nga Faraoni i Egjiptit siç thotë Ibn Abasi radiallahuanhuma: “Kur mbërriti Profeti alejhis-salatu ues-selam në Medine i gjeti çifutët duke agjëruar ditën e Ashures dhe Profeti alejhis-salatu ues-selam u thotë: Ç’është kjo ditë? Ata i thanë: Kjo është ditë e madhe. Allahu e ka shpëtuar në këtë ditë Musain alejhi selam bashkë me popullin e tij. Musai e ka agjëruar këtë ditë si falënderim për Allahun prandaj dhe ne e agjërojmë atë. Profeti alejhis-salatu ues-selam u thotë: Ne e meritojmë më shumë se sa ju afërsinë me Musain. E agjëroi Profeti alejhis-salatu ues-selam atë ditë dhe i urdhëroi myslimanët ta agjërojnë atë.” (E Transmeton Buhariu dhe Muslimi).
Profeti alejhis-salatu ues-selam thotë: “Agjërimi i ditës së Ashurës, shpresoj tek Allahu që të fshijë gjynahet e vitit të kaluar.” E transmeton Muslimi.
Kurse vlera e gjashtë ditëve nga muaji Sheval vjen për shkak të Ramazanit,duke qenë se Shevali është muaji që e pason atë,ndaj dhe agjërimi i gjashtë ditëve nga ky muaj pas plotësimit të Ramazanit është i barabartë me agjërimin e vitit . Transmetohet nga Ebu Ejub El-Ensari radijallahu anhu se Profeti alejhis-salatu ues-selam ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin dhe e pason atë me gjashtë ditë nga Shevali është si agjërimi i tërë vitit.” (E transmeton Muslimi).
Ndërsa për vlerën e dhjetë ditëve të para të para të Dhul-Hixhe Profeti alejhis-salatu ues-selam thotë: “Nuk ka ditë më me vlerë tek Allahu dhe as punët e mira të jenë më të dashura tek Allahu se sa në këto dhjetë ditë”. I thanë: As xhihadi në rrugën e Allahut? Ai u thotë: “As xhihadi në rrugën e Allahut përveç dikujt që del së bashku me pasurinë e tij dhe nuk kthehet më.” ( E transmeton Buhariu).
Netët e begata të vitit
Gjatë vitit ka edhe netë me vlerë të veçantë: nata e mesme e muajit Shaban dhe nata e Kadrit.
Në natën e mesme të Shabanit Allahu falë gjynahet e njerëzve që nuk bëjnë shirk dhe nuk i mbajnë mëri njeri-tjetrit siç transmetohet nga Muadh bin Xhebeli, Ebu Thalebe El-Khushenij, Abdullah bin Amri, Ebu Mus aEl-Esharij dhe EbuHurejra radijallahu anhum se Profeti alejhis-salatu ues-selam ka thënë: “Allahu i Madhëruar u shfaqet krijesave të Tij natën e gjysmës së muajit Shaban dhe i fal ata përveç mushrikut dhe atij që i mban mëri tjetrit.” (E saktëson Sheikh Albani).
Kurse vlera e natës së Kadrit vjen nga katër gjëra:
1- Zbritja e Kuranit, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) natën e Kadrit” (SuretuEl-Kadr: 1).
2- Punët e mira në këtë natë shumëfishohen saqë e bëjnë atë më të mirë se një mijë muaj, siç thotë Allahu në Kuran: “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.” (SuretuEl-Kadr: 3).
3- Zbresin Melaiket dhe Xhibrili me caktimet e vitit, siç thotë Allahu në Kuran: “Në të zbresin melaiket dhe shpirti (Xhibrili) me caktimin e çdo gjëje(për atë vit).” (SuretuEl-Kadr: 4).
4- Kush e kalon atë natë me namaz i falen të gjitha gjynahet e kaluara, siç thotë Profeti alejhi selam: “Kush e kalon në namaz natën e Kadrit duke besuar në Allahun dhe duke e shpresuar shpërblimin e Tij, i falen gjynahet e kaluara.” (E transmeton Buhariu dhe Muslimi).
Fillimi i kalendarit islamik
Shënon imam Ibn Kethiri në librin e tij “El-Bidaje ue en-Nihaje”:Vjen një burrë te Omeri radiallahu anhu dhe i paraqet një letër ku ishte regjistruar një borxh si dëshmi kundrejt një burri tjetër dhe në të shkruhej se data e shlyerjes së tij është muaji Shaban.
E pyet Omeri radiallahu anhu: Cili Shaban, Shabani i këtij viti apo Shabani i vitit kaluar, apo Shabani ardhshëm?
Atëherë Omeri radiallahu anhu mbledh sahabët për tu konsultuar me ta rreth vënies së një kalendari për regjistrimin e borxheve dhe u dhanë disa mendime prej tyre:
Dikush tha: Të përdoret kalendari persian, dikush tha: Të përdoret kalendari romak të cilët i referoheshin në llogaritjen e viteve Aleksandrit të Maqedonisë por Omeri radiallahu anhu nuk e pëlqeu këtë gjë.
Dikush tha: T`i referohemi në llogaritje lindjes së Profetit alejhis-salatu ues- selam, dikush tha: Të marrim si referim dërgimin e tij si Profet, dikush tha:hixhretin (emigrimin e Profetit alejhis-salatu ues-selam në Medine) dhe dikush tha: Vdekjen e Profetit alejhis-salatu ues-selam.
Omerit radiallahu anhu i pëlqeu t`i referoheshin hixhretit se me të u nda e vërteta nga e kota dhe ranë dakord me këtë mendim të gjithë sahabet. Pastaj caktuan Muharremin si muajin e parë të vitit sepse është muaji kur kthehen haxhilerët nga haxhi dhe është muaj i shenjtë.
Kjo ishte një përmbledhje e shkurtër e kalendarit Islamik ku tregohen: ndarjet e tij, veçoritë e tij dhe zanafilla e tij. Lus Allahun e lartësuar ta rezervojë këtë punë për atë Ditë kur nuk bën dobi asgjë veç punëve të mira.
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve