Porosia për mbajtjen pastër të Qabes së nderuar.
Vazhdim i temave me titull “Haxhi për në Qabe, shtëpia e lashtë e Allahut në Tokë”.
Ndërtimi i Qabes për të qenë udhëzim për në besimin e drejtë ishte mirësi e madhe që iu bë familjes së Ibrahimit -alejhi selam- dhe mbarë popujve të botës. Allahu i madhëruar ka thënë: Udhëzim për mbarë botën. Ky objekt në lidhje me familjen e Ibrahimit -alejhi selam- u kujton atyre besimin e drejtë të babait të tyre, ndërsa për popujt e tjerë është ftesë për në atë besim dhe njohje e tyre me të.
Mirësi të tilla kanë nevojë të ruhen, dhe për këtë arsye Ibrahimi dhe Ismaili -alejhima selam- menjëherë pas ndërtimit të saj u porositën të kujdeseshin për të.
Allahu i madhëruar në Kuran, në lidhje me këtë porosi thotë:
وَعَهِدْنَا إِلَى إِبْرَاهِيمَ وَإِسْمَاعِيلَ أَنْ طَهِّرَا بَيْتِيَ لِلطَّائِفِينَ وَالْعَاكِفِينَ وَالرُّكَّعِ السُّجُودِ
«Ne i porositëm Ibrahimin dhe Ismailin: Pastrojeni Shtëpinë Time për ata që bëjnë tavaf, për ata që ngujohen aty dhe për ata që bëjnë ruku dhe sexhde». Suretu El-Bekare: 125.
Kjo porosi është përsëritur edhe njëherë në suren El-Haxh ku thuhet:
وَإِذْ بَوَّأْنَا لِإِبْرَاهِيمَ مَكَانَ الْبَيْتِ أَنْ لَا تُشْرِكْ بِي شَيْئًا وَطَهِّرْ بَيْتِيَ لِلطَّائِفِينَ وَالْقَائِمِينَ وَالرُّكَّعِ السُّجُودِ
«Përkujto kur Ne e vendosëm Ibrahimin te vendi i Shtëpisë së Shenjtë (duke e urdhëruar): “Mos më shoqëro asgjë (në adhurim) dhe pastroje Shtëpinë Time për ata që bëjnë tavaf, për ata që qëndrojnë aty dhe për ata që bëjnë ruku dhe sexhde!» Suretu El-Haxh: 26.
Në këto ajete shihet qartë se ka pasur një porosi të hershme për Ibrahimin dhe Ismailin -alejhima selam- që kjo shtëpi të qëndrojë e pastër. Kjo porosi në njërin prej ajeteve dhe konkretisht në ajetin e parë, është shprehur me fjalën arabe “Ahd” e cila sipas përdorimit të saj në këtë gjuhë do të thotë porosi e kërkuar me ngulm, çfarë nënkupton rëndësinë e saj te Allahu i madhëruar.
Porosia për mbajtjen pastër të Qabes sipas komentuesve të Kuranit përmban dy domethënie:
E para: Pastrimi i Qabes nga shirku dhe idhujtaria.
Allahu i madhëruar e ka quajtur shirkun apo idhujtarinë ndyrësi kur ka thënë:
“Mushrikët janë të ndyrë, prandaj të mos i afrohen më Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti.” Suretu Et-Teube: 28.
S’ka dyshim se shirku është ndyrësia më e madhe që mund të ndotet me të ky vend, i cili nuk u ndërtua veçse për të adhuruar Allahun e madhëruar. Ajeti i dytë e tregon më qartë këtë domethënie sepse ai fillon me fjalët: “Mos më shoqëro asgjë (në adhurim) dhe pastroje Shtëpinë Time…” që do të thotë; mos e ndyj besimin tënd me shirk dhe mbaje pastër Shtëpinë Time prej tij.
E dyta: Pastrimi i Qabes nga ndyrësitë morale dhe materiale.
Ndyrësitë morale janë ato që i mundojnë dhe i frikësojnë njerëzit si; gënjeshtra, shpifja, mashtrimi, cënimi i jetës, pasurisë dhe nderit etj.
Ndërsa ndyrësitë materiale janë pisllëqet, qofshin ato që dalin nga njeriu apo edhe ato që dalin nga të tjerë, të cilat shkaktojnë mundim dhe neveri te njerëzit.
Këto ndyrësi bëhen shkak që njerëzit nga mundimi, nga frika, ose nga neveria të qëndrojnë larg këtij vendi e të mos i afrohen atij, që do të thotë se prezenca e tyre i pengon ata nga ky vend.
Kështu që Qabeja të ketë dobinë për të cilën është ndërtuar duhet patjetër të mbahet pastër nga të dyja llojet e ndyrësive; nga shirku që të mos tjetërsohet qëllimi i Allahut dhe të adhurohet në atë vend tjetërkush veç Tij, si dhe nga ndyrësitë morale e materiale që ato të mos jenë pengesë e arritjes së njerëzve te qëllimi i Tij.
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve