Pendimi i Ka`b ibn Malik

Pendimi i Ka`b ibn Malik

Ky tregim gjendet në Sahihun e imam Buhariut.

Abdullah ibn Ka`b tregon se ka dëgjuar Ka`b ibn Malik i cili po tregonte rastin kur ai mungoi nga lufta e Tebukut, duke thënë:

Unë nuk kam munguar në asnjë nga ekspeditat luftarake që ka marrë pjesë i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), vetëm se në atë të Tebukut dhe në luftën e Bedrit për të cilën i dërguari i Allahut (sala llahu alejhi ue selem) nuk pati qortuar askënd. Kjo ngase ai kishte dalë për të kapur karvanin e kurejshëve dhe qe caktimi i Allahut që të luftonin me armikun pa e pasur në plan.

Unë kam marrë pjesë natën e Akabes kur i dhamë besën të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) për fenë Islame e ajo për mua është më e vlefshme se beteja e Bedrit, edhe pse beteja e Bedrit është më e përfolura ndër njerëz.

Ndërsa për betejën e Tebukut në të cilën mungova nuk kam qenë më i fuqishëm, më i lirë e më i lehtë se në atë luftë. Pasha Allahun se nuk pata kurrë para saj dy deve në dispozicion. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) asnjëherë nuk e tregonte drejtimin e vërtetë kur nisej për luftë, vetëm në atë të Tebukut të cilën e bëri të qartë.

I Dërguari i Allahut (sala llahu alejhi ue selem) po nisej për luftë në një periudhë në të cilën vapa ishte e tmerrshme, udhëtimi ishte i gjatë e nëpër shkretëtira, dhe armiku ishte i madh në numër. Për këtë arësye i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) u tregoi muslimanëve se për ku ishte drejtuar me qëllim që të pregatiteshin mirë.

Numri i muslimanëve që do niseshin për në luftë u bë i madh, dhe një person që dëshironte të fshihej mund të fshihej lehtësisht dhe askush nuk e merrte vesh nëse nuk do të kishte shpallje prej Allahut.

Gjithashtu, kjo luftë rastisi në kohën e pjekjes së hurmave dhe hijet e tyre ishin shumë të rehatshme. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe muslimanët ishin bërë gati. Unë u nisa për në shtëpi të bëhesha gati por u ktheva e nuk kisha përgatitur asgjë. Me veten time thosha: Hë se përgatitem shpejt. Vazhdova të lë pas dore këtë punë derisa i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe muslimanët ishin nisur. E përsëri thashë me veten time; Ska gjë se po nisem pas një ose dy ditësh e i zë gjatë rrugës. Kaluan dy ditë e unë akoma skisha bërë gati asgjë. Tashmë muslimanët me të Dërguarin e Allahut (sala llahu alejhi ue selem) kishin ikur larg. Mendova të nisesha e t’i arrija por nuk e bëra, ah sikur të isha nisur!

Pas kësaj dola të shihja ata që kishin mbetur. U mërzita shumë sepse pashë që kishin mbetur vetëm hipokritët dhe ata që ishin të arsyetuar prej Allahut për shkak të fizikut të tyre të dobët.

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) nuk më kishte përmendur derisa kishte arritur në Tebuk. Ai ishte ulur me shokët e tij dhe kishte thënë: Po Ka`bi çfarë bëri? Një burrë prej fisit Beni Selemeh ishte përgjigjur: Atë e ka penguar xhybja e tij e ngrohtë dhe rehatia. Muadh ibn Xhebel i’a ktheu: Sa keq fole! Pastaj tha: O i Dërguar i Allahut, për Allahun ne nuk kemi parë prej tij vetëm se të mira. I Dërguari i Allahut (sala llahu alejhi ue selem) heshti.

Kur u njoftova se ai po kthehej më kapi ankthi e mu kujtua gënjeshtra e më pëshpëriste vetja: Si të shpëtoj prej hidhërimit të tij nesër? Për këtë bisedova edhe me njerëzit e familjes time. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) kishte mbërritur. Unë mblodha veten dhe vendosa që përpara të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) nuk dal me arsyetim të kotë e të gënjeshtërt, por do t’i them të vërtetën.

I Dërguari i Allahut sa herë që kthehej nga ndonjë udhëtim e fillonte me xhaminë. Fali dy rekate namaz dhe u ul me njerëzit. Aty erdhën ata që nuk kishin shkuar me të në luftë duke u shfajësuar e duke u betuar. Ata ishin afro tetëdhjetë e ca burra. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ua pranoi arsyetimet, ua dha përsëri besën, i kërkoi falje Allahut për ta dhe kështu i’a la Allahut atë që fshihnin në kraharorët e tyre.

Unë i’u afrova dhe i dhashë selam. Ai buzëqeshi me një buzëqeshje të zemëruar e tha: Eja. U ula pranë tij e ai më tha: Përse nuk erdhe? A nuk e pate blerë devenë? Thashë: Po. Pasha Allahun nëse do të isha ulur me dikë tjetër prej banorëve të dynjasë kisha për të shpëtuar prej zemërimit të tij e do të gjeja ndonjë arsyetim. Mirëpo, nëse do të kënaqja ty sot duke të gënjyer, Allahu shumë shpejt do të zemëronte ty ndaj meje. E nëse unë tregohem i sinqertë shpresoj se Allahu do të më falë.

Pasha Allahun unë nuk kam asnjë arsyetim. Nuk kam qenë kurrë më i fuqishëm e i lirë se atë ditë që nuk erdha pas teje. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: Ky po tregohet i sinqertë. Ngrihu dhe shko derisa të vendosë Allahu për ty.

U largova e nga pas më erdhën disa njerëz nga fisi beni Selemeh e më thanë: Ne nuk dimë të kesh bërë ndonjë gabim para kësaj. Si nuk pate mundësi të arsyetohesh tek i Dërguari i Allahut si gjithë të tjerët e për këtë do të kishte mjaftuar lutja e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) për falje. Mu qepën aq shumë saqë desha të kthehem tek i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) e të përgenjështroja veten, mirëpo u thashë: I ka ndodhur dikujt tjetri kjo që më ka ndodhur mua? Thanë: Po. Dy të tjerë thanë atë që the ti, e i’u kthye e njëjta përgjigje. Pyeta se kush janë? Ata thanë: Murrarah ibn Rabia el Umerij dhe Hilal ibn Umeje El Uakifij. Më treguan dy njerëz të mirë që kishin marrë pjesë në luftën e Bedrit. Kjo shërbeu si motivim për mua dhe ata u larguan.

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) urdhëroi të gjithë muslimanët që të mos na flisnin ne të treve me gojë. Të gjithë njerëzit u larguan prej nesh e filluan të silleshin ndryshe. Mua mu duk sikur e gjithë toka ndryshoi e që nuk ishte më ajo që njihja. Në këtë gjendje vazhduam afërsisht pesëdhjetë netë.

Dy shokët e mi qëndronin në shtëpi e vetëm qanin. Ndërsa unë si më i ri që isha e më i fortë merrja pjesë në namazin me xhemat, dilja në treg e megjithatë askush nuk më fliste. I afrohesha të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) pasi që mbaronte namazin, i jepja selam e thosha me vete; A po i luan gjë buzët për të më kthyer selamin? Pastaj falesha pranë tij e shihja në bisht të syrit, kur unë nisja namazin ai më vështronte e kur unë e shikoja ai largohej prej meje dhe nuk ma hidhte vështrimin.

Kur kjo gjendje po zgjaste shumë shkova tek Ebu Katadeh, djali i xhaxhait tim dhe njeriu që doja më shumë. Unë e përshëndeta me selam por ai nuk ma ktheu. I thashë: O Ebu Katadeh, po të pyes për hirë të Allahut: A e di që unë e dua Allahun dhe të Dërguarin e tij? Ai heshti. Unë ia përsërita, ai prapë heshti. Ia përsërita edhe një herë, e ai tha: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë. Nga sytë më rrodhën lotët e u largova.

Tek po endesha nëpër tregun e Medines një tregtar nga Shami që kishte ardhur të shiste ushqime po thërriste: Kush më tregon Ka`b ibn Malik? Njerëzit e drejtuan për tek unë. Erdhi dhe më dha një letër nga mbreti i Gasanit i cili ishte i krishterë.  Në letër shkruhej: Më kanë njoftuar se shoku yt të ka larguar e Zoti nuk të ka lënë në harresë e të poshtëruar, kështu që eja tek ne të të japim pozitë. Pasi e lexova thashë: Edhe kjo është një prej belave që më shtohet. E mbështolla letrën dhe e dogja.

Kur kishin kaluar dyzet ditë më erdhi një lajmëtar nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) i cili më thotë: I dërguari i Allahut të urdhëron të largohesh prej gruas tënde. Unë i thashë: T’a shkurorëzoj apo çfarë të bëj? Tha: Jo, por mos i’u afro asaj. Po kështu kishin marrë urdhër edhe dy shokët e mi. Unë i thashë gruas time që të shkonte tek njerëzit e saj derisa Allahu t’i jepte fund kësaj çështjeje. Gruaja e Hilal ibn Umejes kishte shkuar tek i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) e i kishte thënë: O i Dërguar i Allahut, Hilal ibn Umejeh është burrë i moshuar dhe i vetëm, e ska kush i shërben. A e urren t’i shërbej? Ai tha: Jo, por mos të të afrohet. Ajo tha: Ai as që mund të lëvizë për një gjë të tillë. Pasha Allahun se ai që nga dita që i ndodhi kjo që i ndodhi vetëm qan. Disa nga njerëzit e mi më thanë: Po sikur t’i kërkosh leje të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) të lejojë edhe gruan tënde të të shërbejë ashtu sikurse lejoi gruan e Hilal ibn Umejes? Unë thashë: Jo, nuk ë bëj dot. Pastaj çmund të më thotë mua i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) duke qenë se unë jam dhe i ri në moshë?

Kur kishin kaluar pesëdhjetë netë e fala namazin e sabahut në tarracë të shtëpisë e po rrija ulur pas namazit. Gjendja ime ishte e tillë siç e ka përshkruar Allahu në Kuran: Më ishte ngushtuar vetja, më ishte ngushtuar toka e gjithçka më rrethonte. Në ato momente nga kodra Sila dëgjova një zë të fortë që thërriste: O Ka`b ibn Malik! Gëzohu! Unë rashë në sexhde. E kuptova se kishte ardhur shpëtimi. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) kishte shpallur pendimin tonë që ishte pranuar tek Allahu për ne të tre pas namazit të sabahut. Drejt nesh ishin nisur shumë njerëz që të na njoftonin sa më parë me lajmin e gëzueshëm. Drejt meje ishin nisur edhe njerëz me kuaj mirëpo zëri i atij që thërriti arriti më parë. Për këtë arsye kur arriti personi që thirri me zë të fortë hoqa një rrobë që e kisha sipër dhe i’a dhashë atij si dhuratë për lajmin e gëzueshëm. Nuk kisha rrobë tjetër veç asaj. Kërkova hua rroba e i vesha dhe u nisa për tek i Dërguari i Allahut. Gjatë rrugës më takonin njerëzit turma-turma duke më uruar. Kur hyra në xhami, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ishte ulur dhe rreth tij kishte shumë njerëz. Drejt meje u çua me nxitim Talha ibn Ubejdilah i cili më takoi e më uroi. Përveç tij askush nga muhaxhirët nuk u çua. Këtë nuk i’a harroj kurrë Talhës. I dhashë selam të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe fytyra e tij shndriste nga gëzimi. Më tha: Gëzohu për ditën më të mirë që ke parë që kur të ka lindur nëna.

I thashë: A prej teje o i Dërguar apo prej Allahut? Ai tha: Jo, prej Allahut. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) kur gëzohej i ndriçonte fytyra si të ishte një pjesë e hënës.

Unë aty thashë: O i Dërguar i Allahut, për pendimin tim do të jap sadaka nga pasuria ime. Ai më tha: Mbaj diçka për vete nga pasuria se është më mirë për ty. Unë i thashë se po mbaj pjesën time që kam në Hajber.

O i Dërguar i Allahut, me të vërtetë Allahu më shpëtoi me anë të sinqeritetit e unë po i vë detyrë vetes që sa të jem gjallë nuk do të gënjej kurrë. Pasha Allahun se nuk di asnjë prej muslimanëve t’i jetë dhënë mirësia e sinqeritetit në fjalë ashtu siç ma ka dhuruar mua Allahu. Që nga ajo ditë kurrë nuk jam munduar të gënjej, e unë lus Allahun të më ruaj derisa të jem në këtë jetë.

Allahu i zbriti të Dërguarit të tij:

“Pa dyshim, Allahu e pranoi pendimin e të Dërguarit, të muhaxhirëve dhe të ensarëve, të cilët shkuan pas atij në çastin e vështirë pasi zemrat e disave prej tyre për një fije qenë afër shmangies (nga detyra), pastaj Allahu pranoi pendimin e tyre. Vërtet, Ai është i Butë dhe i Mëshirshëm me ta. Ai ua pranoi pendimin edhe atyre të treve që mbetën prapa atëherë, kur toka sado e gjerë i’u duk e ngushtë, dhe i’u shtrënguan shpirtrat aq sa u bindën se nuk ka strehim tjetër përveç Allahut e Allahu u dha mëshirë që të pendohen. Me të vërtetë, Allahu pranon pendimin dhe është Mëshirëplotë. O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra).” (Surja Teube: 117-119).

Allahu nuk më ka dhuruar mirësi më të madhe pas Islamit sesa sinqeriteti im ndaj të dërguarit të Tij, se për ndryshe do të isha shkatërruar si ata që gënjyen e për ta Allahu në librin e tij thotë:

“Kur të ktheheni tek ata do t’ju betohen për Allahun që t’i lini. Largohuni prej tyre! Ata janë të ndyrë dhe strehimi i tyre është Xhehenemi. Ky është dënimi për veprat e tyre.  Ata do t’ju betohen që të jeni të kënaqur me ata. Nëse ju do të jeni të kënaqur me ata, dijeni se Allahu sigurisht që nuk është i kënaqur me popullin e pabindur.” (Surja Teube: 95-96)