Pyetje të kota që nuk meritojnë përgjigje

September 11, 2017

Dikush pyet: A ka mundësi Allahu të krijojë një gur aq të madh sa të mos e mbajë dot?

Këto pyetje në filozofi quhen pyetje të kota. Kjo pyetje është e gabuar, dhe nëse dëshiron unë mund të pyes në shkencën e filozofisë shumë pyetje të tilla të kota. Mund të bëhen shumë pyetje të kota si kjo sepse supozimet ndahen në; të lejuara, të mundshme dhe të pamundshme. Ky supozim është i pamundshëm. Përse është i pamundshëm? Sepse Allahu i Lartmadhëruar të Cilin ti e beson është Krijuesi i çdo gjëje dhe për Të nuk ka asgjë të pamundshme (përkundrazi, Ai ka mundësi për gjithçka).

Dikush tjetër thotë: A ka mundësi Allahu të më nxjerrë mua prej mbretërisë së Tij?! Kjo është një pyetje (kërkesë) e pamundur. Përse? Sepse kjo pyetje ngrihet mbi supozimin e ekzistencës së një mbreti tjetër veç Allahut. A ka mbret tjetër veç Allahut?! Kjo është diçka e pamundshme prandaj kjo është prej supozimeve të pamundshme. Gjërat e pamundshme logjika i refuzon, i kthen mbrapsht dhe nuk i pranon.

Prandaj në përgjigje të kësaj pyetjeje kanë thënë: Këtë pyetje nuk e bën një ateist i vërtetë e as një besimtar i vërtetë. Përse? Ateisti i vërtetë nuk beson në Allahun, ndaj si mund ta bëjë ai këtë pyetje? Ndërsa besimtari i vërtetë e di se për Allahun e Lartmadhëruar asgjë nuk është e pamundur prandaj nuk e bën këtë pyetje. Këto janë debate pa dobi dhe gjëra të pamundura. Për shembull, dikush mund të pyesë: A mundet të jetë fëmija më i madh se babai i tij? A është kjo diçka e mundshme? Këto janë gjëra që nuk mund të ekzistojnë. Dhe kur pyetja është e tillë, ajo vetvetiu bie dhe rrëzon vetveten.

Allahu e di më së miri!

Shejh Mesh’hur Hasen – Allahu e ruajtë.

Dosje:

Loading...