Nuk arrihet dituria me rehatinë e trupit

November 20, 2024

Muslimi në Sahihun e tij ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Jahja et-Temimi, na informoi Abdullah ibn Jahja ibn Ebi Kethir i cili tha: Kam dëgjuar babain tim të thotë:
“Nuk arrihet dituria me rehatinë e trupit.”
📚 “Sahih Muslim”, kapitulli i kohëve të namazit, nr. 612.

En-Nevevi në “Sherh” në komentin e tij, 5/233 tha:

“Është bërë zakon që njerëzit e virtytshëm të pyesin pse Muslimi e përfshiu këtë tregim nga Jahja, ndërkohë që ai nuk përfshin në librin e tij veçse hadithe nga Profeti ﷺ, ndërkohë që ky tregim nuk ka lidhje me hadithet për kohët e namazit. Si e futi këtë thënie ndërmjet haditheve?
Kadi Ijad transmetoi nga disa dijetarë se kanë thënë:

Arsyeja është se Muslimit i pëlqeu mënyra e bukur e përshkrimit të këtyre rrugëve që përmendi rreth hadithit (për kohët e namazit) të Abdullah ibn Amrit, dobitë e shumta që përmban ai, dhe përmbledhjen e qëllimeve të tij, si dhe çfarë përfshin nga përfitimet e dispozitave dhe të tjera. Ndërkohë që ne nuk e dimë që dikush tjetër ta ketë bërë të njejtën gjë si ai. Kur e pa këtë ai deshi të tërheqë vëmendjen e atyre që dëshirojnë të arrijnë shkallën e një njohurie të tillë, duke thënë: Mënyra për këtë është të shtosh përpjekjen dhe të lodhësh trupin për t’u kujdesur për arritjen e diturisë. Ky është shpjegimi i asaj që përcolli Kadiu.

📚 Kadi Ijad në “Ikmal el-mulim” 2/577.

Imam Abdurrahman ibn Ebi Hatim tregon: “Ishim në Egjipt shtatë muaj dhe nuk hëngrëm lëng mishi gjatë kësaj kohe. E gjithë dita jonë ishte e ndarë për tubimet e dijetarëve, dhe natën e kalonim duke kopjuar dhe krahasuar dorëshkrimet. Një ditë unë dhe një shoku im shkuam tek një dijetar, por na thanë: Ai është i sëmurë. Gjatë rrugës pamë një peshk që na pëlqeu dhe e blemë. Kur shkuam në shtëpi erdhi koha për një tubim dhe nuk patëm kohë ta gatuanim, kështu që shkuam në tubim. Kaluan tri ditë dhe peshku pothuajse u prish, por ne e hëngrëm të gjallë sepse nuk kishim kohë ta jepnim për ta pjekur. Pastaj tha: “Nuk arrihet dituria me rehatinë e trupit.”

📚”Sijer a’lam en-nubela” 13/266, dhe “Tedhkiratul-Huffadh” 3/830.

Ibn el-Xheuzi ka thënë: “Dije se rehatia nuk arrihet me rehati dhe punët e mëdha nuk arrihen me përtesë. Kush mbjell, korr. Kush punon shumë, arrin.”
📚 “El-Jakuteh”, fq. 57.

Ibn Kajim ka thënë: “Të gjithë njerëzit e mençur janë të një mendimi se kënaqësitë nuk arrihen me kënaqësi dhe se rehatia nuk arrihet me rehati. Kush parapëlqen kënaqësitë i humbasin kënaqësitë.”

📚”Shifa el-alil” 2/285.

Ruaju që shumica e kohës tënde të mos jetë për kënaqësitë e trupit dhe rehatinë e tij, e të mos shpenzohet në atë që nuk të sjell dobi. Merr dituri dhe bëhu i dobishëm për njerëzit duke e shpërndarë atë.

✍ Dr. Abdurrahman bin Salih es Sudejs

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...