Porositë e etërve për bijtë IV

Autor   Shejkh  Muhammed  Shaakir.

Shejkhu  i  dijetarëve  të  Aleksandrisë  në të  kaluarën

1282  –  1358 H.

Mësimi i gjashtëmbëdhjetë

Përgojimi, thashethemet, smira, zilia, mendjemadhësia dhe mashtrimi

O biri im! Të përmendësh vëllanë tënd në mungesë të tij, për diçka që veshët e tij nuk duan ta dëgjojnë është ves i ulët dhe i keq.

O biri im! Çdo njeri ka të meta, ashtu sikurse ti nuk do që të përmenden të metat e tua kur nuk je i pranishëm, po ashtu duhet ta ruash gjuhën tënde nga të metat e njerëzve kur nuk janë të pranishëm. Largoju përgojimit, o biri im, dhe largoju motrës së tij që është thashethemja. Mos vrapo për të shkatërruar njerëzit. Mos i thuaj askujt prej vëllezërve të tu, se filani ka thënë për ty kështu dhe kështu, apo se filani të akuzoi për këtë.

O biri im! Përgojimi dhe thashethemet janë prej veseve të njerëzve të ulët dhe të pacipë dhe nuk janë prej veseve të nxënësve të dijeve fetare. Prandaj, mos e ndot vetveten me këto vese të ulëta. «O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshimet. Vërtet mjaft nga dyshimet përbëjnë gjynahe. Dhe mos përgjoni e përgojoni njëri-tjetrin. A do të donte ndonjëri prej jush të hante mishin e vëllait të vet të vdekur? Vërtet që do ta urrenit. Dhe kini frikë Allahun. Vërtet që Ai fal dhe e pranon pendimin, është Mëshirplotë.» ( El-Huxhurat  12 ).

O biri im! Mos e ki zili vëllanë tënd për një begati që i ka dhënë Allahu dhe ti nuk e ke, sepse po të donte Allahu do të ta jepte edhe ty siç ia dha atij.

O biri im! Ziliqari nuk përfiton nga smira e tij gjë tjetër,  veç armiqësisë dhe urrejtjes. Nëse do kesh smirë për vëllanë tënd, ai ka për të të urryer dhe armiqësuar. Madje për këtë ves të ulët ka për të të urryer ç’dokush që të njeh. Lëre smirën, o biri im,  dhe lëre zilinë që ke ndaj vëllezërve të tu dhe ndaj njerëzve në përgjithësi. Mos i bëj keq askujt dhe as mos e mendo këtë gjë. Edhe nëse dikush të bën keq,  por më pas të kërkon ndjesë, ti pranoje arsyetimin e tij me mirësjellje dhe fshije nga zemra dashurinë e hakmarrjes ndaj tij.

O biri im! Ji zemërgjerë dhe mos dëmto askënd dhe ke për të parë që njerëzit do të kenë dashuri për ty dhe do të të duan.

O biri im! Smira dhe zilia janë dy vese të liga, që nuk i sjellin dëm askujt veç atij që i ka ato vese. Smira nuk ka për të të sjellë ty, begatinë e atij që e ke smirë dhe as zilia nuk ka për ta dëmtuar atë, për të cilin mendon keq, vetëm nëse do Allahu. Por nëse do të jesh ziliqar dhe smirëkeq zemra jote do të përvëlohet nga mllefi natën dhe ditën.

O biri im! Kur Allahu të begaton me një begati falënderoje Atë dhe mos u trego mendjemadh ndaj krijesave të Tij, sepse Ai që të dhuroi këtë begati është i Plotfuqishëm  për ta larguar atë nga ti. Ai që ndaloi dikë tjetër nga dhënia është i Plotfuqishëm t’i jap atij dyfishin e asaj që të dha ty. Prandaj, mos iu paraqit zemërimit të Allahut duke u treguar mendjemadh ndaj krijesave të Tij, sepse Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë.

O biri im! Mos u mashtro me atë që të ka dhënë Allahu dhe të harrosh faktin, që je rob i Zotit tënd dhe një nga krijesat e Tij. Ti nuk ke asnjë përparësi ndaj dikujt tjetër tek Allahu përveçse me devotshmëri. «O njerëz! Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë me kombe dhe fise, që të njiheni me njëri-tjetrin. Padyshim se më i nderuari prej jush tek Allahu, është ai që është më me takva (që i friksohet dhe i përkushtohet më shumë Allahut). Vërtet që Allahu është i Gjithëditur, i Gjithënjohur.» (El-Huxhurat -13).

Mësimi i shtatëmbëdhjetë

Rreth pendimit, frikës, shpresës dhe durimit me falënderim

O biri im! I pastër nga gjynahet dhe gabimet nuk është asnjë me përjashtim të pejgamberëve (salati dhe salami qoftë mbi ta). Nëse do të bësh  një gabim, shpejto me pendim tek Allahu i Lartësuar dhe kërko falje nga Zoti yt, sepse Ai është Falës.

O biri im! Pendimi nga gjynahet nuk është thjesht një fjalë që e thua me gjuhën tënde, por pendimi në realitet është, të pohosh para Mbrojtësit dhe Krijuesit tënd gjynahun që bëre. Të pohosh se je gjynahqar dhe se e meriton dënimin e Allahut të vendosur për këtë gjynah. Të ndiesh hidhërim dhe pendim për mospërfilljen tënde  dhe t’i japësh besën Allahut, se nuk ke për t’u kthyer më tek i njëjti gabim. Më pas lutu me çiltërsi që Allahu të t’i falë ato që ke bërë  më parë. Nëse Ai do, të falë dhe nëse do të ndëshkon.

Ky, o biri im, është realiteti i pendimit dhe i kërkimit të faljes, e jo thjesht të thuash me gjuhën tënde: U pendova tek Allahu duke qenë në kundërshtim të Mbrojtësit  dhe Krijuesit tim.

Padyshim që kërkimi i pendimit jo të mirëfilltë dhe mos lënia e gjynahut, është një tjetër gabim, që meriton ndëshkim.

O biri im! Pa mendo  veten tënde, nëse babai ose mësuesi do të të urdhërojnë të ishe i rregullt në mësime, por ti e shpërfille atë që të urdhëroi dhe ai dëshiron të të ndëshkojë, por ti pohon dhe thua: Unë u pendova! A vallë do të ishte i saktë ky pendimi yt, ndërkohë që ti je i çrregullt në mësime? A nuk do konsiderohej ky veprim i yti prej gënjeshtrave të cilat meritojnë një tjetër dënim?

O biri im! Frika ndaj Allahut është  pengesë midis njeriut dhe gjynahut, prandaj kush ka frikë të madhe ndaj Allahut, rrallëherë mund të veprojë një gjynah.

Kije frikë Allahun, o biri im, me një frikë që të pengon nga kundërshtimi i urdhrit të Tij dhe mos  i humb shpresat nga mëshira e Allahut nëse bën ndonjë gjynah. Lutu me çiltërsi tek Allahu, fshehtazi dhe haptazi. Kërko prej Tij të të falë, se me të vërtetë Zoti yt është Falës, Mëshirues.

O biri im! Nëse të godet ndonjë fatkeqësi në vetvete, në pasurinë tënde, apo tek  një njeri i shtrenjtë për ty, duro dhe kërko shpërblimin tek Allahu. Përballoje caktimin dhe vendimin e Allahut me kënaqësi dhe pranim. Falënderoje Mbrojtësin tënd për butësinë dhe bamirësinë që të ka dhuruar, për faktin se fatkeqësinë nuk ta ka shumëfishuar. Kërkoji butësi në caktimin dhe vendimin e Tij dhe thuaj: O Allah ! Unë nuk të kërkoj mospranimin e caktimit, por të kërkoj butësi në të.

O biri im! Nëse do të shikoje Gajbin (të fshehtën), do të zgjidhje atë që ka vendosur Allahu  për ty. Çdo fatkeqësi që e sheh, dije se ka të tjera më të rënda se ajo, prandaj mos iu kundërvë caktimeve dhe mos e kundërshto Krijuesin tënd, sepse Ai vepron si të dojë. Askush nuk mund ta kthejë vendimin e Tij dhe askush nuk mund ta ndryshojë gjykimin e Tij. Ai bën çfarë të dojë dhe Ai është më i Urti Gjithëgjykues dhe i Mirënjohur për gjithçka.

Mësimi i tetëmbëdhjetë

Mirësia e punës dhe fitimit  bashkë me mbështetjen dhe zuhdin

O biri im! Mësoje dijen që të punosh me të dhe t’ua mësosh edhe njerëzve që të punojnë me të. Mësoje dijen që të zbukurosh  mbarëvajtjen e kësaj jete dhe rrugën ku do të kthehesh. Ti nuk mësove që dija të jetë një zinxhir në qafën tënde, dhe as litar në këmbën tënde, që të pengon nga puna dhe shkaqet e jetesës.

O biri im! Dijetari është shembull parësor në fitimin e pasurisë nga rrugët e lejuara që më pas të shpenzojë në llojet e bamirësisë. Ky është dijetari, drita e dijes së të cilit ndriçon masën e gjerë të popullit, Ai të  udhëzon kur  shet, kur blen, kur merr borxh, kur mbjell, kur tregton dhe kur shpenzon.

O biri im! Nuk është aspak turp për nxënësin e dijes të punojë në kopshtin e tij apo në kopshtin e babait të tij. Por turp dhe turp i madh është që të mbështetet tek njerëzit, duke pritur sadakatë (lëmoshat) e tyre, duke pritur të marrë diçka nga njerëzit me karakter.

O biri im! Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ruante bagëtitë para se të ishte i dërguar, më pas tregtonte derisa u dërgua me shpallje dhe vazhdoi kështu derisa u bë risku i tij nën hijen e shigjetës. Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të), ishte tregtar derisa u zgjodh Khalif. Kështu pra, ishin shokët e të Dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) dhe ata që i pasuan prej të parëve tanë të mirë. Ata nuk i pengoi dija nga përzierja me njerëzit në fitimin e hallallit, por ishin shembull i mirë në rrugët e fitimit.

O biri im! Ti ke për të lexuar shumë gjykime dhe rregulla të Sheriatit për shitblerjen, pengun, qeratë, të mbjellat etj. . Prandaj, puno me atë që di dhe mëso edhe njerëzit. Allahu ka për të ta shumëfishuar shpërblimin e dijes dhe punës tënde.

Bëj kujdes, o biri im, e mos mendo si  disa të çmendur, se mbështetja tek Allahu është lënia e punës dhe dorëzimi tek caktimet. Nuk ka dyshim se bujku i cili gërmon tokën e tij dhe punon në të vetë, natën dhe ditën, është nga më të mirët prej atyre që  mbështeten tek Allahu nëse ka qëllime të mira. Ngase ai kur e hedh farën në brendësi të tokës, e punon mirë atë dhe ia dorëzon çështjen Zotit të tij, atëherë nëse Ai do mbin shtatë kallinj, ku në çdo kalli të ketë njëqind kokrra. E nëse ai do e vdes atë dhe nuk mbin asgjë.

O biri im! Zuhdi (asketizmi), nuk nënkupton lënien e punës, por zuhdi është të nxjerrësh dashurinë për dynjanë nga zemra jote. Nëse fiton më tepër nga ç’të nevojitet, ndihmo të dobëtit dhe jepu sadaka të varfërve. Mos të të shtyjë lakmia dhe dëshira për të grumbulluar sa më shumë në kërkim të dynjasë, përveçse në ato rrugë që Allahu ua ka lejuar robëve të Tij.

O biri im! «Por kërko me atë (pasuri) që Allahu ta ka dhuruar, banesën e pastajme dhe mos e harro edhe pjesën e lejuar të kënaqësisë së kësaj bote, bëj mirësi siç ka qenë Allahu i Mirë me ty dhe mos kërko rast për të bërë padrejtësi e djallëzi në tokë. Vërtet që Allahu nuk i do ata që bëjnë krime e padrejtësi (shtypësit, prishësit) .» (El-Kasas – 77).

Mësimi i nëntëmbëdhjetë

Përkushtimi i qëllimit vetëm për Allahun në të gjitha punët

O biri im! «Me të vërtet punët janë sipas qëllimeve dhe çdo njeri do të marri atë që ka për qëllim.» (Transmeton Bukhariu, Muslimi etj. nga Umeri ibën Khattabi, nga Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).

Ai i cili lë të ngrënit dhe të pirët nga agimi i mëngjesit deri ne perëndim të diellit me qëllim agjërimin,  është si ai që i lë ato sepse nuk ka mundësi t’i gjej. Por i pari ka shpërblimin e agjërimit, ndërsa i dyti nuk e ka këtë shpërblim.

Përkushtoje qëllimin për Mbrojtësin dhe Ndihmuesin tënd, o biri im, në të gjitha punët e tua. Mësoje dhe kuptoje fenë  me qëllim që të qëndrosh në kufijtë e Allahut, në atë që Ai të ka lejuar dhe në atë që të ka ndaluar. Nga ajo që është e ndaluar  largohu, sepse Allahu ta ndaloi,  dhe ajo që është detyrë veproje, sepse Allahu ta urdhëroi. Mësoji shkencat e gjuhës arabe që të të forcohet aftësia e të kuptuarit të urtësive e mençurive bashkë me predikimet të cilat i ka përcjellë Allahu i Lartësuar në Librin e Tij të Lartë, apo që e ka përcjellë në gjuhën e të Dërguarit të Tij (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) prej transmetimeve të sakta prej tij. Gjithashtu mësoji edhe shkencat e logjikës që të forcohet me to argumenti tënd dhe që të ndriçohet drita e zemrës tënde në ndihmë të fesë së Allahut dhe në drejtimin e krijesave në rrugën e udhëzimit.

O biri im! Le të jenë të gjitha punët e tua në shërbim të Mbrojtësit tënd, i Cili të krijoi  dhe të dha formë të përsosur. E mos kërko me to asnjë tjetër, përveç fytyrës së Zotit tënd. Lëje të keqen, sepse Allahu i Lartësuar të urdhëroi ta lësh dhe vepro të mirën sepse Allahu i Lartësuar të urdhëroi ta veprosh.

Sillu me edukatë me vëllezërit e tu, sepse Allahu të urdhëroi për këtë dhe jo sepse një krijesë si puna jote do të të dënojë për lënien e saj.

Mos i shkel të drejtat e robëve, sepse Allahu i Lartësuar ta ndaloi kalimin e kufijve, dhe jo se po i shkele ato të drejta ke për t’u gjykuar, dhe se do të merret vendimi që ato t’i kthehen atij që i takojnë.

Mos tradhto asnjë nga krijesat e Allahut sepse Allahu i Lartësuar ta ndaloi tradhtinë dhe jo se ke frikë se do të të ndëshkojë një krijesë si puna jote.

Bindju babait dhe nënës tënde sepse Allahu i Lartësuar të urdhëroi që t’u bindesh atyre. E mos e bëj këtë për shkak se ke frikë mos ndërpresin shpenzimet ndaj teje nëse i kundërshton ata.

Bindju prijësave të muslimanëve dhe të parëve të tyre, sepse Allahu i Lartësuar të ka urdhëruar që t’u bindesh atyre. E mos e bëj këtë që të fitosh një pozitë tek ata, apo se frikësohesh nga pushteti dhe hakmarrja e tyre.

Të jesh i dhembshur me të dobëtit, të sëmurët, jetimët dhe të varfërit, sepse Allahu i  Lartësuar të ka urdhëruar që të kesh dhembshuri për ta. E mos e bëj këtë, që njerëzit të thonë se ti je prej bamirësve.

Ruaju nga armiqtë e tu dhe nga armiqtë e popullit tënd, sepse Allahu i Lartësuar të ka urdhëruar të ruesh prej tyre. E mos e bëj këtë se dëshiron të hakmerresh ndaj atij që të armiqëson.

Përpiqu të jenë të gjitha punët e tua në shërbim të fesë tënde dhe të bijve të atdheut tënd, duke dashur të fitosh kënaqësinë e Allahut dhe duke kërkuar shpërblimin tek Zotit yt. E mos e bëj këtë për famë dhe për të grumbulluar të mirat e kësaj bote. Allahu të dhëntë sukses dhe të udhëzoftë në atë që të rregullosh dynjanë dhe ahiretin tënd.

Mësimi i njëzetë

Rreth vulës së porosive

O biri im! Studioje sa më shpesh Kur’anin dhe mësoji ajetet e tij përmendësh me zemrën tënde. Kur ta lexosh Kur’anin mos e lexo atë duke qenë i pavëmendshëm në kuptimet e tij. Nëse has paqartësi në kuptimin e një ajeti, atëherë kthehu tek librat e tefsirit    (komentimit të Kur’anit) ose tek ndonjë nga dijetarët që të mësosh kuptimin e tij.

O biri im! Ka dallim të theksuar midis atij që lexon dhe nuk kupton çfarë lexon dhe midis atij që lexon dhe kuptimet e Kur’anit famëlartë i ka pranë; I pari është si i verbëri që ecën në rrugë dhe nuk sheh gjë, ndërsa i dyti është si ai që sheh dhe ruhet me shikimin e tij se mos bie diku.

O biri im! Ndoshta dikush e lexon Kur’anin dhe Kur’ani e mallkon atë. Allahu nuk e zbriti Librin e Tij Famëlartë thjesht që të lexohet pa u kuptuar, dhe as për t’u lexuar duke kuptuar kuptimet e tij. Por e zbriti atë për të zbatuar urdhërat e tij dhe për t’u larguar nga të ndaluarat e tij. E zbriti për t’u karakterizuar me atë që përmbajnë ajetet e tij të ndershme, prej moralit të lartë. Lexoje Kur’anin me qëllim që të zbatosh urdhrat e tij, t’i shmangesh të ndaluarave të tij dhe të sillesh me moralin e tij.

O biri im! Kërkoji llogari vetes tënde për atë që ke bërë para se të të kërkoj llogari Mbrojtësi dhe Krijuesi tënd. Kur të jesh vetëm, para se të flesh, kujto ato që ke bërë gjatë ditës dhe natës. Nëse sheh diçka të mirë falëndero Allahun që të dha sukses për të. Nëse sheh diçka të keqe shpejto menjëherë të pendohesh dhe jepi besën Krijuesit tend, se nuk ke për ta përsëritur asnjëherë atë. Kërko falje nga Zoti yt sa më shumë dhe shpreso që Allahu të ta pranojë  pendimin dhe të t’i falë gjynahet e kaluara.

O biri im! Përgjërohu para Allahut dhe lute Atë me çiltërsi dhe lutjet e mira për veten tënde, prindërit e tu dhe vëllezërit e tu besimtarë. «O Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti im, na i prano lutjet! O Zoti ynë, më falë mua, prindërit e mi dhe besimtarët në ditën kur do të jepet llogari.» (Ibrahim  40-41)

O Allah, na përfshij në mëshirën Tënde dhe na largo të keqen që na ka pushtuar. Na vdis me Imanin e plotë, me Kur’anin dhe Sunetin, duke qenë i kënaqur me ne. O Allah, na fal ne, prindërit tanë, dijetarët dhe vëllezërit tanë për hir të Allahut, të gjallët dhe të vdekurit besimtarë, dhe mbarë muslimanët. «I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë mbi çfarë i veshin ata. Paqja qoftë mbi të Dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun Zotin e botëve.» (Es-Saffat  180-182).

Këtë e shkruajtëm në muajin Dhil-ki’deh të shenjtë, në vitin 1326 sipas Hixhretit. Me dorën e robit më të varfër dhe më të nevojshëm për mëshirën e Mbrojtësit të tij, Muhammed Shaakir, shejkhu i dijetarëve të Aleksandrisë dhe Hamdi i takon Allahut në fillim dhe në fund.

Përshtati në shqip Bledar Ali