Ebu Amër Uvejs ibën Amir ibën Xhez’in ibën Malik el-Karani ishte një tabi’in i nderuar, një nga prijësit e brezit të tabi’inëve dhe një asket e adhurues i shquar me origjinë nga Jemeni.
Ai jetoi në kohën e Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), por nuk e pa atë. Ai ishte pjesë e një delegacioni që u takua me Umerin (Allahu qoftë i kënaqur me të) dhe më vonë u vendos në Kufa. Është vërtetuar se ai ishte më i miri i tabi’inëve, siç transmetohet nga Usejr ibën Xhabir, i cili ka thënë: “Kur Umer ibën Hattabi takonte njësitë ushtarake që vinin nga Jemeni ai i pyeste: A është mes jush Uvejs ibën Amiri? Derisa e gjeti dhe e pyeti: A je ti Uvejs ibën Amiri? Ai u përgjigj: Po. Umeri e pyeti: A je nga fisi Murad dhe nga familja e karanëve? Ai tha: Po. Umeri vazhdoi: A ke pasur leprozë dhe je shëruar prej saj, përveç një pjese sa madhësia e një dirhemi? Ai tha: Po. Umeri e pyeti: A ke një nënë? Ai u përgjigj: Po.Atëherë Umeri tha: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) të thotë: ‘Do të vijë tek ju Uvejs ibën Amiri me njësitë ushtarake nga Jemeni. Ai është nga fisi Murad, nga familja e karanëve. Ai ka pasur sëmundjen e leprozës dhe është shëruar prej saj, përveç një pjese sa madhësia e një dirhemi. Ai ka një nënë ndaj së cilës është shumë i përkushtuar. Nëse betohet për diçka, Allahu e pranon betimin e tij. Nëse mundesh, kërkoji të lutet për falje për ty.’ Andaj lutu për falje për mua! Dhe Uvejsi u lut për falje për të.” Më pas, Umeri e pyeti: “Ku dëshiron të shkosh?” Ai tha: “Në Kufe.” Umeri i tha: “A dëshiron t’i shkruaj një rekomandim udhëheqësit të saj për ty?” Uvejsi u përgjigj: “Më pëlqen më shumë të jetoj mes njerëzve të zakonshëm.”
Vitin pasardhës, një burrë nga paria e Kufës shkoi për haxh dhe u takua me Umerin. Umeri e pyeti për Uvejsin, dhe ai tha: “E lashë atë në një shtëpi të varfër me shumë pak pasuri.” Umeri tha: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: ‘Do të vijë tek ju Uvejs ibën Amiri me njësitë ushtarake nga Jemeni. Ai është nga fisi Murad, nga familja e karanëve. Ai ka pasur leprozë dhe është shëruar, përveç një pjese sa madhësia e një dirhemi. Ai ka një nënë ndaj së cilës është shumë i përkushtuar. Nëse betohet për diçka, Allahu e pranon betimin e tij. Nëse mundesh, kërkoji të lutet për falje për ty.’” Ky burrë shkoi tek Uvejsi dhe i tha: “Lutu për mua!” Uvejsi i tha: “Ti sapo ke ardhur nga një udhëtim i bekuar, kështu që lutu ti për mua!” Ai këmbënguli: “Jo, ti lutu për mua!” Uvejsi e pyeti: “A e ke takuar Umerin?” Ai tha: “Po.” Atëherë Uvejsi u lut për të. Kur njerëzit e morën vesh për të, ai u largua nga sytë e tyre. Usejri tha: “Unë i dhashë një mantel, dhe sa herë që dikush e shihte atë, thoshte: Nga e mori Uvejsi këtë mantel?!”
Uvejs ibën Amiri ndërroi jetë në vitin 37 hixhri.
Përktheu: Rexhep Milaqi
Dosje: Histori