Përse falem? – II –

Autor  Abdurrauf  El-Hanauij.

Prezantimi dhe aprovimi nga dijetari i nderuar:

Abdulaziz ibën Abdil-lah ibën Baz (Allahu e mëshiroftë).

Muftiu i përgjithshëm i Mbretërisë së Arabisë Saudite.

Vazhdon ….

Së shtati : Allahu i Madhëruar nuk ka nevojë për namazin tonë, por jemi ne që kemi nevojë të falemi për Të, se Ai është më i Pasuri (i Lirë nga çdo nevojë). «O njerëz ! Jeni ju nevojtarë për Allahun, ndërsa Allahu është më i Pasuri ( i Lirë nga çdo nevojë ), Zotëruesi i gjithë lavdërimeve. Po të donte, Ai mund t’ju shkatërronte dhe sillte krijim të ri. Dhe kjo nuk është e vështirë për Allahun.» ( El-Fatir 15 -17 ).

Ai i krijoi njerëzit të zhveshur, këmbëzbathur, duarbosh, trupdobët dhe mendjengushtë, që nuk dallonin hurmën nga prushi dhe nuk zotëronin për vete asnjë dobi dhe asnjë dëm. Ai i ushqeu dhe i forcoi, i mbështeti me shëndet, logjikë dhe pasuri, u dhuroi gjithçka në qiej dhe tokë dhe u solli begatitë e Tij të dukshme dhe të padukshme.

A mos mendon, se pas këtyre gjërave të shumta që dhuroi (ndërkohë, që Ai është Sunduesi i çdo gjëje dhe në Dorë të Tij është gjithçka në qiej dhe tokë), të ketë nevojë për namazin tonë?Jo, kurrsesi, por namazi ynë është një njoftim i dukshëm i dashurisë që ne kemi për Të, është pohim për mirësitë e Tij dhe falënderim për begatitë e Tij. Atyre që shpërfillin çështjen e namazit, Allahu u ka dhënë begati siç na ka dhënë edhe neve, ndoshta u ka dhënë edhe më tepër, por ne e pohojmë mirësinë e Tij kurse ata e mohojnë. Ata harruan ditën e lindjes së tyre, ditën që nuk kishin asgjë. Ata janë të pavëmendshëm për ditën e vdekjes së tyre, ditën që do t’u lënë trashëgimtarëve të tyre atë, që grumbulluan, që të begatohen dhe t’u kërkohet llogari për të. Ata u treguan të guximshëm ndaj Allahut dhe përbuzën adhurimin e Tij, (kështu do të gjejnë gjynah). «Me të vërtet, se ata të cilët e përbuzin adhurimin ndaj Meje, padyshim që do të hyjnë në xhehenem me poshtërim.» (Gafir  60).

Përse ia detyrove vetes tënde Islamin – o ti që ke lënë namazin – përderisa nuk ke nevojë për të?! Dhe përse nuk falesh nëse je i sigurt me të?! A të vjen keq të të thonë: Se ti je fetar që i frikësohesh Allahut? A të pëlqen  të të thonë: Ti je i prishur dhe i shthurur, që kundërshton Allahun? Si u bindesh urdhrave të kryetarëve të tu dhe kundërshton urdhrat e Allahut? A mos vallë kryetarët e tu janë më të vlefshëm për ty dhe më të rëndësishëm se Allahu? Allahu është më i Larti dhe më Madhështori.

Husejn ibën Ubejd, hyri tek i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) duke e qortuar dhe kritikuar, në kohën që i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) sfidoi kurejshët, përbuzi ëndrrat dhe dëshirat e tyre dhe kur shau të adhuruarit e tyre. I Dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ngriti faktin ndaj tij, dhe refuzoi mendimet e tij boshe me fjalë të vërteta. E më pas ai u nënshtrua dhe besoi, por para kësaj ngjarjeje, zemra e tij ishte më e ashpër se guri. Profeti (paqja dhe bekimi qofshin mbi të) i tha: “O Husejn! Sa zota adhuron?” Iu përgjigj: Shtatë në tokë dhe një në qiell! I tha: “Kur të godet ndonjë fatkeqësi kujt i lutesh?” Tha: Atij që është në qiell. I tha “Kur të shkatërrohet pasuria kujt i lutesh?” Tha: Atij që është në qiell. I tha: “Vetëm Ai të përgjigjet dhe ti i bën Atij shok në adhurim? O Husejn! Prano Islamin të shpëtosh.»

Dhe unë po të them ty o musliman, që ke lënë namazin, që ke harruar Atë që të mbikqyr dhe atë që të pret: Falu, të shpëtosh nga dënimi i ashpër i Allahut. Është turp për ty ta lutësh Allahun kur ke fatkeqësi dhe ta lësh pas dore kur je në mirëqënie e begati.

Së teti: Ajo që përfiton nga namazi yt është gjithë mirësia. Përfiton ti dhe vëllezërit e tu muslimanë. A nuk dëshiron që Allahu të të falë ty gjynahet që i ke vepruar?  Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: «A t’ju njoftoj për atë me të cilën Allahu fshin gabimet dhe lartëson gradët?» I thanë: Patjetër, o i Dërguar i Allahut. Tha: «Plotësimi i abdes’hit edhe kur ka vështirësi, hapat e shumtë për në xhami, pritja e namazit pas namazit, ky është qëndrimi në luftë.» E nëse Allahu të fal gjynahet, do të gëzohen vëllezërit e tu muslimanë, sepse ata duan për ty atë që duan për veten e tyre.  Dobitë e namazit janë shumë më tepër nga sa mund të numëroj dikush, që numëron ose që i rregjistron me penë. Namazi është çështje që i përket Allahut dhe Ai ua vendosi adhurim robëve të Tij: «Thuaju robëve të Mi që kanë besuar se ata duhet  të kryejnë plotësisht faljen e përcaktuar.»(Ibrahim 31)

Ai mblodhi në të gjithë mirësitë, me fjalën më letrare dhe shprehjen më të shkurtër: «Vërtet që falja e namazit parandalon nga çdo vepër e papëlqyer dhe e padrejtë.» (El-Ankebut 45).

Çdo njeri ka të drejtë të numëroj veçoritë e namazit aq sa dëshiron brenda kësaj hapësire, e nëse nuk mundet t’i numëroj të gjitha, të paktën të kujtoj disa prej tyre.

Nëse i jep fund të ndyrës në veten tënde dhe e shkul nga rrënjët në veprimet e tua, atëherë ke shpëtuar fenë tënde, ke pastruar veten tënde, ke rregulluar zemrën tënde, ke shpëtuar gjymtyrët e tu dhe do të kesh mbarëvajtje në çështjet e tua. Nëse e largon të urryerën dhe të padrejtën duke ua prerë litarët, i ke dhënë fund këtij mikrobi shkatërrues në ndërtimin e shoqërisë tënde. Kështu ke siguruar fenë tënde, veten tënde dhe fëmijët e tu.

Namazi është ndihmues në raste fatkeqësish, ai është zgjidhje për problemet dhe ngatërresat.

“Dhe kërkoni ndihmë me durim dhe me falje (namaz), e është e vërtetë se kjo është tejet e rëndë dhe e vështirë, përveç atyre që janë të frikësuar”(El-Bekareh 45)

Namazi është rehatim për mendjen dhe trupin tend, nga hallet e jetës dhe lodhja e punëve. Ai luan rolin kryesor në forcimin e lidhjes mes muslimanëve dhe barazinë mes njerëzve. Ai ruan rendin  dhe regjimin, lartësimin mbi këdo që është në dynja, zbrazjen e zemrës nga epshet dhe dëshirat, pastrimin e vetes nga armiqësia dhe dinakëria, ruajtjen e gjuhës, mbrojtjen e shikimit dhe dëgjimit, thjeshtësinë dhe edukimin, ushtrimin e kryerjes së të drejtave dhe vënien ne zbatim të urdhrave në lehtësi dhe vështirësi.

Unë nuk dyshoj aspak se namazi përmban edhe dobi fizike, që përfitohen nga format e tij të veçanta, në qëndrimin në këmbë, në ruku, në sexhde, si dhe në uljen që na e vendosi Allahu si adhurim, edhe pse për ne mund të jenë të panjohura këto dobi.

Muslimanët e parë i pranonin me zemër të hapur urdhrat e Allahut të Lartësuar, pa kërkuar arsyet dhe motivet e tyre. Ata i zbatonin pa pyetur dhe pa kërkuar shpjegime dhe hollësi. Por dobësia e penguesit fetar në vetet e njerëzve, bëri që predikuesit që merren me udhëzimin dhe drejtimin e fillestarëve të mendoheshin thellë, duke u sforcuar si tepër, për të nxjerrë në pah aq sa mundet prej mirësive dhe veçorive në fenë islame. Ata i vendosën këto, para syve të fillestarëve, si vendosja e dirhemit (monedhë argjendi) në dorë, e megjithatë pak prej tyre përfitojnë dhe pak prej tyre falënderojnë.

O musliman !

Këshilla ime për ty është të falesh dhe t’i ruash namazet duke i falur në kohën e tyre. Për Allahun, askush nuk mund të të bëj dobi tek Allahu. Askush nuk e merr përsipër gjynahun tënd, askush nuk polemizon me Allahun për ty, dhe askush nuk e shmang hakmarrjen e Tij kur të vijë tek ty. Nuk do të të bëj dobi as fëmija dhe as pasuria. Nuk do të kesh gjithnjë pozitën dhe rininë tënde. Ti do të pendohesh për pakujdesinë tënde ditën, që nuk të bën dobi pendimi. Ti do të të vijë vdekja papritur dhe do të jesh i pavëmendshëm ndaj saj.Përgatitu mirë, përqëndrohu dhe merr mësim nga ata që ishin para teje.

Dije, se gjëja e parë për të cilën do të pyetet robi Ditën e Kijametit është namazi. Nëse ka pë të qenë në rregull do të pyetet për ato që janë pas tij si: Zekati, agjërimi dhe haxhi. Nëse ai refuzohet nuk ka për t’u pyetur për asnjë gjë të mirë pas namazit, edhe pse jep zekat, agjëron dhe kryen haxhin.

Dije, se kush lë namazin qëllimisht, nuk justifikohet nga Allahu i Lartësuar dhe i Dërguari i Tij (paqja dhe bekimi qofshin mbi të).

Bëj Kujdes, të mos jesh prej muslimanëve të rremë, që falin një namaz dhe lënë disa të tjerë. As prej atyre që thonë: Nuk është kryesor namazi, por e rëndësishme është të kesh zemër të pastër e të mos mashtrosh të tjerët. Ata pretendojnë se nuk e zemërojnë Allahun, as të Dërguarin e Tij dhe as besimtarët: «Nuk ka dyshim se ata të cilët e zemërojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Allahu i ka mallkuar në Dynja dhe në jetën  e Fundit dhe ka përgatitur për ta vuajtje poshtëruese. Edhe ata të cilët zemërojnë padrejtësisht besimtarët dhe besimtaret, mbajnë mbi vete krimin e të shpifurit dhe gjynah të qartë.» (El-Ahzab 57-58). Çfarë e zemëron më shumë Allahun se kundërshtimi i Tij? Çfarë e zemëron më shumë të Dërguarin se kundërshtimi i tij?! Çfarë i zemëron më shumë besimtarët se pakujdesia me fenë e tyre dhe ndjekja e një rruge tjetër veç rrugës së tyre?!

Nëse sheh disa njerëz që falen dhe veprojnë gjynahe, dije mirë se ata nuk janë të pagabueshëm dhe gjynahet e tyre nuk kanë aspak lidhje me namazin e tyre.

Ti nuk je ngarkuar t’u kërkosh llogari atyre dhe nuk do të të kërkohet llogari për ta. Madje të jesh i sigurt, se një ditë ata do t’i lënë punët e këqija. Ti bëhu më i mirë se ata, bëhu shembull dhe këshillues për ta. Bëhu prej atyre që namazi i ndalon nga të urryerat dhe mos u bë prej atyre që namazi nuk u shton gjë tjetër veç largimit nga Allahu.

Nëse je i logjikshëm, falu. Për Allahun, një i logjikshëm nuk e lë kurrë namazin.

Bëj kujdes, të mos bëhesh prej atyre, që nuk i përdorin mendjet dhe shqisat në atë që u sjell dobi, por ndjekin epshet dhe shejtanët e tyre. Allahu i Lartësuar përkujton pakujdesinë e tyre dhe i nënçmon duke thënë: «Ata kanë në vete zemra me të cilat nuk kuptojnë, ata kanë në vete sy me të cilat nuk shohin, ata kanë në vete veshë me të cilët nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëti. Jo, akoma më keq. Ata janë krejt të pamend e të hutuar.» (Al-A’raf 179).

Falu! Nëse je i lirë dhe fisnik, e mos ndiq njerëzit që kanë devijuar e dalë. Mos u mashtro me shumicën e të shkatërruarve.

Falu! Nëse je nga ata, që ruajnë të bukurën dhe falënderojnë të mirën e të drejtën.

Falu! Nëse je i çiltër në Islamin tënd. Mos i kundërshto punët e tua me fjalët e tua dhe të bëhesh prej munafikëve (hipokritëve  që shfaqin Islamin dhe fshehin mosbesimin).

Falu! Nëse e do vetveten, që ta shpëtosh nesër nga dënimi i dhimbshëm.

Bëj kujdes! Mos këmbëngul dhe vazhdon në gabimin tënd, e mashtrohesh nga shejtani që të bën të harrosh Allahun, e më pas të jesh prej të humburve.

Falu! Nëse je respektues i prindërve të tu; Që Allahu të pranoj lutjen tënde dhe kërkimin tënd për faljen tyre.

Falu! Nëse i do fëmijët e tu dhe bëhu shembull i mirë për ta. Si shpreson që ata të rriten me Islam kur ti vetë nuk e zbaton? A të pëlqen – duke qenë se ti i do fort ata – që t’i shohësh nesër të lëvizin në zjarr?

Falu! Nëse je besnik për gruan tënde, i do të mirën asaj dhe shpreson që të shpëtoj. A mos mendon se ajo do falet nëse ti nuk falesh?! A të nderon fakti që ajo të jetë besimtare e devotshme, ndërsa ti jeton i prishur dhe i çrregullt? Si të sigurohet ajo për besnikërinë tënde nëse nuk je besnik me prindërit dhe fëmijët e tu?

Falu! Nëse je i sinqertë për atdheun tënd, se ai që nuk është i mirë për fenë e tij nuk është i mirë as për atdheun e tij.

Si t’ua mbroj Allahu njerëzve atdheun e tyre, kur ata e kundërshtojnë dhe mohojnë begatitë e Tij? Tek jehudët, atë gjykim që dha për ta, e dha sepse lanë namazin dhe vepruan gjëra të urryera dhe të papëlqyera.

Falu! Nëse e do Allahun e Lartësuar, sepse ai që do dikë nuk ndien kënaqësi vetëm se, me veçimin dhe takimin me atë që do. Kështu le të jetë namazi yt një pjesë e veçimit dhe takimit tënd me Të.

Falu! Nëse e ke frikë Allahun Madhështor; se Ai e kërcënoi atë që nuk falet me zjarr. Ndërsa ti, o i mjerë, nuk ke mundësi të durosh as nxehtësinë e diellit dhe si do bësh me zjarrin?! Zjarri i dynjasë është vetëm një pjesë nga shtatëdhjetë pjesët e zjarrit të Ahiretit (jetës tjetër). Zjarri i Ahiretit është i zi dhe i errët dhe njeriu ecën në të shtatëdhjetë vjet, sa të arrijë shtratin dhe fundin e tij.

O shoku im! A të gëzon fakti, që të të thonë Ditën e Kjametit se: Ti je prej kriminelëve; Sepse nuk ishe prej namazlinjve. A të pëlqen t’u thotë Allahu Hakmarrës melekëve të Tij të ashpër: «(Do t’u thuhet): Kapeni atë dhe lidheni në pranga; Pastaj hidheni në zjarrin flakërues. Pastaj lidheni atë me  zinxhir të gjatë shtatëdhjetë kutë.» (El-Hakkah 30-32).

A nuk je dakord me mua, se lënia e namazit është gjynah? Atëherë, pse e lë atë?!

A mos vallë ke ndonjë besë nga Allahu i Lartmadhëruar, që do të të falë ty? A nuk e ke dëgjuar se si i është drejtuar Allahu të Dërguarit të Tij (paqja qoftë mbi të) : «Thuaj: Kam frikë ndëshkimin e Ditës së Madhe nëse e kundërshtoj dhe nuk i bindem Zotit tim.» ( En-A’am 15 ).

Kush është më i nderuar tek Allahu, ti apo i Dërguari i Tij? Nëse në pikëpamjen tënde, i Dërguari është më i nderuar – dhe kjo është e vërteta – atëherë pse ai i frikësohet Zotit të tij, ndërsa ti nuk i frikësohesh?!

O ti i vetëdijshëm! Sikur të të kërcënoj ndonjë polic do të shqetësoheshe jashtë mase, sikur të të kërcënoj udhëheqësi nuk do të të rrinte i qetë kapaku i syrit nga frika, sikur të të kërcënonte i plotfuqishmi i një vendi do të të thyej shpina nga ankthi dhe tmerri. Atëherë, si do të ndiesh nëse të kërcënon Hakmarrësi i Gjithëfuqishëm?! Ku do të shkosh dhe kush do të të mbroj nga Ai?!

A mos vallë do të të shpëtojnë arsyeja dhe të qarët kur të shohësh zjarrin me sytë e tu? Çfarë dobie do të depozitosh për Ahiretin tënd në dynja nëse nuk falesh? Dhe ç’humbje do kesh nëse falesh? Si është më mirë për ty: Të jesh me të lumturit në Xhennet apo me të dëshpëruarit në zjarr?

Falu! Se nuk je dikush që nuk ka nevojë për Allahun e Lartmadhëruar. Njihe Atë në mirëqënie të të njohi në vështirësi.

Falu! Dhe mos ji musliman deklarues me fjalë që adresohesh tek Islami, ndërkohë që ai është larg teje. Bëj kujdes, se mos bëhesh shkak për shembjen dhe shkatërrimin e tij. Mburru fuqishëm me Islamin tend, si ai që krenohet dhe thotë:

“Babai im është Islami, e nuk kam baba tjetër veç tij

nëse ata mburren me Kejsin dhe Temimin”

Falu! Që të jesh mburojë për vëllezërit e tu muslimanë dhe të pakësosh numrin e munafikëve.

Falu! Të kënaqësh Mëshiruesin, të mërzitësh shejtanin dhe të zmbrapsësh kurthin e dinakëve.

Falu! Se namazi është dritë që largon errësirën e devijimit dhe të kotës, vendos udhëzimin dhe të vërtetën në zemër, ndriçon errësirën e varrit tënd dhe të shkëlqen ballin me dritë Ditën e Kijametit.

Falu! Se namazi luan rolin më të madh në ndalimin tënd nga gjynahet dhe është pengesa më e ashpër për shejtanin dhe epshet.

Falu! Se llogaria është e vështirë dhe kërkuesi i llogarisë është i Plotfuqishëm për çdo gjë. Dije, se Ditën e Kjametit edhe kafshët kur të shohin se çfarë është përgatitur për njerëzit prej ndëshkimeve dhe vështirësive do të thonë: “O bijtë e Ademit! Gjithë falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, që nuk na bëri si ju. Ne, as Xhennet shpresojmë dhe as nga ndëshkimi nuk trembemi.” Atë ditë, krimineli dëshiron të jetë baltë.

Së fundi: O vëllai im musliman! Falu! Unë për vete falem dhe dëshiroj të mirën për ty aq sa e dëshiroj për veten time, përderisa ti je vellai im në Islam.

Falu! Duke iu bindur Allahut në fjalën e Tij: «Ndiqni rreptësisht faljen (pesë kohët e detyruara) e sidomos faljen e mesit (faljen e pasdites, Asrin). Dhe qëndroni para Allahut me bindje e përkushtim.» (El-Bekareh 238) Dhe duke u frikësuar se mos mblidhesh në grupin e mosbesimtarëve. I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë në një hadith të saktë          «Besa e lidhur midis nesh dhe atyre është namazi, dhe kush e lë atë ka mohuar.»

Falu! Se për Atë, i Cili nuk ka të adhuruar të merituar tjetër përveç Tij, unë jam prej këshilluesve për ty. Allahu na bëftë prej atyre që dëgjojnë fjalët dhe ndjekin më të mirën.

Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi zotërinë dhe profetin tonë Muhammed dhe familjen e tij. Gjithë falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve.

Përshtati në shqip Bledar Ali