Përse Allahu i Lartësuar e krahasoi dynjanë me ujin?

Përse Allahu i Lartësuar e krahasoi dynjanë me ujin? Do të mahnitesh nga ky shembëllim.

“Dhe sillu atyre shembullin e jetës së kësaj bote; ajo është si një ujë që e zbritëm nga qielli, pastaj prej tij u përzien bimët e tokës, pastaj u bë i thatë (i shkërmoqur) të cilin e shpërndajnë erërat. Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka.” (Kehf: 45)

Së pari: Është quajtur “الحياة الدنيا” – “jeta e afërt” sepse është më afër njeriut se bota tjetër, dhe “jeta e ulët” për shkak se është e ulët dhe e pavlerë tek Allahu në krahasim me jetën tjetër, pra mos u vrisni për të.
Së dyti: Allahu i Madhëruar përmendi ujin i cili është burimi i jetës, e pasi largohet prej njeriut ai thahet njësoj si bima dhe bëhet pluhur që e shpërndajnë erërat. Por e mbylli ajetin me fjalët: “Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka!” për të treguar se Ai është i plotfuqishëm edhe t’a rimbledhë e t’a rikrijojë atë pasi u shpërnda.
Së treti: Ashtu siç përzihen bimët me njëra-tjetrën kur bie shi dhe gëlon jeta bimore, ashtu edhe njerëzit shtohen, përzihen, lëvizin nëpër tokë dhe e gjallërojnë atë. Ashtu si bima përfundon në kashtë të thatë, e palëvizshme, ashtu është edhe përfundimi i jetës njerëzore në tokë.
Së katërti: (Shiko Tefsirul Kurtubi.)
Të mençurit kanë thënë: Allahu e krahasoi jetën me ujin për 5 arsye:

1. Sepse uji nuk qëndron në një vend, po ashtu edhe dynjaja nuk mbetet për askënd.

2. Sepse uji nuk qëndron në një gjendje, po ashtu edhe dynjaja nuk qëndron në një gjendje për askënd; një ditë shëndet, një ditë sëmundje, një ditë pasuri, një ditë varfëri, një ditë i lumtur, një ditë i trishtuar, një ditë i gjallë, tjetrën i vdekur. “Ato ditë i rrotullojmë mes njerëzve.”

3. Sepse askush nuk mund të hyjë në ujë e të dalë pa u lagur, po ashtu edhe dynjaja: Askush nuk hyn dot në të e të shpëtojë nga sprovat e saj.

4. Sepse uji nuk mbetet por (avullon) ikën, po ashtu edhe dynjaja.

5. Sepse uji kur është me masë është i dobishëm ndërsa kur është me tepricë është shkatërrues (përmbytjet). Po ashtu edhe dynjaja; e pakta prej saj është e mjaftueshme, ndërsa e shumta prej saj të shkatërron. “Sikur Allahu t’ua zgjeronte rrizkun robërve të Tij, ata do t’a kishin tepruar në tokë. Por Ai zbret me masë aq sa dëshiron. Me të vërtetë Ai është i Mirë-informuar mbi robërit e Tij, i shikon gjendjet e tyre.” (Shura: 27)

Të jep me masë aq sa të duhet për të të ruajtur dhe jo se nuk të do. Ai të njeh më mirë se ti veten tënde, dhe shikon përfundimin tënd ashtu siç shikon ti të sotmen.
Tek Sahihu i Muslimit ka ardhur hadithi: “Ka shpëtuar, ka arritur sukses ai që është bërë musliman, që është furnizuar aq sa i mjafton, dhe Allahu e ka bërë të kënaqet me atë që i ka dhënë.”
Së pesti: Bimët dhe gjelbërimi e kënaqin syrin, po ashtu edhe kjo botë të kënaq me pamjen e saj të bukur. Por edhe ajo si bimët thahet dhe zhduket, prandaj mos u mashtro me të!

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve! Paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi Profetin!

Emin Bilali