Që të bindesh se njeriu është i padijshëm edhe për atë që i sjell atij lumturinë.

Allahu e di më mirë se ç’e kënaq robin e Tij. Nëse imagjinata e njeriut e ka një kufi, kënaqësitë e Xhenetit e tejkalojnë atë. Që të bindesh për këtë, lexo këto hadithe të mrekullueshme

Allahu i Madhëruar na tregon nëpërmjet Profetit Muhamed – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – për banorin e fundit që del nga Zjarri dhe hyn në Xhenet. Dhe na tregon se njeriu arrin në një pikë sa nuk di më çfarë të kërkojë dhe të dëshirojë prej mirësive dhe kënaqësive, dhe aty ku mendja e tij ndalet e paaftë të kërkojë, Allahu ja kujton: ‘Kërko edhe këtë, kërko edhe këtë’:

Thotë Profeti Muhamed – paqja qoftë mbi të: “I fundit që hyn në Xhenet është një burrë i cili një herë  ecën e një herë rrëzohet, e ndonjëherë e përfshin zjarri. Kur e kalon atë, kthehet drejt tij dhe i thotë: ‘I Lartmadhëruar është Ai që më shpëtoi prej teje! Më ka dhënë Allahu diçka që s’ia ka dhënë askujt prej të parëve dhe të mëvonshmëve’! Pastaj i shfaqet atij një pemë dhe ai thotë: ‘O Zot! Më afro tek ajo pemë që të pushoj nën hijen e saj dhe të pi prej ujit të saj.’ I thotë Allahu i Lartmadhëruar: ‘O biri i Ademit! Ndoshta nëse Unë ta jap atë, ti do të më kërkosh edhe diçka tjetër?’ Thotë: ‘Jo o Zot!’ dhe i premton se nuk do t’i kërkojë gjë tjetër pas saj. Dhe Zoti i tij i Lartmadhëruar e justifikon sepse ai do të shikojë gjëra që nuk do të durojë ndaj tyre. Dhe kështu Allahu e afron tek ajo pemë, e ai pushon nën hijen e asaj peme dhe pi prej ujit të saj.
Pastaj i shfaqet një pemë tjetër më e bukur se e para, dhe ai thotë: ‘O Zot! Më afro tek ajo që të pushoj nën hijen e saj dhe të pi prej ujit të saj. Dhe nuk të kërkoj më gjë pas kësaj!’ Dhe Zoti i thotë: ‘O biri i Ademit! A nuk më premtove se nuk do të më kërkoje më gjë pas kësaj?!’ Pastaj i thotë: ‘Ndoshta nëse Unë të jap atë që do, ti do të më kërkosh diçka tjetër?’ E ai i premton se nuk do të kërkojë më gjë tjetër. Dhe Zoti i tij i Lartësuar e arsyeton, sepse ai shikon gjëra që nuk ka durim ndaj tyre. E kështu e afron tek ajo, e ai pushon nën hijen e saj dhe pi prej ujit të saj.
Pastaj i shfaqet një pemë pranë portës së Xhenetit, e cila është më e bukur se dy të parat. Njeriu thotë: ‘O Zot! Më afro tek ajo që të pushoj nën hijen e saj dhe të pi prej ujit të saj, dhe nuk do të kërkoj më gjë tjetër.’ Thotë: ‘O biri i Ademit! A nuk më premtove se nuk do të më kërkoje gjë tjetër?!’ Thotë: ‘Po o Zot! Nuk të kërkoj më gjë tjetër pas saj.’ Dhe Zoti i tij i Lartmadhëruar nuk e qorton për këtë, sepse ai shikon gjëra që nuk rri dot pa i kërkuar. E (Allahu) e afron tek ajo.
Kur e afron tek ajo, ai fillon të dëgjojë zërat e banorëve të Xhenetit dhe thotë: ‘O Zot! Më fut aty (në Xhenet)!’ (Allahu) i thotë: ‘O biri i Ademit! Çfarë të kënaq prej Meje? (Sh.p.: Çfarë të të jap që t’i të ngopesh aq shumë sa të mos kesh çfarë të kërkosh më nga Unë?) A kënaqesh të të jap sa dynjaja dhe edhe një herë sa ajo?’ Thotë: ‘O Zot! Po tallesh me mua dhe Ti je Zoti i botëve?!’ – Atëherë qeshi Ibn Mes’udi (sahabi që transmeton hadithin prej Profetit) dhe tha: ‘A nuk po më pyesni përse qesh?!’ I thanë: ‘Përse po qesh?’ Tha: ‘Kështu qeshi i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) dhe e pyetën: ‘Përse qesh o i Dërguari i Allahut?’ Ai u tha: ‘Nga qeshja e Zotit të botëve kur i tha (njeriu) : ‘Je Zoti i botëve dhe tallesh me mua?!’ Dhe Allahu i thotë: ‘Unë nuk tallem me ty, por Unë kam mundësi të bëj gjithçka që dua.’”
Transmeton Muslimi (187)

Dhe në një transmetim tjetër ka shtuar: “Dhe e kujton atë Allahu: ‘Kërko këtë dhe këtë’ e kur i ndërpriten dëshirat Allahu i thotë: Ajo është e jotja dhe edhe dhjetë si puna e asaj, pastaj e fut në shtëpinë e tij (në Xhenet) dhe hyjnë tek ai dy gratë e tij prej hyrijeve (gratë e Xhenetit) dhe i thonë: ‘Falenderimi i takon Allahut që të bëri të jetosh për ne dhe na bëri të jetojmë për ty’ dhe ai thotë: ‘Askujt nuk i është dhënë ajo që më është dhënë mua’” Muslim (188)   

Ky është njeriu me gradën më të ulët në Xhenet, që ka më pak pasuri dhe mirësi! Po ai që ka gradën më të lartë?

Ka thënë Profeti – paqja qoftë mbi të: “Musa e pyeti Zotin e tij: ‘Kush është njeriu me gradën më të ulët në Xhenet?’ Ai i tha: ‘Është një burrë që vjen pasi kanë hyrë banorët e Xhenetit në Xhenet dhe i thuhet: Hyr në Xhenet!’ E ai thotë: ‘Si o Zot? Kur njerëzit i kanë zënë vendet e tyre dhe kanë marrë atë që u takon!’ (në një transmetim thuhet: ‘Shkon atje dhe i duket sikur është plotë’) I thuhet atij: ‘A kënaqesh të kesh si njëri nga mbretërit e dynjasë?’ Thotë: ‘Kënaqem o Zot.’ I thuhet: ‘Ti do të kesh aq, dhe si ajo, dhe si ajo, dhe si ajo, dhe si ajo’ Ai thotë tek e pesta: ‘U kënaqa o Zot’ I thuhet: ‘Ti do të kesh aq dhe edhe dhjetë si puna e asaj. Dhe ti do të kesh atë që ta dëshiron shpirti, dhe të kënaq syrin’ Thotë: ‘U kënaqa o Zot’ Pastaj thotë (Musa) : ‘Po ai që ka pozitën më të lartë?’ Thotë (Allahu) : ‘Ata janë ata që desha ta mbjell bujarinë e tyre  me dorën Time, dhe e vulosa atë. Prandaj nuk e ka parë atë asnjë sy, nuk e ka dëgjuar asnjë vesh dhe nuk i ka shkuar në mendje askujt.’ Këtë e vërteton Libri i Allahut ku thotë: «Nuk e di asnjë shpirt atë që është fshehur për ta prej kënaqësive» (Sexhdeh: 17)”[1]  



[1] Muslim (189)