Rëndësia e Sunetit në legjislacionin islam
S’ka dyshim se Kurani i madhërishëm dhe Suneti (tradita profetike), janë dy burimet bazë të legjislacionit islam. Prej tyre përftohen argumentet legjislative islame dhe gjykimet e jurisprudencës (fikhut); si dhe tek ato të dyja kthehen të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me legjislacionin islam (Sheriatin).
Në Kuran dhe Sunet janë të bazuara të gjitha parimet e tjera të legjislacionit islam, të renditura sipas hierarkisë së zbatimit që ato kanë, si në rrafshin teorik dhe në atë praktik.
Dijetarët e hadithit si dhe juristët islam, e kanë përkufizuar Sunetin si më poshtë:
“Bashkësia e fjalëve, veprave dhe aprovimeve të Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”
Allahu i Madhëruar ia zbriti Kuranin Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në mënyrë që ai t’ua kumtojë dhe t’ua sqarojë njerëzve. Urdhëresat dhe mesazhi që gjindet në të, kuptimin e vërtetëe marrin duke u jetësuardhe zbatuar në praktikë; duke përfshirë të gjitha çështjet shoqërore dhe sociale.
Mirëpo, mund të ndodhte që për ndonjë çështje të caktuar tëmos ishte shpallurndonjë ajet prej Kuranit, e në këtë rast, i Dërguari i Allahut gjykonte në ato çështje sipas asaj që i frymëzonte Zoti i tij, apo e analizonte çështjen dhe Allahu e udhëzonte tek ajo që ishte më e drejta.
Padyshim që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është shëmbëlltyra më e denjë dhe pishtari ndriçues për popullin musliman. Çdo vepër e tij, qoftë ajo qëndrim apo lëvizje, për muslimanin konsiderohet normë dhe ligj për t’u pasuar dhe zbatuar.
Duke studiuar traditën profetike, hulumtuesi musliman arrin të kuptojë rëndësinë dhe vlerën e madhe që ka Suneti në legjislacionin islam, në njohjen e dispozitave fetare dhe në vendosjen e atyre normave të ligjshme për të cilat nuk ka zbritur argument i drejtpërdrejtë në Kuranin e madhërishëm.
Prej kësaj veçorie, Suneti tek muslimanët, konsiderohet burimi i dytë themelor në përftimin e dispozitave ligjore dhe fetare, sikurse ai është shpjeguesi, sqaruesi dhe komentuesi i Kuranit të madhërishëm.
Për rëndësinë e madhe të Sunetit, tregojnë shumë ajete në Kuranin famëmadh, të cilat e nxisin muslimanin që ta pasojë dhe zbatojë atë në çdo hap të jetës.
Allahu i Madhëruar thotë:
وَمَا آَتَاكُمُ الرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَا نَهَاكُمْ عَنْهُ فَانْتَهُوا
“Çfarëdo që i Dërguari t’ju japë, merreni atë (zbatojeni), e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj.”[1]
Në mbështetje të kësaj, gjejmë ajetin tjetër i cili na tregon se fjalët, veprat dhe aprovimet e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), konsiderohen pjesë e shpalljes hyjnore dhe inspirim nga Zoti i Madhëruar, i Cili thotë:
وَمَا يَنْطِقُ عَنِ الْهَوَى (3) إِنْ هُوَ إِلَّا وَحْيٌ يُوحَى (4)
“Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij”.[2]
Pra, një nga funksionet më të rëndësishmetë Suneti është pikërisht shkoqitja dhe qartësimi i çështjeve të cilat në Kuran janë përmendur në formë përmbledhëse, forma e detajuar e të cilave nuk mund të njihet ndryshe, veçse nëpërmjet traditës profetike.Psh.: forma e namazit, kohët e tij, kushtet e namazit etj. Të gjitha janë shtjelluar në traditën Profetike. Po ashtu edhe në lidhje me zekatin, është Suneti ai që na përcakton kuotën për të cilën bëhet obligim nxjerrja e zekatit, sasia që duhet dhënë, llojet e pasurisë, etj. E njëjta gjë thuhet edhe për formën e kryerjes së Haxhit, si dhe për të gjitha dispozitat që kanë të bëjnë me adhurimet, apo që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërnjerëzore, kodin civil, kodin penal, shitblerjen, etj.
Pra, janë të shumta ato çështje të cilat në Kuranin e madhërishëm janë përmendur në formë përmbledhëse, ndërsa forma e detajuar dhe shpjegimi i tyre gjendet në Sunetin profetik.
Një tjetër kontribut i rëndësishëm i Sunetit në raport me Kuranine madhërishëm është edhe fakti se ai tregon për përjashtimin e disa çështjeve specifike nga përgjithësimi i përftuar nga ajetet Kuranore.
Po ashtu, shumë prej ajeteve kuranore nuk mund t’i kuptojmë ashtu siç duhet, veçse nëpërmjet shpjegimit dhe komentimit që gjendet në traditën profetike; kjo sepse Kurani është libër gjithëpërfshirës dhe ajetet e tij në përgjithësi trajtojnë bazat e çështjeve dhe rrallëherë hyjnë në sqarimin e detajuar të tyre, detyrë të cilën e kryen më së miri Suneti profetik.
Veç asaj që kemi përmendur më sipër, sqarojmë se mund të ndodhë që disa dispozita të cilat nuk janë trajtuar në Kuranin e madhërishëm, të trajtohen posaçërisht ne sunetin profetik. Pra, Suneti mund të shtojë dispozita të cilat nuk janë përmendur në asnjë ajet të Kuranit, siç është p.sh.: Palejueshmëria e ngrënies së mishit të gomarit, obligueshmëria e sadakasë së Fitrit, etj.
Muslimani duhet t’i kushtojë rëndësi parësore mësimit dhe studimit tëSunetit (Traditës profetike), pasi në këtë mënyrë ai do të përfitonte fryte dhe dobi të shumta, ku ndër to veçojmë:
- Mbjellja e dashurisë në zemrat e muslimanëve për të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në mënyrë të tillë që ata ta marrin për shëmbëlltyrë dhe udhërrëfyes, e sidomos në fazat e para të zhvillimit kur ata janë ende fëmijë, por edhe më pas.
Duke njohur biografinë dhe moralin e tij të përsosur, rrënjoset në zemër dashuria për të, e cila e bën të lehtë bindjen ndaj urdhëresave dhe largimin nga ndalesat me të cilat ai ka porositur, si dhe bëhet më e lehtë zbatueshmëria e legjislacionit hyjnor me të cilën ai është dërguar.
E tillë duhet të jetë gjendja derisa feja të jetë pjesë integrale e jetës së individit dhe shoqërisë, e të mëdhenjve dhe të vegjëlve; të jetë formues i karakterit dhe botëkuptimit të tyre, në mënyrë që të zbatohet thënia profetike, të cilën e përcjell imam Neueuiu në librin El Huxh-xheh, nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Askush prej jush nuk ka besuar (siç duhet)derisa dëshirate tij te jenë në përputhje me atë që unë jam dërguar (pra fenë)”.
- Prej trajtimit të posaçëm që i kushtohet Sunetit profetik është edhe njohja e mënyrës se si është përciellë brez pas brezi deri tek ne, njohja e dijetarëve të mëdhenj dhe librave të rëndësishëm të cilët kanë përmbledhur traditën profetike; e sidomos njohja e shkallës së saktësisë dhe autenticitetit të tij.
- Një tjetër veçori e sunetit, siç e kemi përmendur më sipër, është fakti se nëpërmjet tij njohim dispozitat ligjore dhe fetare në formën e tyre të shkoqitur, të thjeshtësuar dhe të plotë. Pra, është suneti profetik ai që na tregon qartësisht formën e detajuar të namazit, zekatit, haxhit etj, edhe pse ato janë përmendur në formë të përgjithshme në shumë ajete në Kuranin e madhërishëm.
- Studiuesi i Sunetit dhe thënieve profetike përfiton dituri dhe kulturë islame të gjerë.
Ai përfiton gjithashtu prej elokuencës së mrekullueshme gjuhësore, e cila shpaloset qartë në të gjitha thëniet profetike, saqë mahnitet prej saj cilido që ka sadopak njohuri rreth gjuhës arabe, e sidomos ata të cilët janë të specializuar në fushën e njohurive gjuhësore. Buhariu dhe Muslimi përcjellin nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) hadithin nëtë cilin citohet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Jam ndihmuar me frikë (që e ndjejnë armiqtë para se të përballen me mua) dhe me fjalët përmbledhëse (të shkurtëra e kuptimplota)”
- Nëpërmjet studimit dhe hulumtimit të mënyrës se si Suneti dhe thëniet profetike janë përcjellë brez pas brezi deri tek ne, si dhe duke studiuar rrugët e transmetimit dhe duke u njohur me sakrificat dhe përkujdesjen e madhe që dijetarët muslimanë të të gjitha kohërave kanë treguar për ruajtjen e sunetit, hulumtuesit dhe nxënësit të diturisë i bëhet e qartë se cila është metodologjia e saktë shkencore që duhet ndjekur për studimet dhe hulumtimet akademike.
Muslimanët kanë të drejtë të krenohen për këtë veçori të tyre në lidhje me verifikimin e njohurive, autenticitetin e thënieve profetike dhe transmetimeve, saktësimin dhe analizimin e zinxhirëve të transmetimit dhe transmetuesve, shkencë kjo e cila nuk ka qenë e njohur tek asnjë popull tjetër.
Allahu i Madhëruar, në suren En Nahël, thotë:
وَأَنْزَلْنَا إِلَيْكَ الذِّكْرَ لِتُبَيِّنَ لِلنَّاسِ مَا نُزِّلَ إِلَيْهِمْ وَلَعَلَّهُمْ يَتَفَكَّرُونَ (44)
“Ndërsa ty (o Muhamed) të zbritëm Përkujtimin (Kuranin), me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të meditojnë.”[3]
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në hadithin të cilin e transmeton Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Allahu e ndriçoftë dhe e hijeshoftë atë njeri që dëgjon diçka prej meje dhe e përcjell atë tek të tjerët ashtu siç e ka dëgjuar, pasi ndoshta atij që i përcillet e kupton më mirë se ai që e ka percjellë.”[4]
Imam Tirmidhiu, Ibën Hibani, imam Ahmedi, Ebu Nuajmi dhe të tjerë, transmetojnë nga sahabiu i nderuar Zejd Ibën Thabiti(Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ka thënë: “Allahu ia ndriçoftë fytyrën atij që dëgjon nga ne një thënie, pastaj e mëson përmendësh atë, dhe më pas ia mëson dikujt tjetër. Ndodh që dikush ta mbartë diturinë për tek dikush i cili e kupton më mirë se vetë mbartësi.”[5]
Shkëputur nga “Libri i praruar që na njeh me pozitën e Profetin të dalluar” me autor Kadij Ijad el Jahsubi el Magribi.
Përktheu Edmond Ajdini
[1]{Kurani: El Hashër, ajeti: 7.}
[2]{Kurani: En Nexhm, ajeti: 3-4.}
[3]{Kurani: En Nahl, ajeti: 44.}
[4] El Fejd, vëllimi: 6, faqja: 383-384.
[5] Hadithin e kanë shënuar transmetues të shumtë, ndër ta Ebu Nuajm i cili e ka vlerësuar si autentik (sahih) në librin Ehbaru Esbahan, vëllimi: 2, faqja: 90 dhe El Hilje, vëllimi 7, faqja 331.
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve